14 perditesime
20:06

Sërish mospajtime për rezolutën për dialogun, seanca vazhdon nesër

Grupet Parlamentare janë marrë vesh që të enjten, me fillim në orën 10:00 të vazhdohet me pikën për rezolutën e propozuar nga opozita për dialogun me Serbinë.

Sot Kuvendi nuk arriti të gjejë pajtim për të votuar rezolutën e propozuar nga opozita me vetëm një pikë “se territori i Kosovës është një dhe i pandashëm dhe se askush, as presidenti, nuk ka mandat të diskutojë për territorin”.

Duke kërkuar votimin nesër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se nesër mund të bisedojnë me partitë tjera, por duke insistuar që rezoluta të votohet.

Pas tij ka folur Memli Krasniqi, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së që ka thënë se opozita po mundohet qëllimisht të mos dalë nga situata aktuale e vendit.

“Këtu më së paku u debatua për temën. Unë propozova qysh në fillim të seancës disa pika në mënyrë që të gjejmë pajtueshmëri për konsensus. Nëse nuk ekziston vullneti për të dakorduar rezolutën edhe me pikat tona atëherë është mënyrë e qëllimshme për të mos dalë nga kjo situatë. Unë kërkoj nga kolegët e opozitës të tregojnë se cilat janë pikat që nuk janë pajtuar me ne. Gjithmonë para përfundimit të diskutimeve ndodhin takime për harmonizim, por sot nuk ka ndodhë. Megjithatë ne jemi të gatshëm të takohemi për harmonizim edhe sonte edhe nesër”, ka deklaruar ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se duhet të harmonizohen qëndrimet dhe të bëhet rezolutë e përbashkët, por në një ditë tjetër.

Pas tij, Bilall Sherifi i Nismës deklaroi se “po të isha në vend të opozitës edhe 10 pikë do t’ia pranoja mazhorancës në rezolutë vetëm ta fusja pikën se territori është i padiskutueshëm”.

Pas kësaj pike nesër do të mbahet seanca e rregullt.

19:42

Musliu përplaset me Gaxherrin për vrasjet e zyrtarëve të LDK-së

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, është përplasur me deputeten e LDK-së, Besa Gaxherri, rreth deklaratave të kësaj të fundit në seancë plenare që e akuzoi presidentin Hashim Thaçi se ka gisht në vrasjet e pasluftës të zyrtarëve të LDK-së.

Musliu i ka bërë thirrje të gjitha familjeve të të vrarëve që të drejtohen në shtëpinë e Besa Gaxherrit për ta kuptuar të vërtetën rreth vrasjeve. Ajo i ka bërë thirrje Gaxherrit që faktet t’i deponojë në polici e prokurori.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Gaxherrit. Tha se ajo po citon raporte ndërkombëtare në të cilat përmendet emri i Hashim Thaçit.

Për këtë foli edhe Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, që tha se nuk do të ndalen së kërkuari të vërtetën e vrasjeve të pasluftës. Kryeparlamentari Kadri Veseli ka kërkuar që të mos devijohet debati derisa i ka bërë thirrje LDK-së që të thërrasin një seancë veç me këtë temë.

19:30

Haliti: S’jemi të rrezikuar nga Serbia, por vetë po e dëmtojmë shtetin

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti ka bërë një përshkrim të zhvillimeve politike në vend, që nga fillimi i luftës, zhvillimi i negociatave në Konferencën e Rambujes dhe gjatë procesit të bërjes së shtetit.

“Nuk frikohem që ushtria e Serbisë do ta sulmojë Kosovën, as në jug e as në veri. Nuk ka shans Serbia ta sulmojë Kosovën. Kosovën jemi duke e dëmtuar ne”, ka theksuar Haliti.

Ai ka qenë kritik ndaj të gjithë përfaqësuesve politikë të vendit, që nga paslufta, pasi sipas tij mesazhet që Kosova po i dërgon miqve ndërkombëtarë, janë zhgënjyese. Po ashtu ai ka pohuar se në bisedime janë zotuar që serbët e Kosovës do të trajtohen më mirë se serbët në Serbi, të cilin premtim thotë se nuk e kanë mbajtur.

