Haradinaj thotë se Ushtria e Kosovës do të jetë si çdo ushtri e botës Foto: RamushHaradinajOfficial/Fb

Haradinaj thotë se Turqia s’i ka kërkuar atij deportimin e “gylenistëve”

20 tetor 2018 18:30
18:36

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu dje dhe sot ka qëndruar në Kosovë, ku gjatë një konference për media me homologun e tij kosovar, Behgjet Pacolli, ka kërkuar nga institucionet kosovare që t’ua dorëzojë “gylenistët”, të cilët i ka quajtur terroristë, dhe njëherësh u ka bërë thirrje kosovarëve që të mos i dërgojnë fëmijët në shkollat e Fetullah Gylenit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është pyetur nga KosovaPress se si do të veprojë kundrejt kësaj kërkese të shtetit turk, mirëpo ai tha se një gjë e tillë nuk është përmendur në takimin e tyre. Megjithatë, pas insistimit të KosovaPress-it, Haradinaj tha se në rast se Turqia i kërkon një gjë të tillë, do të veprojnë konfrom Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Është mirë që ta vlerësojmë këtë që po them, për shembull, na s’kemi pas bisedë, por unë mund të flas hipotetikisht, por s’parashihet ashtu, në rast se kemi kërkesa, ne e zbatojmë Kushtetutën, ligjet e Kosovës. Kemi respekt për Republikën e Turqisë, dihet kjo. Unë përgjigjen e kam po ashtu konkrete, nuk kemi pas kërkesë të tillë. Në rast së kërkohet, atëherë flasim, kur të na kërkojnë, flasim. Por sot nuk e kam pas një kërkesë të tillë, sot nuk ka qenë pjesë e diskutimit”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa sa i përket takimit që ka pasur sot me ministrin e Jashtëm turk, Haradinaj tha se ishte takim pune lidhur me bashkëpunimin mes dy vendeve, e njëherësh konfirmoi se Kosova ka votën e Turqisë për në Interpol.

“Ka qenë një bisedë shumë e frytshme, pra për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë, bashkëpunimin e gjithanshëm në siguri, në politikë, në ekonomi edhe në planin e jashtëm. E kam kërkuar ndihmën për Kosovën në Interpol dhe disa procese të tjera ndërkombëtare të rëndësishme, e kemi marrë premtimin se Republika e Turqisë do ta përkrahë Kosovën me votë në Interpol edhe me përkrahje pikërisht për këtë temë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, këtë vit gjashtë shtetas turq u deportuan nga Kosova në Turqi me bashkëpunim të të dy vendeve. Në mesin e tyre, ishin pesë mësues dhe një mjek. Pas këtij rasti, ishte shkarkuar ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe drejtori i AKI-së, Driton Gashi.

Sipas njohësve të ligjit, ky veprim u quajt shkelje e Kushtetutës.

18:30

Haradinaj thotë se Ushtria e Kosovës do të jetë si çdo ushtri e botës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se ushtria e Kosovës nuk e ka asnjë element më të vogël në mandat se sa ushtritë e vendeve në botë dhe është mbrojtëse.

Haradinaj gjatë takimit me strukturat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Obiliq, tha se janë duke punuar intensivisht që liberalizimi i vizave të ndodhë brenda këtij viti.

Ai përmendi edhe Ligjin për Paga, për të cilin tha se ka një kosto prej 80 milionë eurosh. Kurse, sa i përket Ushtrisë së Kosovës, Haradinaj tha se kjo ushtri nuk ka asnjë element që i mungon nga ushtritë e vendeve të tjera.

“Iu siguroj, Ushtria e Kosovës nuk e ka asnjë element më të vogël në mandat se sa ushtria e Kinës, e Amerikës, e Gjermanisë apo e kujt të doni. Asgjë në mandat mangu nuk ka. Në cilindo vend të botës, në ushtrinë e atij vendi, kurrë një mandat më pak nuk e ka, kurrë një element në mandate. Është mirë që shprehen se është ushtri mbrojtëse, se popujt që kanë ambicie agresive e sulmuese, ata nuk i bëjnë mirë vetes, por është ushtri si çdo ushtri e botës. Për çdo pëllëmbë të Kosovës, është ushtri e Kosovës... çdo pëllëmbë, a kenë në veri, në jug, në lindje a në perëndim dhe kjo është e vërteta e saj dhe jo vetëm kaq, e kemi bekimin e aleatëve kryesorë të vendit tonë, të aleatëve më të fuqishëm në sigurinë në botë”, ka thënë Haradinaj, raporton Kosovapress.

Sipas tij, ushtria ka deklaratë financiare, buxhet të paraparë dhe dinamiken e vet.

Kryeministri Haradinaj po ashtu u zotua para anëtarëve të AAK-së se asnjëherë nuk do ta dëmtojnë vendin për interesa të partisë.

“Nuk i bëjmë dëm vendit ose të këqija për interesat tona, të partisë, kurrë s’do ta bëjmë këtë, po do t'i bëjmë shumë të mira vendit, qoftë edhe duke mos menduar në vetvete në parti. Kjo është e rëndësishme, se me kalimin e kohës qytetari ynë do ta identifikojë, do ta vërejë këtë. Unë bëj 20 vjet në politikë dhe nuk mendoj që i kam bërë të këqija vendit për interes të Aleancës”, ka thënë Haradinaj.

I pranishëm ishte edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili tha se shteti nuk mund të zhvillohet pa infrastrukturë të zhvilluar dhe njoftoi se vetëm këtë vit janë investuar afro 3 milionë e gjysmë euro në infrastrukturën e komunës së Obiliqit. Ai përmendi edhe disa nga investimet që ka bërë ministria që ai drejton.

Kurse, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi ka thënë se me pesë milionët që do të fitojë nga Ligji i Obiliqit, katër milionë prej tyre do të shkojnë në projekte kapitale, kurse pjesa tjetër për subvencione, mallra e shërbime.

Ndër të tjerash, Gashi tha se prej tetë bursash sa ofronte kjo komunë për studentët, tani ka arritur në 169.

Prej tyre, 2 bursa do të ndahen për doktoraturë, 6 për mastër, 100 për studentë, 60 për nxënës të shkollave të mesme, si dhe çmimi “Adem Preniqi” për studentin më të mirë të kësaj komune.

“Do të fokusohemi shumë te ambienti, kemi tri projekte madhore në ambient, laboratorin për matjen e ndotjes së ambientit që të raportojmë te qytetarët çdo 24 orë për gjendjen faktike, pastaj kemi rreth 600 mijë euro për parqe, drunj, e kemi edhe projektin për nxemje qendrore që shpresoj se në fillim do të jetë 530 mijë euro e kështu me radhë”, ka thënë Gashi.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme