Arbëri

Mobilizohet Drenasi në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”

Në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, edhe Komuna e Drenasit në bashkëpunim me gjitha institucionet publike dhe OJQ-të, kanë pastruar hapësirat publike në komunën e Drenasit, ku janë grumbulluar mbeturina në të gjitha institucionet publike dhe në të gjitha vendbanimet e komunës.

Përmes një komunikate për media bëhet se pastrimi është bërë duke filluar nga qendra e Drenasit dhe vazhduar përgjatë aksit rrugor Drenas -Skenderaj, Drenas-Komoran, Drenas-Malishevë (përgjatë autostradës Prishtinë-Pejë) dhe Drenas–Shtime.

Në këtë aktivitet morën pjesë: kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe kryesuesi i Kuvendit, Labinot Halilaj, nënkryetari i Komunës, Gani Sylaj, shefi i Kabinetit, Flamur Curri, drejtorë të Drejtorive Komunale dhe zyrtarë komunal, përfaqësues nga KFOR-LMT K9 në Drenas, pjesëtarë të Stacioni Policor në Drenas, Kryqi i Kuq, Shërbimi i Zjarrfikësve, Bashkësia Islame, punëtorë të Qendrës Kryesore e Mjekësisë Familjare, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, Klubet e Gjelbërta në Drenas, Green Art Center-Prishtinë, CEAD dhe OJQ që veprojnë në Drenas, vullnetarë dhe qytetarë të shumtë.

Me këtë rast, Lladrovci i përshëndeti dhe i falënderoi të gjithë vullnetarët që iu bashkuan këtij aksioni.

“Si rezultat i implementimit të këtij projekti nga komuna, ne do të shpërblehemi me grand i cili është i paraparë të ndahet nëpër komuna të Kosovës dhe grandi i përgjithshëm është në vlerë prej 1.2 milion euro” theksoi Lladrovci.

Ai gjithashtu tha se, “sot, me bashkëpunëtorë iu bashkova aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” sepse mjedisi i pastër është treguesi themelor se çfarë jemi e sa punojmë për të tashmen e të ardhmen e qytetarëve dhe vendit tonë. Ta mbajmë mjedisin dhe vendin tonë të pastër çdo ditë, sepse, çdo ditë jemi këtu dhe e duam atë çdo ditë, ujin, ajrin, tokën!”

Aksioni ka filluar nga sot, më 15 shtator 2018 në grumbullimin e mbeturinave ndërsa më 17 shtator 2018 do të filloj eliminimi i deponive të egra në të gjitha vendbanimet e Komunës së Drenasit dhe do të vazhdon deri me 30 shtator 2018, për implementimin e këtij projekti.


Edhe Skenderaj i bashkohet aksionit të pastrimit

16:45 - Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Pastrimit të Ambientit, në komunën e Skenderajt është zhvilluar aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, iniciative kjo e Kryeministrisë.

Zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Musliu, tregoi se kishte qenë i pranishëm në qytetin e Skenderajt gjatë këtij aksioni. Ai tha se në këtë qytet gjithçka kishte qenë e organizuar.

“Ne ishim që në mëngjes në komunën e Skenderajt dhe këtu, nën udhëheqësin e kryetarit të komunës pamë një organizim të shkëlqyer, kishte persona nga niveli qendror, nga niveli lokal, domethënë ishte organizuar gjithçka, shkollat, stafi i komunës, të gjithë punëtorët”, ka thënë Musliu.

Musliu ka përmendur nevojën për krijimin e një fushate për vetëdijesimin e të rinjve në mënyrë që mbeturinat të mos hidhen pa kontroll, transmeton kp.

“Përveç pastrimit, ne duhet të kemi një fushatë vetëdijësuese, veçanërisht nëpër shkolla, në mënyrë që në të ardhmen të mos të ndodhin hedhje pa kontroll, kuturu, domethënë, jam për një edukim, për një vetëdijesim të brezave në mënyrë që të kemi një ambient sa më të pastër dhe sa më të shëndetshëm”, ka thënë Musliu.

Ai ka thënë se nuk mjafton një herë në vit që të punohet për pastrimin e ambientit, por ka bërë thirrje që qytetarët të jenë të vetëdijshëm dhe të kujdesshëm çdo ditë për një ambient të pastër, të cilin e ka quajtur domosdoshmëri për çdo shtet.

