1 perditesime
21:51

“Në Kosovë, s’ka kontroll e s’ka cilësi të naftës”

Jakup Gashi, laborant i cilësisë së naftës, ka thënë se në importim të derivateve bëhen shkelje e falsifikime të shumta. Sipas tij ka mbi 60 mijë raste të falsifikimeve në import të naftës në Kosovë.

Ai ka thënë në Rubikon të KTV-së se s’ka kompani të naftës në Kosovë e që s’është gjobitur të paktën një herë që nga viti 2011. Sipas tij, kjo dëshmon që në Kosovë s’ka kontrolle e s’ka cilësi të naftës.

“Çdo kund kontrollohet para importit, para zhdoganimit kontrollohet nëse është konform procedurave, legjislacionit ose udhëzimeve administrative dhe zhdoganohet. Nëse nuk është, kthehet prapa. Ky është qëllim i përfitimit të kompanive të naftës. Menaxhohet që nga viti 2011, e ka futur Mimoza Kusari përmes trupave inspektuese. Është manipuluar përmes trupave inspektuese. Është hetim që është bë është vërtetuar nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës. Mbi 60 mijë certifikata të mija janë falsifikuar. Çdo import që është futur në Kosovë kanë shkruar se ky derivat është futur konform specifikacioneve apo testeve të bëra në laboratorin ‘Sierra-Lab’. Gjë që s’është bërë. Kanë falsifikuar rreth 60 mijë, trupat inspektuese gjatë importit, për qëllim të përfitimit sepse s’është kontrolluar produkti e është lëshuar certifikata pa bërë teste fare. Prokuroria po merret me këtë”, ka thënë ai.

Sipas tij, ka raste kur as vetë importuesit nuk e dinë se çfarë produkti po importojnë.

21:28

Molliqaj thotë se me importimin e veturave më të vjetra fiton një kompani private e jo shteti

Dardan Molliqaj, deputet i Partisë Socialdemokrate, thotë se lejimi i importimit të veturave deri në 15 vjet të vjetra, do të sjellë përfitime për kompaninë që do të marrë përsipër vendosjen e standardit Euro 4 në veturat që vijnë pa të në Kosovë.

Sipas tij, përfitues nuk do të jetë shteti, por pozita po synon t’i sjellë fitime një kompanie private, apo kompanisë Devolli që tash merret me homologim të veturave.

“Ideja është që me ia vendosë standardin Euro 4 edhe veturave që s’e kanë. Do të thotë e blen veturën lirë, dhe me 200 euro ekstra ia vendos standardin Euro 4. Por kush është përfituesi më i madh, kompania ekzistuese e homologimit ose ajo e re që do t’i ndahen paramendojeni për çdo veturë që s’ka këtë standard nga 200 euro. Ne e dimë çfarë përfituesi i madh është kompania Devolli që ka homologimin dhe ka monopol. Krejt ky çmim i lartë që mbahet në mënyrë arbitrare, jo prej konkurrencës dhe tregut, imponohet nga institucionet e shtetit për me e marrë një kompani private, pra nuk e merr shteti”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.