“Duhet të gjenden rrugë, edhe presidenti të ulet me partitë politike, dhe ai të sqarojë, jo të gjitha gjërat të thuhen para mediave, por të sqarohen ato, e jo të flitet pa u sqaruar mirë. Hapni kartat dhe t’i gjeni zgjidhjet dhe të premtoni se nuk do të flisni për media në momentin që do të dilni nga aty”, tha Haliti, raporton KP.

18:17

Haxhiu: Haradinaj nuk po guxon ta ndalë Thaçin

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se kryeministri Ramush Haradinaj nuk po guxon ta ndalë presidentin Hashim Thaçi për dialogun me Serbinë.

Sipas saj, Thaçi po bën shkelje kushtetuese përderisa përfaqëson Kosovën në dialog, duke kujtuar se ish-presidentja Atifete Jahjaga nuk e bënte një gjë të tillë, por Thaçi sa ishte kryeministër.

“Në momentin kur Haradinaj ka marrë drejtimin e Qeverisë në raport me dialogun ka theksuar se nuk merr vesh prej kësaj pune. Kjo është deklaratë skandaloze kur vjen prej një kryeministrit të vendit, por unë s’besoj që nuk merr vesh prej kësaj pune, sepse nuk ka guxim që ta ndalë Hashim Thaçin”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq pas replikës se deputetes Haxhiu, kryeministri Haradinaj tha se nuk u kthye në seancë për të krijuar polemika me deputetët, por me shpresën që deputetët do ta ‘japin’ provimin.

“Kisha pasur shumë dëshirë që parlamenti ta japë provimin. Mund të dështojë njëri, fatmirësisht jemi disa pushtete, pra është parlamenti, është qeveria, është presidenti është gjyqësori, por po e dha parlamenti provimin, ju siguroj që është me peshë të madhe, ju siguroj që ka ndikim të jashtëzakonshëm te të tjerët”, tha Haradinaj.

16:26

Osmani thotë se s’mund t’i mbrojnë të drejtat e qytetarëve të Luginës ata që s’i vizituan kurrë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk do të mund t’i mbrojnë ata, të cilët kurrë nuk i vizituan dhe që i konsiderojnë si qytetarë të Angolës kur aplikojnë për dokumente.

Osmani debatin e deritanishëm që zhvillua sot në seancën e jashtëzakonshme e ka konsideruar si zhgënjyes.

“Çështja e zbardhjes së fatit të të pagjeturve të jetë parakusht për vazhdimin e dialogut, po e shohim që kjo çështje tani ka mbetur tërësisht anash dhe tërësisht e anashkaluar nga kryenogociatori i vetëshpallur presidenti i vendit. Po ashtu edhe për energjinë të jenë një sërë kushtesh edhe ato po anashkalohen nga kryenegociatori i vetë shpallur i cili jo vetëm që shpërndan artikuj të sponsorizuar të shkruar nga të tjerët pro ndarjes së Kosovës, por në fakt po këtë temë e ka pranuar herë drejtë për drejtë, e herë tërthorazi nga Austria e deri në Kosovë tash besoj edhe në Bjellorusi. Dhe po të njëjtën këtë po e parashohim që do e bëjë më 11 nëntor dhe mandej për ta promovuar këtë ide janë dhënë edhe para të taksapaguesve të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

Osmani po ashtu foli edhe për shqiptarët që kanë humbur jetën në veri të Kosovës në periudhën e pasluftës.

16:25

Haradinaj kërkon unitet për dialogun, si për ushtrinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar unitet nga partitë parlamentar për çështjen e dialogut me Serbinë, njëjtë siç kishin votuar unanimisht pro Ushtrisë së Kosovës.

Në debatin për rezolutën e opozitës për ndalimin e dialogimit të kufijve në dialogun me Serbinë, Haradinaj ka thënë se Kuvendi është autoriteti suprem pa të cilin s’mund të jetësohet asnjë marrëveshje ndërkombëtare, raporton KTV.