“Unë besoj se çdo qytetar i Kosovës duhet të jetë i vetëdijshëm për rëndësinë e pastërtisë së ambientit, sepse sot, pothuajse në gjithë botën, veçanërisht në qytetet në zhvillim, më nuk është nevojë që ambienti të jetë i pastër, por është domosdoshmëri. Domethënë, nuk mjafton të punojmë për ambientin një here një vit, po duhet çdo ditë të jemi të kujdesshëm dhe të vetëdijshëm se ambienti është shtëpia jonë e përbashkët”, ka thënë Musliu.

Musliu ka njoftuar se përveç punëtorëve të komunës dhe qytetarëve, këtij aksioni i janë bashkangjitur edhe pjesëtarë të FSK-së dhe të Policisë, të cilët i ka falënderuar për kontributin.


FSK-ja me trupa e makineri në aksionin për pastrimin e Kosovës

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha ka shprehur mirënjohjen, si dhe ka përgëzuar të gjithë pjesëtarët që janë angazhuar në detyra të ndryshme në kuadër të mbështetjes së aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”.

Ai me këtë rast edhe një herë iu bëri ftesë të gjithë pjesëtarëve të MFSK-së dhe FSK-së dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, që edhe individualisht të ndihmojnë këtë aksion në mjediset ku jetojnë.

Në këtë aksion, përveç forcës njerëzore, FSK ka angazhuar një numër të madh të mjeteve teknike xheniere, makineri, mjete transporti, si dhe forcë njerëzore në 7 komuna të Kosovës.

Image

Lekaj: Ta pastrojmë Kosovën dhe ta mbajmë të pastër

14:35 Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, bashkë me stafin e Ministrisë së Infrastrukturës morën pjesë në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën” i organizuar nga Qeveria e Kosovës.

Lekaj tha se ky aksion është mesazh që të ruhet Kosova e pastër dhe e zhvilluar, mesazh për qytetarët që të mos hedhin mbeturinat aty ku nuk duhet e sidomos kompanitë e ndërtimeve të mos i hedhin mbeturinat e ngurta përgjatë brezit rrugor dhe aty ku ndalohet. Kryeministri Haradinaj dhe Qeveria e Kosovës nga sot e tutje nuk do ta tolerojnë që Kosova të mbulohet nga mbeturinat siç ka ndodhur përgjatë 20 viteve të shkuara.

Ministria e Infrastrukturës, ka angazhuar sot ekipe në 8 rajone të vendit me 20 pika takimi dhe mbi 400 zyrtar të saj, të cilët kanë kontribuar në pastrimin e vendit.

Image

14:00 -Në aksionin e pastrimit, gjendet kuleta me mbi 500 euro që pronarit i kishte humbur para një muaji

Vullnetarët të cilët sot po marrin pjesë në aksionin ‘Ta pastrojmë Kosovën’ gjatë pastrimit në fshatin Zhegoc të Gjilanit kanë gjetur një kuletë me mbi 500 euro brenda dhe të njëjtën ia kanë kthyer pronarit, të cilit i kishte humbur rreth një muaj më parë.

“Gjatë aksionit ta pastrojmë Kosovën, në fshatin Zhegoc të Komunës së Gjilanit, është gjetur një kuletë brenda së cilën ishin 500 euro. Mësuesit e shkollës në Zhegoc e kishin gjetur kuletën dhe kishin njoftuar pronarin ta merrte”, ka njoftuar një qytetar nga Gjilani, i cili ka dërguar edhe disa foto.

Image
Image

Obiliqi nis aksionin e pastrimit, kryetari premtoi pyllëzimin e komunës

13:56 Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën” ka nisur edhe në komunën e Obiliqit. Aty, po pritet që brenda tre muajsh largohen të gjitha deponitë ilegale dhe mos të lejohet të krijohen të tilla.

Përfaqësuesit komunal në Obiliq kanë thënë se do të punojnë edhe për ngritjen e vetëdijes qytetarë në mënyrë që vendi të marrë një pamje tjetër, pa mbeturina, transmeton kp.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi ka dalë sot në teren që t’i bashkohet iniciativës për pastrim.

