Arbëri

Ahmeti në takim me Haradinajn thotë se PSD-ja mbetet pro qëndrimit për rrëzim të Qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria do të vazhdojë ta përkrahë Komunën e Prishtinës, pa marrë parasysh se kush e drejton atë.

Gjatë takimit me të parin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, është diskutuar për shumë çështje e ndër të tjera edhe për liberalizimin e vizave ku Haradinaj ka kërkuar nga të gjitha partitë që të mos japin mesazhe pesimiste, raporton KTV.

“I kemi disa vështirësi përballë nesh dhe tani jemi të fokusuar te 20 nëntori, INTERPOL-i. Është temë që do të diskutohet më herët dhe është mirë ta kemi fokusin aty. Mendoj se para ndërrimit të moteve do ta marrim edhe një lajm të mirë për liberalizimin e vizave”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, Ahmeti ka thënë se PSD-ja u ka dërguar letër të gjitha partive socialdemokrate evropiane, në mënyrë që të lobojnë te qeveritë e tyre për votim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Por, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, që njëherësh është kryetar i PSD-së, ka thënë se partia e tij vazhdon të mbajë qëndrim të njëjtë për rrëzimin e Qeverisë aktuale.

Partia Socialdemokrate kohë më parë ka ofruar nënshkrimet e 12 deputetëve për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Haradinaj.