“Është interes nacional që të dëshmohet se për çështje të interesit të përgjithshëm mundemi e dimë të gjejmë gjuhë të përbashkët. Nuk kemi me pas qare pa marr parasysh sa jemi të ndarë në parlament pa gjet një formulë për çështje të interesit nacional. Mendoj që njëra prej temave që kemi nevojë të themi atë që mendojmë të gjithë bashkë është dialogu me Serbinë. Nuk ka dilemë se Kuvendi i Kosovës është autoriteti suprem pa të cilin asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk mundet të jetësohet, këtë le ta dinë të gjithë, secili institucion. Është legjitime që secili subjekt të paraqesë rezolutë, por pa marr parasysh se çka përmban ai dokument nganjëherë simbolikat flasin vetë. Votat që ishin atë ditë për ushtrinë kishin peshë më shumë sesa ligjet për ushtrinë. Një votë me numër aq të madh është shumë me rëndësi sesa përmbajtja e ligjeve. Iu kisha lut ta gjejnë edhe tash atë formulë. E dimë se rrugëtimi ynë tutje po na trumbetohet si kompromis i radhës, mirëpo mos të harrojmë se themelet e një kompromisi i kemi në kushtetutën tonë e ajo është pakoja e Ahtisarit. Si qeveri mendoj se në tema nacionale kemi bërë e do të bëjmë kujdes, megjithatë vendimet janë të Kuvendit. Unë disa herë kam pasur rastin të ju drejtohem. Nuk e kam menduar vetën si njeri të koalicionit, por si njëri prej jush. Ju lutem veproni në një moment të tillë”, ka deklaruar Haradinaj para deputetëve.

15:32

Kuvendi kthehet nga pauza me 15 deputetë

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka vazhduar me vetëm 15 deputetë në sallë.

Nga LDK-ja aktualisht janë vetëm 5 deputetë, ndërsa kanë filluar të kthehen ata të PDK-së, VV-së dhe PSD-së.

14:15

Kuvendi në pauzë deri në orën 15:15

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në orën 15:15 pasi nuk ka pasur vullnet që të votohet rezoluta që ia ndalon presidentit Hashim Thaçi diskutimin e territorit në bisedimet me Serbinë.

Opozita kishte thirrur seancën e jashtëzakonshme në të cilën do të votohej rezoluta, por kryesuesi i Kuvendit, Xhavit Haliti ka vendosur për pauzë pasi në seancë mungonin iniciuesit e kësaj seance të jashtëzakonshme.

Kusari: Jemi deputetë të dështuar, s’mundëm ta ndalim njeriun që e votuam

Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari – Lila ka thënë se deputetët kanë dështuar pasi që nuk kanë arritur të ndalin presidentin Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë.

Ajo ka thënë se vet Thaçi ka pranuar se ‘korrigjimi i kufirit’ është në tavolinën e bisedimeve.

“Është një fjalë që thotë se dështimi për me planifiku, është planifikim për me dështu. Faktikisht ne kemi dështuar. Dhe sot, përderisa dikush mundohet të luaj lojën e fajit, unë mundem me thënë se 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës, nëse shikohemi në pasqyrë, çdo mëngjes mund t’i themi vetës se jemi të dështuar. Jemi deputetë të dështuar sepse jemi mbledhë me diskutuar për një temë e cila është e gravirume në Kushtetutën e Republikës të Kosovës. Nuk kemi arritur ta ndalim një njeri që e ka votuar ky Kuvend, që të fillojë të diskutojë për ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve”, tha ajo.

Kusari- Lila ka marrë shembull artikullin e Financial Times të shpërndarë nga Presidenti përmes rrjetit social Tëitter, artikull në të cilin thuhet se marrëveshja historike përmban ‘korrigjimin e kufirit’.

“Shikoni në llogarinë e presidentit në Tëitter. Jo më larg se 23 orë më parë, presidenti e shpërndanë një artikull të Financial Times, të sponzorizuar, nga bordi editorial i kësaj reviste prestigjioze, për të cilën paguhen mjete nga buxheti i Kosovës , gjegjësisht nga taksapaguesit tanë, me interpretimin e tij në të cilin thotë, gjëja e parë që përmendet është dakordimi i dy presidentëve Vuçiq dhe Thaçi, me një marrëveshje historike që do të përfshijë edhe korrigjimin e kufijve, edhe shkëmbimin e territoreve. Do të thotë të dyja këto janë pjesë e këtij editoriali, i cili është shpërndarë nga presidenti i Republikës të Kosovës”, theksoi Kusari-Lila.

Tutje deputetja e Alternativës ka shpalosur mesazhe të dala nga takimet me diplomatë.

“A shkojmë pak më larg, a tregojmë se çfarë na thonë neve diplomatët e huaj kur vijnë këtu, se çfarë ka të bëjë marrëveshja historike e dy njerëzve që ulen në tavolinë dhe në mes e kanë një zonjë, Frederica Mogherini. Përfshinë ndarjen e Preshevës, disa fshatrave të Preshevës, dhe tri komunave në veri. Dhe cili është arsyetimi? Se Kosova nuk ka bërë asgjë për serbët në veri. A është e saktë kjo? Unë kisha thënë se është e saktë, por me faj të Republikës të Kosovës. Por, a kemi bërë ndonjë gjë për shqiptarët në Preshevë? Asgjë”, potencoi ajo.

13:08

Veseli fton partitë ta hartojnë një rezolutë të përbashkët

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka propozuar që të ulen të gjitha grupet parlamentare dhe të hartojnë një rezolutë të përbashkët, për të cilën do të ketë pajtim edhe nga presidenti, Hashim Thaçi.

Ai ka ftuar të gjitha partitë politike edhe njëherë që të dalin me qëndrime të përbashkëta, dhe të mos e fyejnë njëri tjetrin.

“Ne këtë punë mund ta përfundojmë shumë shpejt për arsye se krejt ato diskutime çka u biseduan janë çështje për të cilat mund të ulemi bashkërisht edhe të bëhet një rezolutë dhe platformë e përbashkët. Nëse vërtetë po mendojmë për sovranitetin, integritetin e Republikës së Kosovës, nëse vërtet po mendojmë që si do të jetë e ardhmja e shtetit tonë të pavarur dhe sovran. Unë sot e pash një progres të jashtëzakonshëm edhe nga Lëvizja Vetëvendosje për besë është lëkundje-shkundje. Ejani të dalim me qëndrime bashkërisht mos të maltretojmë njëri-tjetrin, mos ta fyejmë njëri-tjetrin mund të shkojmë në debat por frikësohemi katërcipërisht vetëm kemi me i zhgënjyer qytetarët më shumë”, ka thënë ai.

Sipas tij sot shteti i Kosovës e ka vetëm një kundërshtare e ajo është Serbia, dhe presidenti i saj Aleksandër Vuçiq, transmeton kp. 

Kryeparlamentari partive opozitare ua dha fjalën se çdo gjë që e parasheh Kushtetuta dhe që është në interes të shtetit do e përfshijnë në rezolutë, ndërsa sipas tij do jetë e papranueshme me e shkatërrua shtetin për ego individuale.

“Nëse dëshironi bëhemi bashkë, për besë po mendojmë seriozisht nuk po mendojmë me e lu lojën politike në këtë aspekt po mendojmë si dëshironi ulemi çdo gjë çka e parasheh Kushtetuta, çka mendoni se është në interes të shtetit të Republikës së Kosovës po ua jap fjalën se do ta votojmë, ama me e shkatërruar një shtet vetëm për hir të egove në kuptimin edhe me u marr me individë për besë, kjo është e papranueshme”, ka shtuar Veseli.

Ai tha se sot më me dëshirë do mbante seancë për liberalizimin e vizave pasi siç konsideron ai nuk është e drejtë që qytetarët e Kosovës të mbahen të izoluar.

12:21

Deda: Deputetët po garojnë kush kujt po ia “lëshon”

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës, në kohën kur vendi po përballet me një stuhi politike, kanë filluar lojën se kush kujt po ia “lëshon”, derisa tha se sikur të ishte garuar kështu në dialog me Serbinë, ky proces do të kishte përfunduar kaherë.

Ai tha se deputetët duhet të jenë më parimor, duke shtuar se Kuvendi duhet ta thotë të vërtetën për territorin dhe atë se çka e bashkon Kosovën në procesin me Serbinë.

Ai duke thënë se të gjithë duhet të jenë më racional, ftoi që të gjithë të kthehen në binarët nga të cilët kanë dal vet.

