Blakaj tregon pse kishte dështuar procesi gjyqësor i Vasfije Krasniqi-Goodmanit

Blakaj tregon pse kishte dështuar procesi gjyqësor i Vasfije Krasniqi-Goodmanit

17 October 2018 23:55

Bekim Blakaj nga organizata “Fondi për të Drejtën Humanitare” ka treguar në detaje procesin e zhvilluar ndaj dy të dyshuarve për përdhunimin e Vasfije Krasniqi-Goodmanit, gjatë luftës në Kosovë.

Në Interaktiv të KTV-së, Blakaj ka treguar se të dyshuarit Jovica Dejanoviq dhe Gjorgje Bojkoviq ishin liruar me arsyetimin se procedura e identifikimit të tyre nga viktima nuk ka qenë sipas standardeve.

Hetimet për këtë rast kishin nisur më 2012. Blakaj ka thënë se s’dihet akoma pse UNMIK-u s’kishte hetuar rastin edhe pse viktima e kishte paraqitur atë shumë kohë më herët. Blakaj ka treguar se në prill të vitit 2013 kishte nisur dhe kishte përfunduar i gjithë procesi në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Themelorja i kishte shpallur Dejanoviqin dhe Bojkoviqin të pafajshëm, teksa Blakaj thotë se kjo kishte ardhur për shkak të një lëshimi të hestuesve.

Një përdhunues i Vasfije Krasniqit ka shërbyer 16 vjet në Policinë e Kosovës

“Patën dalë të pafajshëm. Ishim habitur. Ne mendojmë se dëshmitë janë përputhur me njëra-tjetrën dhe të gjithë dëshmitarët e identifikuan të akuzuarin e parë Dejanoviq dhe të dytin vetëm viktima. U vendos që padyshim ka pasur krim dhe se ajo kishte përjetuar dhunën seksuale. Më 14 prill 1999 ajo është marrë nga fshati i vet dhe ishte përdhunuar, por sipas panelit gjyqësor nuk pati prova bindëse, edhe pse dëshmitarët e akuzuan Dejanoviqin se e kishte marrë viktimën dhe se ka qenë i uniformuar. Ka pas edhe familjarë edhe fshatarë. Paneli gjyqësor erdhi në përfundim se procesi i identifikimit përmes fotografive s’ka qenë sipas standardeve dhe ky ishte dështim i hetuesve. Është dashur të jenë më shumë fotografi, por është dashur t’i thuhet viktimës se i dyshuari mund të ndodhet apo të mos ndodhet në këto fotografi e nuk është e domosdoshme të identifikojë. Hetuesi që ishte prezent kur iu ofruan fotografitë është dashur të mos e dijë cili ka qenë kryerësi i krimit. Kjo ka ndikuar në aktgjykimin lirues, ndërsa për të dyshuarin e dytë edhe procedura ishte e ngjashme. Disa herë viktima në deklarata ka përmendur se ka qenë person i vjetër dhe në disa raste nuk është përputhur mosha që ajo ka thënë. Njëherë ishte 50–60 vjeçar dhe pastaj 60–70 vjeçar. Në mesin e fotografive për të dyshuarin e dytë ishte vetëm një e një të moshuari dhe të tjerët ishin të rinj e kjo sipas panelit gjyqësor ishte gabim dhe se sipas tyre për këtë ajo e kishte akuzuar Bojkoviqin”, ka thënë Blakaj.

Sipas Blakajt, në situatën në të cilën kishte ndodhur rasti, kur Krasniqi-Goodman ishte vetëm 16-vjeçare, është normale të mos ketë përputhje të plotë të mendimeve për moshën e kryerësve të veprës. Për këtë ka thënë se paneli gjyqësor është dashur të gjejë prova të tjera për identitetin e kryerësve dhe të mos dalë me vendim duke i shpallur të pafajshëm.

Pas këtij vendimi, prokuroria ishte ankuar dhe Gjykata e Apelit kishte thënë se lëshimet ishin normale dhe të vogla dhe s’kanë ndikuar në proces të identifikimit. Dejanoviqin e kishte dënuar me 12 vjet burgim, ndërsa Bojkoviqin me dhjetë.

Pas vendimit të Apelit, mbrojtje ishte ankuar dhe kishte kërkuar shqyrtim të rastit nga Supremja. Supremja kishte sjellë vendimin e njëjtë me Themeloren.

“I shfajësoi me vendimin se provat nuk ishin bindëse dhe se arsyetimi ishte i njëjtë. Procedura e identifikimit të kryerësve të krimit s’ishte në përputhje me standardet. Paneli në Supreme mendoi se nuk ka prova përtej dyshimeve të bazuara që t’i gjykojë. Janë liruar dhe vendimi u bë final më 2014”, ka thënë më tej Blakaj.

Sipas Blakajt, vendimi i tillë në këtë rast dekurajon viktimat tjera. Ai ka thënë se shfajësimi i të dyshuarve në këtë rast, mbyll dyert për viktimat tjera që kanë shpresuar në drejtësi.

Njëri nga të dyshuarit, Dejanoviq ishte pjesë e Policisë së Kosovës për 16 vjet, ndërsa ishte larguar nga vendi i punës në qershor të vitit të kaluar. Sipas Blakajt, edhe viktima e kishte njohur kur e kishte parë në uniformë të policisë.

“Viktima e ka ditur se është polic sepse e ka përmend se pas përfundimit të luftës ka qenë në një dyqan në Vushtrri dhe e ka pa me uniformë të policisë e ka njohur se ky është ai që ka kryer përdhunimin”, ka shtuar ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme