14:37

Seanca e Kuvendit shtyhet për nesër në orën 10

Seanca e Kuvendit të Kosovës, është shtyrë për nesër, ditë e premte në orën 10:00.

Pas konsultimit me Shefat e Grupeve Parlamentare, Kadri Veseli ka thënë se për shkak të agjendës së ngjeshur dhe pranisë së disa delegacioneve, një pjesë e deputetëve po mungojnë. Me këtë rast, seanca do të shtyhet deri nesër, raporton KTV.

Në këtë seancë parashihej të miratoheshin pikat e papërfunduara nga seancë plenare e datës 13, 14, 20 shtator dhe 15 shtator. Mbi 50 pika priteshin për miratim.

12:15

Kuvendi nuk miraton rezolutën e LDK-së kundër Thaçit, opozita braktis seancën

Kuvendi nuk miraton rezolutën e LDK-së kundër Thaçit, opozita braktis seancën

Pas një debati shumë orësh rreth propozimit të një rezolute nga LDK-ja që do t’i kufizonte mandatin presidentit Hashim Thaçi që të negociojë me Serbinë për territorin e Kosovës, u bë përpjekja që sot të harmonizohet ai dokument, por gjithçka dështoi.

Për propozimin e rezolutës së LDK-së votuan vetëm 50 deputetë, nga 90 sa ishin të pranishëm.

Për pasojë deputetët e opozitës braktisën seancën, ndërsa kryesuesi Xhavit Haliti, ndonëse në sallë mbeti numër i pamjaftueshëm për të marrë vendime të plotfuqishme, e vazhdoi seancën me debat për shqyrtimin e pikave të propozuara nga kryesia.

12:12

Krasniqi: Përtej debatit ditor e përtej politikës momentale, ne nuk po japim zgjidhje as Kosovës as qytetarëve

Shefi i GP të PDK-së, Memli Krasniqi tha se ndjen keqardhje që nuk pati vullnet të arrihet një dakordim.

“Insistimi që të ketë vetëm një pikë rezolute e të mos merren parasysh propozimet e koalicionit e jo të PDK-së, na pamundësoj të dalim nga kushtëzimi që ose të votohet një pikë ose fare. Ne dje nuk kemi propozuar rezolutë, por ne kemi propozuar pika për një rezolutë që del nga debati. Unë nuk shoh arsye që të mos përfshihen e aq më pak të mos votohen pikat e propozuara nga ne sepse ato ndërlidhen edhe më shumë për procesin dhe çfarë duhet të bëhet në procesin e ardhshëm e jo vetëm çka nuk duhet. Shpreh edhe njëherë rolin vendimtar të Kuvendit për të gjithë hapat që e presin këtë proces. Është për keqardhje që pas një debati të gjatë herë korrekt e herë jo korrekt, ne arritëm të përmbyllim këtë diskutim”, tha Krasniqi.

“Ne si koalicion dolëm nga situatat e bunkerizuara që na kanë përcjellë që dy muaj. Përkundër që nga 4 shtator nuk u mbajtë asnjë seancë, ne erdhëm dje në seancën e opozitës, jo për t’u dorëzuar, por për të hapur një mundësi komunikimi më shumë për të arritur një konsensus. Ne ashtu e kemi lexuar këtë situatë dje dhe kemi besuar se ka vullnet të sinqertë. Fatkeqësisht nuk ka, prapë jemi në një situatë të lojës politike që opozita insiston që të votojmë një pikë ose hiq. Përtej debatit ditor e përtej politikës momentale, ne nuk po japim zgjidhje as Kosovës as qytetarëve”, tha tutje.

“Këta ankohen pse po shkon presidenti në Bruksel vetë e këta me këtë kryeneqësi po ia mundësojnë presidentit të shkojë vetë në Bruksel, me mandatin kushtetues që e ka sepse nuk po krijohet mundësia të krijohet një komision të Kuvendit që ta mbikëqyr dialogun e as t’i japim dritën e gjelbër qeverisë të vazhdojë me obligimet kushtetuese. Ne nuk dorëzohemi nga kërkesa dhe insistimi jonë nëse jo sot ditët në vijim të harmonizohet me qëndrimet tona. Sa i përket procesit të votimit ne nuk do të marrim pjesë fare në votim, sepse ky kurth i padrejtë në të cilin po mendon propozuesi ta fus koalicionin, ne normalisht nuk do të bijmë në të. Ne nuk votojmë kundër sovranitetit të Kosovës. Ne nuk po duam ta mbrojmë më shumë se këta Kosovën, ne vetëm po duam ta duam s akëta Kosovën”, tha ai.

11:47

Partitë nuk merren vesh për rezolutën anti Thaç

Ka përfunduar takimi i Shefave të Grupeve Parlamentare.

KTV raporton se nuk është arritur një pajtueshmëri mes partive për një rezolutë të përbashkët për dialogun dhe kundër përfshirjes së Hashim Thaçit në të.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka konfirmuar se nuk është arritur një pajtueshmëri.

“Por si propozues jemi pajtuar që pikën 6 të propozuar nga PDK-ja ta kemi në rezolutë”, tha ai.

Hoti tha se të gjitha grupet parlamentare diskutuan për të parë nëse mund të arrijnë një dakordim.

“Nuk kemi arritur të dakordohemi, por si propozues të kësaj rezolute kemi shprehur që pikën 6 të rezolutës së PDK-së ta riformulojmë. Kuvendi i Kosovës rithekson se kushtetuta e Kosovës, sovraniteti, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar janë të pacenueshme, as presidenti dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të diskutoj për territorin”, ka thënë Hoti.

10:45

Shefat e Grupeve Parlamentare në tentim për harmonizim të rezolutës

Me kërkesë të 42 deputetëve Kuvendi u mblodh dje në seancë të jashtëzakonshme, për të debatuar lidhur me angazhimet e Presidentit Hashim Thaçi për përfshirjen e shkëmbimit të territoreve apo "korrigjim të kufijve" në dialogun me Serbinë.

Shefi i GP-së së LDK-së, Avdullah Hoti, me të nisur sot seanca kujtoi se dje mbaroi seanca pa kuorum.

“Ne mund të dakordojmë për 15-20 minuta por ngjarjet që kanë ndodhur dje në Gjermani e bëjnë të nevojshme që menjëherë të votohet kjo rezolutë”, tha ai.

Kujtojmë se dje Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, qëndroi në Minsk të Bjellorusisë ku mori pjesë në Takimin e Grupit Kryesor të Konferencës së Sigurisë të Munihut. Ai u takua edhe me kryeministren serbe Ana Bërnabiq.

Kryesuesi i Konferencës së Sigurisë së Munihut, Wolfgang Ischinger, ka komentuar këtë takim, duke thënë se në të është kritikuar qasja e Gjermanisë ndaj idesë së ndryshimit të kufijve, ide e cila është përmendur kohët e fundit si mundësi për zgjidhjen e çështjes mes dy vendeve, raporton Koha.net.

Memli Krasniqi i PDK-së tha se duhet harmonizim dhe qëndrime të përbashkëta e gjithëpërfshirëse.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se dallimi është evident.

“Ose ta mbrojmë interesin e shtetit ose verbalisht Hashim Thaçin”, tha ai.

Dardan Sejdiu tha se si PSD, janë dakord që Shefat e Grupeve ta harmonizojnë në një takim tekstin me shtesa dhe ta sjellin atë në seancë.

Derisa ata të dakordohen Kuvendi shkoi 20 minuta pauzë.

Image