“Erdhëm më me optimizëm në këtë seancë dhe tash filluam këtë lojën kush kujt po ia lëshon, e kjo është marrë për këtë Kuvend dhe për neve si njerëz të zgjedhur. Nëse e shohim në bazë të deklaratave, pajtohemi që asnjë bartës institucional nuk ka të drejt me negociu për territorin e Kosovës... Dhe këtu përfundon pajtimi mes nesh. Unë iu kisha lut, qëtë mos bëhemi si një telenovelë e lirë dhe mos ta vazhdojmë këtë lojë kështu... Nëse të gjithë bashkohemi rreth kësaj, që asnjë bartës institucional nuk ka të drejt të negociojë për territor të Kosovës, kjo mjafton për rezolutën të cilën duhet ta aprovojmë, patjetër, patjetër, patjetër sot... Sikur të kishim pasur këso vrulli se kush është më i mençur në dialog me Serbinë, ne moti e kishim përfundu këtë proces”, tha Deda.

Ai pati një lutje për PDK-në, që të mos ta kushtëzojë aprovimin e kësaj rezolute.

12:16

Veseli: Vetëm Vuçiqi mendon kundër pavarësisë së Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në seancën e jashtëzakonshme kundër idesë së Hashim Thaçit për shkëmbim territoresh me Serbinë, ka thënë se vetëm presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi është kundër pavarësisë së Kosovës.

Në fjalimin e tij, Veseli ka thënë se Thaçi do ta respektojë rezolutën e Kuvendit që ia ndalon presidentit diskutimin e territorit në dialogun me Serbinë.

“Ky është presidenti Vuçiq. Jam i sigurt që presidenti do ta respektojë rezolutën e miratuar nga Kuvendi”, ka thënë Veseli, duke shtuar se pozita nuk është serioze me deklaratat e saj.

11:57

Isufi kërkon të votohet platforma e përbashkët për dialogun

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Ahmet Isufi ka thënë se nuk ka më nevojë të mbahen seanca për rezoluta të partive.

Në seancën e jashtëzakonshme të kërkuar nga LDK-ja për ndalimin e negocimit të territorit në dialogun me Serbinë nga Presidenti Hashim Thaçi, Ahmeti ka kërkuar që të votohet platforma e përbashkët për dialogun.

"Ne jemi ngopur me rezoluta që disa muaj me radhë. Qëndrimet janë krejt të qarta, nëse doni ta bëjmë një rezolutë të përbashkët urdhëroni. Nëse nuk keni ndonjë mendim tjetër për të bërë loje. Kryeministri e ka treguar qartë qëndrimin për territoret, i dimë qëndrimet e te gjitha partive, gjerat janë krejt të kthjellëta veç a duam ta kemi një rezolutë të përbashkët për një delegacion për bisedimet me Serbinë. Mos t’i terrorizojmë më tepër qytetarët, të ulemi të bëjmë platformën dhe ekipin", tha ai.

11:55

Konjufca propozon që Thaçit t’i ndalohet çdo takim me Serbinë

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se presidenti i Kosovës, ka hapur një problem të madh, atë të lëvizjes së kufijve. Me këtë gjë, Konjufca tha se është lëkundur edhe sistemi politik i Republikës së Kosovës dhe të rendit kushtetues.

“Shteti i Kosovës ka tri pushtete, nuk ka pushtet të katërt. Presidenti po sillet si pushtet i katërt. Por, jo vetëm që është dhe po sillet si njëri nga pushteteve aktualisht në Kosovë, por ai e ka keqkuptu mandatin e tij si president, po sillet si monark absolut”, tha Konjufca.

Dëmin më të madh gjatë mandatit të presidentit, Konjufca e ka vlerësuar, imponimin e terminologjisë së finales së dialogut. Sipas tij finalja me Serbinë ka përfunduar në vitin 2008 dhe se nuk ka finale tjetër.

"Gabimi më i rëndë i një udhëheqësi që me gojën e vet e qet në pikëpyetje shtetin që e përfaqëson, atëherë kur i konteston kufijtë e vet. Kosovën e ka kontestu gjithmonë Serbia ajo dihet, me këtë jemi mësuar, ama për herë një President i Kosovës i ka kontestu kufijtë e vet, kjo ja mundëson Serbisë që t’iu thotë faktorëve ndërkombëtarë, që për Kosovën dika nuk është në rregull dhe që dialogu po vazhdon, prandaj kjo me të vërtetë i ngadalëson edhe ju jep një goditje të pakthyeshme edhe procesit të njohjeve të Kosovës”, tha Konjufca.