Gashi bëri të ditur se ka kompani të kontraktuara që do të merren me pyllëzimin e të gjitha zonave që do të pastrohen, në mënyrë që mos të rikthehen deponitë.

“Sot është një simbolikë që do të fillojë aksioni dhe ky do të vazhdojë për tre muaj dhe shpresojmë që të gjitha deponitë ilegale, të egra, të largohen dhe do të provojmë që të ketë edhe një vetëdijesim edhe nëpër shkolla, edhe në mënyra të tjera, që mos të lejohet të krijohen përsëri ato deponi. Gjithashtu kemi kompani të kontraktuara që do të mirren me pyllëzimin e të gjitha atyre zonave ku do të pastrohen, me të vetmin qëllim që mos të rikthehen përsëri në deponi”, tha ai.

Ndërsa Njazi Gashi, që është në garë për drejtor menaxhues të Korporatës Energjetike të Kosovës(KEK) tha se aksionin do ta vazhdojnë edhe me makineri nga dita e hënë.

“KEK-u edhe këtë vit, si çdo vit tjetër e përkrah aksionin të ndihmojmë Kosovën, nga e hëna fillojmë edhe me makineri t’i bashkëngjitëm komunës në përkrahje të këtij aksioni”, tha ai.

Kujtojmë se sot në shumë vende të Kosovës, po zhvillohet aksioni për pastrimin e Kosovës nga mbeturinat, ku të përfshirë janë qytetaret, institucionet qendrore e lokale të Kosovës, dhe shoqëria civile.

Image

13:25 -Kelmendi e Gjakova i bashkohen aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”

Çikat që ia zbardhën Kosovës fytyrën në arenën ndërkombëtare, i janë bashkuar aksionit për pastrim.

Aset e xhudos, Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova janë bërë pjesë e aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, e kjo s’ka mbetur pa u fotografuar nga trajneri i tyre, Driton Kuka.

“Për një Kosovë të pastër, ta dojmë vendin tonë duke e mbajtur të pastër!
Stop hudhjes së mbeturinave vend e pa vend. Vendi duhet me vepra e jo me fjalë”, ka shkruar Kuka.

Image

13:20 Aliu: Do pastrohet gjithë Ferizaji, kemi krijuar edhe task-forcën

Këtë të shtunë edhe në Ferizaj, ka filluar aksioni “Ta pastrojmë Kosovën” vendim ky i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që ky aksion të fillon nga data 15 shtator, ndërsa do të vazhdojë deri me datë 15 dhjetor.

Këtij aksioni të gjerë i janë bashkuar kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, kryesuesja e kuvendit të komunës, Kristina Gashi-Bytyqi, drejtorë të drejtorive komunale, shoqëri civile, qytetarë të shumtë, por edhe mediat lokale.

Me këtë rast numri një i qyteti të Ferizajt, Agim Aliu, i cili i priu këtij aksioni, është shprehur se sot është dita kur po fillohet një aksion i madh, një aksion në shkallë vendi pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe duke u bashkërenduar në këto aktivitete edhe Komuna e Ferizajt, e cila tashmë ka marrë të gjitha masat, ndërsa ka formuar edhe task forcën e cila do të veprojë me planin operativ për gjatë këtyre tre muajve, në mënyrë që përfundimisht jo vetëm që të pastrojmë ambientet e ndryshme, por edhe për të ngritur vetëdijen qytetare që të jetojmë dhe të punojmë për ambiente më të pastër.

“Jemi në një mjedis që për dekada të tëra pavarësisht të aksioneve sporadike, pavarësisht projekteve të caktuara të cilat janë zhvilluar edhe nga Ministria e Planifikimit dhe e Mbrojtjes së Mjedisit, prape kemi ambiente të cilat nuk janë të bukura për syrin, por mbi të gjitha janë të dëmshme për shëndetin dhe të ardhmen tonë. Prandaj jemi këtu edhe një herë për të dëshmuar se ne nuk do të ndalemi dhe do të tregojmë vazhdueshëm qëndrueshmërinë e aksioneve tona. Ju siç po e shiheni edhe pa vendimit e Qeverisë së Republikës së Kosovës, qeverisja ime komunale, ka pas filluar të marr disa veprimet në mënyrë që kjo zonë të jetë zonë e gjelbër, zonë e pastër, sepse në fakt gjatë këtyre tete muajve të qeverisjes sime ka pasur konsistence të aksioneve që të pastrohet i gjithë ambienti i territorit të Komunës së Ferizajt dhe jo rastësisht, sot kemi ardhur tek numri i 100 deponive ilegale të cilat ne i kemi hequr ”, ka thënë Aliu.

