Shërbimi Korrektues i Kosovës, kërkon të jetë i barabartë me rroga me Policinë e Kosovës dhe për këtë ka kërkuar mbështetjen e Komisionit për Legjislacion, me të cilin ka diskutuar rreth Projektligjit për Paga.
Frashër Rracaj nga Sindikata e Shërbimit Korrektues të Kosovës, ka thënë se përveç që nuk u ofrohen kushte të mira të punës, ata edhe llogariten si shërbyes civilë, raporton KTV.
Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, ka mbështetur deklarimet e Rracajt duke theksuar se Shërbimi korrektues është në gjendje të mjerueshme .
Kërkesën e Rracajt për përfshirjen e tyre në Projektligjin për Pagat, e kanë përkrahur edhe anëtarët tjerë të Komisionit për legjislacion.
Ndryshe, Komisioni ka shqyrtuar edhe plotësim ndryshimin e projektligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
Haxhiu është shprehur se Vetëvendosje nuk e përkrah këtë plotësim ndryshim, ngase Kosova nuk ka regjistrat origjinalë kadastral, duke shtuar se një shtet sovran nuk mund të punojë me kopje.
Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj ka deklaruar se regjistrat kadastralë nuk i ka marrë Serbia, por administrata e Millosheviqit
Komisioni po ashtu ka shqyrtuar edhe raportin me rekomandime të Avokatit të Popullit, i cili ka vlerësuar se është e padrejtë të kushtëzohet regjistrimi i automjetit dhe ndërrimit të pronarit me shlyerjen e gjobave të papaguara.
Anëtari i Komisionit, Korab Sejdiu, tha se ky është cenim i pronës për kushtëzimin e regjistrimit të automjetit dhe ndërrimit të pronarit me shlyerjen e gjobave të papaguara për kundërvajtje në trafikun rrugor.