Ai mes tjerash ka shtuar se presidentit Thaçi duhet t’i kufizohet çdo takim me Serbinë, vetëm atëherë është rezolutë e vërtetë. Sipas tij vetëm atëherë kur do të implementohet kjo pikë qytetarët do të jenë të qetë në lidhje me dialogun me Serbinë.

11:30

Koalicioni qeverisës propozon pika shtesë për Rezolutën për Dialogun

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se refuzimi ndaj dialogut, është dëmtim i Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ndaj miqve të vet.

Ai ka folur për përpjekjet që janë bërë për konsensus, dhe ka thënë se tani është koha që kjo të ndodhë. Krasniqi ka paraqitur në emër të koalicionit qeverisës, pikat që mund të përfshihen në Rezolutën për Dialogun.

“Të gjithë ata që sot spekulojnë për ndarje të Kosovës, për shkëmbime të territoreve me Serbinë, pa asnjë bazë dhe pa asnjë fakt, janë duke shkaktuar qëllimshëm panik dhe huti në mesin e qytetarëve të vendit tonë. Ne, si Grup Parlamentar i PDK-së konsiderojmë se ngritja e kësaj teme të rrezikshme në diskursin e brendshëm politik do ta dëmtojë Kosovën në procesin e dialogut. Po ashtu, përveç temës së “ndarjes”, rreziku më i madh që i kanoset sot Kosovës është mundësia e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive, që do të shënonte edhe një lloj bosnjezimi të Kosovës. Ky Kuvend do të duhej që në mënyrë të qartë dhe të vendosur të shprehë qëndrimin se një gjë e tillë nuk do të ndodhë! Prandaj, ne besojmë se konsensusi për Dialogun me Serbinë është më shumë se i dëshirueshëm. Është përgjegjësi e të gjitha partive politike, para së gjithash atyre të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kontributin për këtë proces e shohim si një obligim që e kemi të gjithë karshi vendit dhe qytetarëve tanë”, ka thënë ai.

Këto janë pikat që ka propozuar deputeti Krasniqi.

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës i jep mbështetje vazhdimit të Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si mënyra më e mirë për arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare obligative ndërmjet të dy shteteve, që do të rezultonte me njohjen e ndërsjellë shtetërore të të dy palëve dhe me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB, si dhe me përshpejtimin e integrimit të Republikës së Kosovë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës do të angazhohet për arritjen e konsensusit të brendshëm politik për Dialogun Kosovë – Serbi, duke përfshirë Platformën e përbashkët për Dialogun, që do të përmbajë parimet themeltare dhe pozicionet shtetërore të Republikës së Kosovës për të gjitha çështjet që ndërlidhen me këtë proces.

3. Kuvendi i Republikës së Kosovës themelon një Komision të veçantë, me përgjegjësi për ta monitoruar nga afër procesin e Dialogut dhe punën e delegacionit të Republikës së Kosovës. Ky Komision do të përbëhet nga Kryetarët e Grupeve Parlamentare dhe do të udhëhiqet nga një përfaqësues i opozitës.

4. Delegacioni i emëruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, i plotësuar edhe me përfaqësues të partive opozitare, që do të përfaqësojë Republikën e Kosovës në Dialog, do t'i raportojë rregullisht Komisionit të veçantë për monitorimin e Dialogut mbi ecurinë e këtij procesi dhe zhvillimet e tij.

5. Kuvendi i Republikës së Kosovës ka rol qendror dhe vendimtar në Dialogun Kosovë – Serbi. Marrëveshja eventuale që mund të arrihet nga faza përfundimtare e Dialogut Kosovë – Serbi mund të jetë e vlefshme vetëm pas ratifikimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve ose nëse merr mbështetjen e shumicës së qytetarëve përmes referendumit.

6. Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme dhe vetëm Kuvendi i Republikës së Kosovës ka autoritet dhe kompetencë për të vendosur për këto çështje.

11:09

Nis seanca e jashtëzakonshme kundër idesë së Thaçit për shkëmbim territoresh

Me gati një orë vonesë, Kuvendi i Kosovës ka filluar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh në dialogun e Kosovës me Serbinë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se Thaçi me idenë e tij për shkëmbim territoresh ka arritur që të krijojë pakënaqësi të madhe qytetare si asnjëherë më parë.

