Arbëri

Bisedime Kosovë-Serbi mund të mos ketë fare këtë muaj

Foto: Ilustrim

Raundi i ri i bisedimeve mes presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq, nuk do të mbahet para shënimit të 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore, e cila do të zhvillohet në një ceremoni të nivelit më të lartë botërorë, në Paris, më 11 nëntor.

Sipas burimeve të gazetës serbe “Danas”, “nuk ka kohë për një takim të ri në Bruksel javën e ardhshme” dhe pyetja është nëse Thaçi e Vuçiqi do të takohen fare në selinë e BE-së këtë muaj.

Ka kohë që në media përflitet për një takim të mundshëm mes dy presidentëve në margjina të takimit të 11 nëntorit në Paris, ndërsa diplomatë të ndryshëm kanë thënë për “Danasin” se “Kosova nuk do të jetë tema kryesore e kremtimit, por se do të diskutohet edhe për të, patjetër”, transmeton Koha.net.

Në qarqe diplomatike jozyrtarisht thonë se administrata amerikane dhe BE-ja dëshirojnë që “sa më shpejtë që të jetë e mundur” të vazhdohet dialogu mes Kosovës e Serbisë, duke pasur parasysh se nga mesi i dhjetorit deri në fillim të janarit do të jetë një “pauzë festive” në institucionet e BE-së, por ka edhe të atillë që thonë se Prishtina e Beogradi mund të kërkojnë “time-out” në bisedime, pasi që, siç qëndrojnë gjërat momentalisht, ideja për shkëmbim territoresh, rrjedhimisht “korrigjim kufijsh”, është hedhur poshtë nga Perëndimi për shkak të kundërshtive që vijnë nga shtete, mbi të gjitha nga Gjermania.