Kurti bartës i listës, kushti i VV-së për koalicion me LDK-në

30 October 2018 20:27
23:24

Albin Kurti vazhdon të mbetet figura kryesore e partisë që e themeloi dhe vazhdon ta drejtojë. Nënkryetari i tij, Besnik Bislimi në Rubikon të KTV-së bëri të ditur se janë të hapur për koalicion parazgjedhor me LDK-në, por me kushtin që lideri i VV-së, t’i prijë listës zgjedhore.

I pyetur se kush duhet t'i prijë kësaj liste, Bislimi përshkroi liderin e tij, kryetarin e VV-së, Albin Kurtin.

“Dikush i cili në masa perceptohet se ka kapacitetin dhe vullnetin që të ballafaqohet me problemet që i ka Kosova”, ka thënë Bislimi.

“Ajo që ne kemi thënë është se nëse ne duam ta dërgojmë mesazhin se ky bashkëpunim nuk ka vetëm dërgimin e PDK-së në Kosovë por ndryshimin e qeverisjes në Kosovë, ai duhet të jetë i menduar mirë dhe minimumi dy mandate qeverisëse”.

“Qartësia se si do të duket qeveria e ardhshme ka me dal në atë moment kur Lidhja Demokratike e Kosovës vendos a do të hyjë në koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje apo jo”, ka thënë ai.

Në rast se LDK vepron ndryshe, pra nuk bën koalicion me VV-në, sipas Bislimit, ata tërthorazi tregojnë qëllimin e tyre.

21:07

Bislimi thotë se në Komunën e Prishtinës ka korrupsion

Shpend Ahmeti po synon postin e kryeministrit dhe si rrjedhojë nuk ka kohë për të qeverisur me Prishtinë. Këtë për Rubikon të KTV-së e ka thënë nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Besnik Bislimi.

“Ka korrupsion progresiv përmes pagesave informale që i kanë bërë dhe që dallojnë me ndërtimet që bëhen”, ka thënë Bislimi për qeverisjen e Ahmetit duke i drejtuar gishtin ndërtimeve pa leje.

“Nuk po them që pagesat janë regjistruar dhe i kanë sjell te ne, qytetarët e Prishtinës brengosen edhe tregojnë”, ka thënë Bislimi.

20:27

Bislimi: Opozita ka votat për rezolutën kundër Thaçit

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi në një intervistë për Rubikon të KTV-së, ka thënë se sipas të gjitha zhvillimeve të deritashme, ata i kanë numrat e mjaftueshëm për të kaluar rezoluta që pamundëson presidentin Hashim Thaçi të të dialogojë çështjen e kufirit me Serbinë në Bruksel.

“E kemi një rezolutë një faqe, e ka vetëm një pikë, përfshirë edhe presidentin, ku ja ndalon të diskutojë për çështjet territoriale të vendit. Do të ishte shumë hipokrite nëse një grup parlamentar refuzon të votojë për ruajtjen e territorit të vendit”, ka thënë Bislimi.

“PDK është e gatshme të votojë gjithmonë, nesër në ora 9 thërrasin mbledhje, zakonisht punët e tilla PDK-ja i bën natën, kështu që duhet të presim”, ka thënë ai.

Në mënyrë paralele më votimin e rezolutës, opozita pret që të ndodh një bilanc i asaj çka ka ndodhur dhe të shkohet në zgjedhje.

“Duhet të shkojmë në zgjedhje në mënyrë që ta votojmë ekipin negociator. Nuk mendoj që kjo qeveri mund ta formoj ekipin”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme