Arbëri

VV kërkon dorëheqjen e krerëve shtetërorë “për mashtrimin e tyre me liberalizim të vizave”

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur shqetësim për çështjen e liberalizimit të vizave.

Deputetja e kësaj lëvizjeje, Fitore Pacolli, në një konferencë për media, ka thënë se përgjegjësia për mos-liberalizim të vizave nuk duhet të bie tek qytetarët dhe BE-ja, por përgjegjësi duhet të mbajnë institucionet e vendit.

Sipas saj, tani është momenti që t’u kërkohet përgjegjësi publike individëve të cilët kanë manipuluar e zhvatur qytetarët dhe që kanë sjellë vendin në këtë situatë të rëndë ekonomike e politike.

“Hashim Thaçi, i cili fillimisht si kryeministër e pastaj si ministër i Punëve të Jashtme, e më pas si president, nga viti 2009 e deri më sot ka manipuluar me qytetarët e Kosovës. Ramush Haradinaj, i cili u bë kryeministër duke premtuar liberalizimin e vizave brenda 90 ditëve dhe i cili në emër të vizave i fali Malit të Zi 8.200 hektarë tokë, po ashtu, ministri Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, dhe ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha, duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të japin dorëheqje për situatën e krijuar”, ka theksuar ajo, raporton "Koha Ditore".

“Kemi informata se disa shtete të cilat kemi pritur që janë për, Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda, janë kundër liberalizimit e të mos flasim për shtete tjera të vogla që ndjekin rrugën e Gjermanisë dhe Francës. Por këtë po e fsheh Qeveria”, ka thënë Pacolli.

E deputetja tjetër e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se që nga viti 2015, klika e PDK-së, në vazhdimësi kanë propaganduar se Lëvizja Vetëvendosje për shkak të kundërshtimit të demarkacionit me Malin e Zi po e pengon liberalizimin e vizave dhe po i mbanë të izoluar qytetarët e Kosovës.

Sipas saj, “klika e PDK-së, dhe ca të tjerë të lidhur me ta për shkak të interesave personale, biznesore e klienteliste, por edhe disa të tjerë që janë në pushtet prej subjekteve tjera politike, propagandonin se në momentin që votohet demarkacioni do të ketë liberalizim vizave”.

“Ky regjim keqpërdorte në mënyrë absurde edhe BE-në për ta goditur Vetëvendosjen. Tani pas votimit të demarkacionit janë kthyer me sharje në drejtim të BE-së siç ishin deklaratat skandaloze të zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj që BE është albanofobe. Për papërgjegjësinë e tyre, krimin e korrupsionin e tyre, po mundohen të ja hedhin fajin herë opozitës, herë BE-së e herë qytetarëve”, ka thënë ajo.