”Sigurisht se ne mund t’i heqim edhe 100 të tjera dhe sigurisht që edhe gjatë këtyre tre muajve do të behet kjo punë, por prape do të jetë e pamjaftueshme heqja e deponive të tilla, pa një ndryshim të mentalitetit dhe pa një angazhim të të gjithë qytetarëve, për të krijuar një kulture të re, por mbi të gjitha unë po shpresoj se ashtu siç jemi sot të bashkuar, ku janë të aktivizuar afërisht 10 mijë qytetarë të profesioneve të ndryshmeve, të angazhimeve të ndryshme publike dhe civile të cilat ju kanë përgjigjur këtij aksioni dhe unë po besoj që këta 10 mijë qytetarë të angazhuar në çdo ditë të jetës se tyre, do të japin porosinë e duhur nga këto tre muaj dhe po besoj që pas 15 dhjetorit të vitit 201 8 gjithnjë e me pak do të kemi deponi ilegale dhe me pak do të kemi edhe ambiente të pa pastërta, edhe një herë po them se ne do të kemi qëndrueshmëri të punës dhe ambientit në mënyrë që të kemi sa më shum ë ambiente të pastërta, sepse Kosovë jonë që është e bukur, e gjelbertë dhe mbi të gjitha me perspektivë për nxënësit dhe fëmijët tanë”, ka thënë Kryetari Aliu, përderisa ka shtuar se në të ardhmen do të ketë edhe projekte të shumta ambinetale.

E nga ana tjetër Kenan Gashi nga shoqëria civile njëherit koordinator regjional për këtë aksion tha se në këtë aksion janë përfshirë të gjitha shkollat fillore dhe të mesme i janë përgjigjur aksionit, të gjitha institucionet lokale, por edhe qytetarët të shumtë ferizajas. Ai ka shtuar se janë mbi 350 vullnetarë që janë angazhuar për këtë ditë, por edhe punonjës të administratës komunale, punëtorë të kompanive publike dhe punonjës të institucioneve anëtarë të kësaj task-force.

Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, ka vazhduar deri në orët e vona të pasdites, ku të gjitha institucionet kanë vepruan në bazë të planit të veprimit të bërë nga task-forca e Komunës së Ferizajt.

Image

Haradinaj: Kur ta pastrojmë gjithë Kosovën, s’do lejojmë më ndotjen

11:52 Aksioni ta pastrojmë Kosovën, i cili po zhvillohet në 35 komuna dhe në të cilin po marrin pjesë mbi 100 mijë persona.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se po e nisin aksionin për ta pastruar Kosovën, pasi për dy dekada është gjuajtur mbeturina në gjithë vendin.

Image

“Për dy dekada është gjuajt mbeturina në gjithë vendin. E fillojmë dhe nuk do të ndalemi pa e kryer por pasi ta kryejmë heqjen e mbeturinave, nuk do të lejojmë të gjuhet mbeturina më kështu. Në vendin ku jemi sot do të kthehet në park, pra do të jetë një park për fëmijët dhe rininë”, ka thënë ai.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të bëhen pjesë të këtij aksioni.

“Informatat që i kemi tash, e njëjta situatë është në të gjithë Kosovën, mbi 35 komuna të Kosovës që i kanë dërguar agjendat e tyre, kryetarët e komunave janë në krye të aksionit dhe po presim që mbi 100 mijë vetë sot në tërë Kosovën të jenë pjesë e këtij aksionit të pastrimit. I bëj thirrje të gjithë të tjerëve që të bëhen pjesë e tij”, tha ai.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, tha se institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës po dëshmojnë se janë në përkrahje të iniciativave për mjedisin dhe pastërtinë, por në radhë të parë të kemi një jetë të qëndrueshme.

