Ambasadori norvegjez në Beograd thotë se Kosova ka të drejtë ta ketë Ushtrinë e vet Foto: Tanjug

Ambasadori norvegjez në Beograd thotë se Kosova ka të drejtë ta ketë Ushtrinë e vet

20 tetor 2018 18:06

Ambasadori norvegjez në Beograd, Arne Bjornstad, ka thënë se Kosova ka të drejtë në formimin e ushtrisë së vet.

Ai ka theksuar se, në këtë rast, Kosova duhet pasur parasysh edhe qëndrimin e pakicave si dhe procedurat ligjore.

Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, Bjornstad ka thënë po ashtu se vendi i tij mbështet dialogun mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, si dhe arritjen e një marrëveshjeje normalizimi që nuk cenon stabilitetin e Ballkanit Perënidmor, por e bën atë më atraktiv për investime.

“Norvegjia dëshiron që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, sepse është e mirë për të dyja palët”, ka thënë Ambasadori Bjornstad, transmeton Koha.net.

Ai theksoi se secila marrëveshje “duhet të merr parasysh stabilitetin e rajonit” dhe se qëllimi i marrëveshjes do të duhej të ishte krijimi i një ambienti të qëndrueshëm për investime.

Duke u ndalur tek Ushtria e Kosovës, ambasadori ka thënë se Norvegjia, si një vend që njeh pavarësinë e Kosovës, mendon se Kosova, si çdo vend tjetër sovran, ka të drejtën të vendosë vet për formimin e ushtrisë së vet, rrjedhimisht për transformimin e FSK-së në ushtri.

“Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kurse Norvegjia, sikurse SHBA-ja dhe shumica e shteteve anëtare të BE-së, e njohin. Ne as nuk e mbështesim e as nuk e mbrojmë Kosovën që të formojë ushtrinë e saj, sepse mendojmë se ata vet duhet të vendosin për këtë”, tha ambasadori norvegjez.

Ka shtuar se Prishtina, në procesin eventual të formimit të Ushtrisë së Kosovës, duhet të merr në konsideratë të gjitha pakicat kombëtare dhe respektimin e procedurave ligjore.

“Ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë [të formojnë ushtrinë], por duke respektuar procedurat ligjore dhe marrjen parasysh të qëndrimeve të pakicave tjera, e mbi të gjitha të serbëve të Kosovës”, deklaroi Ambasadori Bjornstad.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme