1 perditesime
Arbëri

Përfundojnë zgjedhjet për Këshillat Kombëtare të Pakicave në Serbi

Përfundojnë zgjedhjet për Këshillat Kombëtare të Pakicave në Serbi
Foto: Koha / ilustrim
21:36

Përfundojnë zgjedhjet për Këshillat Kombëtare të Pakicave në Serbi

Me mbylljen e qendrës së votimit në orën 20.00, përfundoi votimi për 22 Këshillat Kombëtarë të Pakicave Kombëtare në Serbi, ku të drejtë vote kishin 509.315 qytetarë.

Afati i fundit për publikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve është të enjten, 8 nëntor në orën 20:00, respektivisht 96 orë nga mbyllja e vendvotimeve të qytetit, transmeton Beta.

Kryetari i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve Vladimir Dimitrijeviq tha në prag të mbylljes së qendrave të votimit se RIK nuk mori asnjë vërejtje mbi të gjithë procesin e zgjedhjeve për këshillat kombëtare të pakicave kombëtare, transmeton kp.

"Nuk morëm asnjë kundërshtim apo ankesë për gjithë procesin zgjedhor”, tha Dimitrijeviq.

Ndryshe, qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës kanë votuar për Këshillin Nacional Shqiptar në Serbi, ku gjashtë shqiptarë nga parti të ndryshme pretendojnë të udhëheqin me këtë këshill.

Këshilli është një institucion i themeluar në vitin 2010, për t’i mbrojtur dhe avancuar të drejtat e shqiptarëve në fushën e arsimit, kulturës, informimit, përdorimit të simboleve kombëtare dhe përdorimit të shkrimit të gjuhës shqipe, dhe Kuvendi i Përgjithshëm i Këshillit përbëhet prej 15 anëtarëve.

Ndryshe, shqiptarët e Luginës janë ankuar shpeshherë për diskriminim, pasi Qeveria serbe detyron nxënësit të mësojnë me kurrikula të shtetit serb dhe libra të përkthyer dobët.

08:18

Lugina zgjedh drejtuesin e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi

Sot në Luginën e Preshevës mbahen zgjedhjet e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi, i cili merret ekskluzivisht me çështjet e shqiptarëve atje, me qëllim të avancimit të të drejtave të shqiptarëve në fushën e arsimit, kulturës dhe përdorimit të simboleve kombëtare.

Njohës të së drejtës kushtetuese në Kosovë thonë se të drejtat e shqiptarëve atje janë përkeqësuar dhe se ata që marrin mandatin për udhëheqjen e Këshillit duhet të jenë unikë dhe t’i përparojnë të drejtat e tyre nacionale, shkruan ksp.

Janë gjashtë shqiptarë nga parti të ndryshme të cilët pretendojnë të udhëheqin me Këshillin Nacional Shqiptar në Serbi.

Fushata parazgjedhore e tyre ka përfunduar dhe zgjedhjet mbahen nesër më 4 nëntor.

Këshilli është një institucion i themeluar në vitin 2010 për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e shqiptarëve në fushën e arsimit, kulturës, informimit, përdorimit të simboleve kombëtare dhe përdorimit te shkrimit e gjuhës shqipe.

Por praktikat tregojnë se Serbia asnjëherë nuk ka avancuar të drejtat dhe liritë, elementare të qytetarëve atje.

Madje, në Luginë nuk u lejua as lapidari i Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit, të cilin pushteti serb e pati hequr me dhunë.

Derisa në Serbi nuk respektohen të drejtat e shqiptarëve, në komunat e Kosovës që janë me popullatë shumicë serbe, qarkullojnë lirshëm të gjitha simbolet dhe përmendoret që përbëjnë identitet dhe histori të komunitetit të tyre.

Ndryshe, Kuvendi i përgjithshëm i këshillit Kombëtar Shqiptar, në të cilin po garojnë gjashtë lista shqiptare, përbëhet prej 15 anëtarëve.