“Përpjekjet që do të ndërmarrim sot është fillimi i një fushate që ne duam ta ndërmarrim gjatë gjithë vitit të ardhshëm për të pasur në të dyja anët e bjeshkëve një ambient të pastër, një zonë turistike të qëndrueshme, e në radhë të parët ë kemi mirëqenie për qytetarët. Mendoj që puna për mjedisin është puna për jetën më të mirë. Andaj sot jam këtu me një grup të rinjsh nga Shqipëria që duam të mbështesim këtë aksion... Ne duhet të kemi aksione të përbashkëta që të dyja anët e bjeshkëve i paraqesin si zona të pastërta, me zhvillim të qëndrueshëm ambiental, por edhe zona me potenciale të jashtëzakonshme turistike. Do të vazhdojmë të kemi operacione të përbashkëta”, tha ai.

Luan Hasanaj nga “Let's do it Kosova”, tha se Kosova është ndër shtetet që e ka organizuar më së miri ditën e pastrimit pasi gjithë ky mobilizim është model për shumë vende në rajon dhe Evropë.

“Sot deri më tani kemi informata që aksioni ka filluar në gjithë komunat e Kosovën. Pra mbi 100 mijë njerëz janë duke pastruar kështu siç ne sot dhe kështu do të vazhdojmë për tre muaj dhe iu bëjmë apel të gjithë qytetarëve që këtë që po e bën qeveria, të cilën deri më tani e kemi kritikuar që nuk është në nivelin më të mirë të detyrës, këta po e japin provimin, tani është roli jonë që ta mbajmë Kosovën të pastër dhe ta bëjmë Kosovën një vend që të gjithë e duam”, tha ai.

Kurse, shefi i stafit të forcave të KFOR-it amerikan në Kosovë, Gjeneral brigade John Boyd, me rastin e hapjes së aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, tha se aksione të tilla janë ndërmarrë vite më parë edhe në shtetin e tij.

“Faleminderit që më ftuat sot z. kryeministër, ministër i mjedisit. Është kënaqësi të shoh gjithë këta njerëz të rinj sot këtu duke ndihmuar për të pastruar Kosovën. I tregova edhe kryeministrit, vite më parë si fëmijë i ri e kam bërë këtë edhe në shtetin tim kështu që jam i lumtur që jam sot këtu për të ndihmuar dhe le të them shkurt – Hajde ta bëjmë Kosovë!”

Ndërsa ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad ka uruar Qeverinë dhe qytetarët për iniciativën, të cilën e quajti të jashtëzakonshme .

“Faleminderit shumë, është kënaqësi për mua të shoh këtë iniciativë kaq të madhe të komunitetit dhe angazhimin. Po ashtu dua të falënderojë kryeministrin, mesazhet e dërguara nga lartë janë shumë më rëndësi, ky është top prioritet dhe jam i sigurt se Kosova e ka vullnetin që të trajtojë mbeturinat dhe ju mund të gjeni inspirim tek qytetarët e shteteve tjera që kanë kaluar në procese të njëjta. Unë ju uroj gjithë të mirat dhe fat, dhe Norvegjia do të vazhdojë të mbështes në mënyrat më të mira që mundemi, kështu që gjithë të irat dhe fat të mbarë në këtë iniciativë të jashtëzakonshme”, ka thënë ambasadori.


11:44 - Sikur në tërë vendin, edhe në Malishevë ka filluar të zhvillohet aksioni i madh i pastrimit të ambientit, i cili do të zgjasë tre muaj, me qëllim të eliminimit të mbeturinave, deponive ilegale të mbeturinave dhe mirëmbajtjen e ambientit.

Sipas njoftimit për media të kësaj Komune, aksionit të pastrimit të ambientit në Malishevë, krahas vullnetarëve, i janë bashkuar edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, së bashku me qeverinë komunale, Policia e Kosovës, KFOR, njësia e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Malishevë, Bashkësia Islame në Malishevë, njësia e “Ekoregjionit” në Malishevë, organizatat rinore dhe qytetarë të tjerë.

“Kjo që sot po bëjmë, është e domosdoshme, pasi ambienti duhet të ruhet dhe këtë e kemi obligim, sepse zoti na ka dhënë jetën, tokën, ujin, ajrin, e ne duhet t’i ruajmë dhe duke i ruajtur këto, ne ruajmë shëndetin tonë dhe pastërtinë tonë. Andaj kërkoj mobilizim të përgjithshëm dhe unë do të jem në vazhdimësi me juve, në ruajtje të ambientit dhe shëndetit tonë”, tha mes tjerash kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në hapjen e aksionit të tre mujor të pastrimit.