“Ka kohë që Thaçi angazhohet që kufiri të përfshihet në dialog dhe më 25-26 gusht ka folur për këtë propozim edhe në një takim në Bruksel. Është krijuar pasiguri e madhe qytetare si asnjëherë më parë, pakënaqësia qytetare ka arritur nivel rekord. Janë stopuar njohjet e shtetësisë së Kosovë. Këto veprime të presidentit janë antikushtetuese. Në demokraci parlamentare shefi i shtetit nuk ka kompetenca të tilla”, ka thënë veç të tjerash Hoti.

Fjalimi i plotë i Hotit në Kuvend:

Ka një kohë që Presidenti Thaçi angazhohet që shkëmbimi i territoreve apo korrigjimi i kufijve të përfshihet në dialogun me Serbinë.

Ai e ka paraqitur këtë propozim në një seri të konferencave për medie në Prishtinë. Ndërkaq, më 25 dhe 26 gusht 2018 në Vjenë, ka folur për këtë propozim në prani të zyrtarëve të Bashkimit Evropian, të Austrisë dhe të Serbisë.

Ky angazhim i Presidentit Thaçi është kundër kushtetues dhe, rrjedhimisht, kundër shtetësisë të Kosovës.

Dëmet tanimë janë bërë nga këto veprime të Presidentit:

E para, është krijuar pasiguri qytetare, ekonomike dhe sociale, si asnjëherë më parë. Vlerësimet tregojnë se pakënaqësia e qytetarëve e ka arritur nivelin rekord prej mbi 80% të qytetarëve që janë të pakënaqur me rrjedhat politike në Kosovë.

E dyta, janë stopuar të gjitha aktivitetet e diplomacisë së Kosovës dhe të shteteve mike për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Të nderuar deputetë,

Është e qartë se këto veprime të Presidentit janë antikushtetuese.

Asnjëra nga kompetencat e Presidentit, të parapara në nenet 4, 83 dhe 84 të Kushtetutës, nuk ka natyrë të pavarur.

Në demokracitë parlamentare, shefi i shtetit nuk ka kompetenca që janë ekskluzive të sovranit dhe të përfaqësuesit të tij, që janë deputetët.

Territori i takon shtetit, e jo Presidentit, apo ndonjërit prej pushteteve.

Esenca e rendit kushtetues të Kosovës qëndron në këto shtylla:

E para, çështjet e sovranitetit territorial i takojnë ekskluzivisht përfaqësuesit të sovranit, pra këtij Kuvendi.

E dyta, përveç përfaqësuesve të sovranit, asnjë institucion nuk ka mandat të negociojë apo të nënshkruaj marrëveshje ndërkombëtare për çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës;

E treta, të gjitha çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës kërkojnë votat PRO të 2/3 të të gjithë deputetëve;

E katërta, për çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës mund të vendoset përmes referendumit, ku sovrani e ushtron pushtetin drejtpërdrejt.

Por, në një republikë parlamentare si Kosova, referendumin nuk mund ta thërret Presidenti, por vetëm përfaqësuesi i sovranit, dhe atë vetëm për çështjet që janë brenda kompetencave të tij, si përfaqësues i sovranit.

Të nderuar deputetë,

Diskursi i Thaçit për gjoja mbështetje ndërkombëtare të këtij procesi është mashtrim për tri arsye.

Shkëmbimi i territoreve nuk është rezultat i ndryshimit të politikës të partnerëve tanë. Kjo është ide e Beogradit dhe e Moskës, për të penguar konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Shkëmbimi i territoreve nuk i siguron Kosovës anëtarësim në OKB. Pse Kina do të ndërronte qëndrim lidhur me këtë çështje?

Shkëmbimi i territoreve nuk i siguron Kosovës perspektivë të qartë drejt Bashkimit Evropian, sepse qëndrimi i Spanjës karshi pavarësisë së Kosovës nuk ndryshon me shkëmbim territoresh.

Të nderuar deputetë,

Sjellja e Presidentit në Alpbach të Austrisë ka qenë skandaloze, kur ai flet në shumës, edhe në emër të Presidentit serb.

Po e citoj si ka thënë, pak a shumë:“Na lini ju lutem vetëm, mua dhe Vuçiqin, që në mirëbesim t’i zgjidhim mosmarrëveshjet tona. Ne nuk jemi djem problematik. Ne dëshirojmë të arrijmë marrëveshje”.

