Sipas deputetit të Vetëvendosjes, Liburn Aliu, procesi i dialogut me Serbinë nuk duhet të vazhdojë pa pasur rishikim të procesit të deritanishëm.
Në Express Intervistën në KTV, Aliu ka thënë se nuk mund t’i besohet më presidentit Hashim Thaçi procesi i dialogut, duke u bazuar në të kaluarën. Ai ka pyetur përse duhet t’i besohet Thaçit ideja për bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën, nëse deri tash nuk e ka diskutuar asnjëherë në dialogun disavjeçar me Serbinë.
“Si VV konsiderojmë se e para është të ndalet Thaçi dhe procesi negociator. Të bëhet rishikimi i procesit të deritanishëm e t’i vendosen kushte të reja Serbisë. Kjo është prioritare, por patjetër se prioritet për Kosovën është edhe rënia e kësaj qeverie dhe shkuarja në zgjedhje. Çfarëdo vazhdimi i kësaj qeverie është i dëmshëm. Kemi parti të pushtetit që janë kritike ndaj Thaçit, por ata po ia vazhdojnë procesin e dialogut”, ka thënë Aliu.
Sa i përket rezolutës së propozuar nga opozita me pikën e vetme se “Kosova është një dhe e pandashme dhe se për kufijtë e saj s’ka mandat të dialogojë askush, përfshirë presidentin”, Aliu ka thënë se ajo dështoi sepse partitë në pushtet nuk kanë forcën që të përballen me Thaçin.
“Partitë opozitare votuan, por duhet të kemi të qartë se rezoluta e cila e kundërshton direkt Thaçin dhe ia ndalon negocimin krijon situatë të pakënaqësisë dhe mendoj se PDK-ja e AAK-ja nuk e kanë forcën të përballen me politikën e Thaçit. Mendoj se është moment kritik për Kosovën. Nëse flasim për unitetin duhet të mendojmë seriozisht për të. Nëse duam unitet ta qartësojmë procesin negociator deri tani. S’jemi në gjendje të mirë, karshi Serbisë, faktorit ndërkombëtar e të brendshëm. Jemi në një krizë. Mbi tërë gjendjen duhet të ketë unitet. Kjo nënkupton që PDK-ja duhet të ketë reflektim të thellë karshi të kaluarës së saj. Kemi gjendje të rëndë. Brenda PDK-së duhet të dalin personat e duhur që bëjnë prerja nga e kaluara dhe janë kritikë ndaj qeverisjes së saj, distancohen nga marrëveshja e prillit 2013. Ndoshta do të ketë reflektim dhe të shkohet në zgjedhje e zgjedhjet e reja na sjellin situatë të re. Marrëdhëniet mes partive janë diçka tjetër, por të harrojnë subjektet se ne e harrojmë të kaluarën e hajde tash nga fillimi. Pa pas rishikim të procesit të deritanishëm, për mua është e qartë që është vazhdim i të keqes”, ka shtuar ai.
Aliu ka shtuar se nuk po e kupton ngarendjen e Thaçit pas dialogut kur po shihet presioni i Gjermanisë ndaj Serbisë që ta njohë Kosovën.