Me këtë qasje, Thaçi përjashton BE-në dhe SHBA-të nga dialogu.

Thaçi po bisedon për Kosovën sikur për një krijesë politike në formim.

Ai ka deklaruar se deputetët shkojnë e vijnë, por ai do të vazhdojnë projektin e tij.

Kështu kanë deklaruar vetëm monarkët e shekullit XVII.

Të nderuar deputetë,

1) Ne jemi për dialog me Serbinë.

Por, për një dialog ndërmjet dy shteteve, që ka për qëllim:

mirëqenien e qytetarëve,

paqen në rajon, dhe

përshpejtimin e integrimit në BE.

Ideja e korrigjim të kufijve i vendos këto synime në pritje, i bënë këto synime konfuze.

Korrigjimi i kufijve është korrigjim i Deklaratës së Pavarësisë.

2) Kundërshtimi ynë për korrigjimin e kufijve është legjitim dhe kushtetues.

Ky kundërshtim është në funksion të mbrojtjes së integritetin territorial të Kosovës.

Ky kundërshtim e mbron Kosovën nga Presidenti, por edhe Presidentin nga vetja e tij.

3) Propozim i Presidentit që të dialogohet me Serbinë pa ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-ve, si koordinatorë dhe garantues të këtij procesi, nuk siguron asgjë.

Pas dy dekadave përpjekjesh për paqe dhe stabilitet, bazuar në garancat nga BE dhe SHBA, kjo qasje është gjeo-politikisht e dëmshme për Kosovën dhe rajonin dhe na kthen prapa.

4) Në kohën kur do të duhej të ishim të bashkuar, me gjithë dallimet që kemi, propozimi për korrigjim të kufijve na ka dobësuar në raport me Serbinë. Thaçi është afruar me Vuçiqin, por na ka larguar neve nga njëri tjetri.

5) Duke refuzuar propozimin për korrigjim të kufijve, ne i mbrojmë serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera.

Me këtë refuzim, ne mbrojmë edhe shtyllat e shtetësisë tonë, që bazohen në parimet liberal-demokratike.

Me këtë refuzim ne mbrojmë dhe gjeo-politikat euro-atlantike në rajon, dhe kjo është jetike për qenësinë e shtetit tonë.

Të nderuar deputetë,

Jam i sigurt se të gjithë pajtohemi se dialogimi për kufijtë:

Do të thotë dorëzim para politikave mohuese të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës.

I rrezikon arritjet që i kemi bërë me mbështetje të aleatëve në dy dekadat e fundit.

Dialogimi për kufijtë i vë në dyshim themelet e shtetit të Kosovës.

Rishikimi kufijve nënkupton ri-bërjen e shtetit të Kosovës nga fillimi.

Prandaj, para se të nisim çdo gjë nga fillimi, më mirë është t’i japim fund njëherë e mirë këtij propozimi antikushtetues të Presidentit, sot këtu në Kuvendin e Kosovës.

Andaj, të nderuar deputetë,

Pas debatit, Kuvendi duhet të miratojë rezolutën me vetëm një pikë:

“Territori i Republikës së Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe as Presidenti i Kosovës, e askush tjetër, nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës së Kosovës”.

Me votën tonë për këtë rezolutë ne:

Krijojmë siguri për qytetarët e vendit,

Dërgojmë mesazh miqësor tek partnerët tanë se:

populli i Kosovës nuk ka vullnet të hapë këtë temë, si dhe

një kërkim falje për këtë episod jo serioz të Presidentit,

Dërgojmë mesazh tek shqiptarëve në Luginën e Preshevës se do të kërkojmë të drejtat e tyre, duke aplikuar parimin e reciprocitetit,

Dërgojmë mesazh tek Serbia se pajtimi nuk bëhet me platforma të tilla për copëtim të Kosovës.

Me këtë rezolutë ne vendosim një vijë të kuqe, më të rëndësishmen, në kuadër të dialogut me Serbinë.

Rezoluta nuk ka për qëllim ndalimin e dialogun.

Dialogu duhet të vazhdojë, pas zgjedhjeve të reja, nga institucione legjitime, që flasin në emër të shumicës së qytetarëve të Kosovës, dhe dialog që bazohet në parime të qarta dhe vija të kuqe.

Dhe, mbi të gjitha, një dialog që është gjithëpërfshirës.