Ndërsa koordinatorja qendrore për Malishevë, Saranda Dobruna, pasi i ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrje në këtë aktivitet, ka kërkuar “që të ruajmë ambientin, pasi duke ruajtur ambientin e ruajmë shëndetin, e kur e ruajmë shëndeti, e kemi jetën më të gjatë”. Ajo gjithashtu bëri thirrje, jo vetëm që t’i bashkohen këtij aksioni, por që ta ruajmë ambientin. Dobruna, në fund e ka falënderuar njësinë e “Ekoregjionit” në Malishevë, e cila për tre muaj do të jetë në shërbim të aksionit të pastrimit.

Image

Kosova e pastër, obligim i të gjithëve

11:20 - Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, bashkë me punëtorët e këtij institucioni, kanë filluar aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”.

Sipas njoftimit për media të MI-së, e planifikuar e gjithë puna në një plan të detajuar, punëtorët e MI-së, bashkë me ekipet e kontraktuara gjenden gjithandej Kosovës, duke kontribuar në pastrimin e vendit.

Këtë aksion që zë vend në mbi 200 shtete të botës, MI do të vazhdojë ta përkrahë për aq sa zgjat, deri me 15 dhjetor. Ndërsa përkushtimin për rrugë të pastra në mbarë Kosovën, e përmbush në 365 ditë të vitit, thuhet në njoftimin e kësaj Ministrie.

Image

Afro 10 mijë persona nisin aksionin “Ta pastrojmë Gjilanin”

11:15 - Sipas planifikimeve të cilat janë bërë nga Task Forca “Ta pastrojmë Gjilanin”, me pjesëmarrje të të gjitha institucioneve komunale, Gjykatës, Prokurorisë, Policisë së Kosovës, FSK-së, shkollave fillore e të mesme, bashkësive fetare, ndërmarrjeve publike, shëndetësisë primare e regjionale, organizatave rinore, veteranëve, operatorëve privat dhe qytetarëve të shumtë, sot në mëngjes ka nisur aktiviteti për pastrimin e gjithë territorit të Gjilanit.

Sipas njoftimit për media të Komunës së Gjilanit, kryetari Lutfi Haziri para turmës së mbledhur në sheshin qendror “Agim Ramadani” ka thënë se në javën e parë do të bëhet vetëm pastrim dhe grumbullim të mbeturinave.

“Javën e ardhshme do të punojmë për mbjelljen e drunjve dekorativë dhe gjelbërim të hapësirave nëpër pjesë të ndryshme të qytetit. Së bashku do të punojmë vazhdimisht edhe për ruajtjen e ambientit në të ardhmen. Sot ky aksion do të nis edhe në lagje dhe fshatrat e Komunës sonë, përmes këshillave të fshatrave, bashkësive fetare dhe banorëve nëpër lokalitetet atje”, ka thënë kryetari Haziri.

Për ndryshe, besohet se në qytetin e Gjilanit sot janë duke pastruar afro 10 mijë persona, që nga shkollat me afro 6 mijë nxënës e mësimdhënës, rreth 500 mjekë, rreth 300 shërbyes civilë, rreth 500 punëtorë të ndërmarrjeve komunale, afro 500 persona nga organizimi i bashkësive fetare, pastaj vullnetarë të shumtë, OJQ, etj.

Image

Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, do ta përfshijë edhe veriun

11:10 - Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka bërë me dije se aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, i cili do të fillojë sot (e shtunë), do ta përfshijë edhe pjesën e veriut.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ai ka thënë se në kuadër të aksionit do të ndodhë edhe pastrimi i pikave kufitare në veri të Kosovës, pika 1 dhe 31.

Sipas Matoshit, aksioni ka për qëllim pastrimin e brezave kufitarë, largimin e mbi 1 000 deponive ilegale, pastrimin e brezave rrugorë dhe brezave të lumenjve.

Ai ka thënë se deponitë regjionale do t’i pranojnë mbeturinat pa pagesë në periudhën tremujore të pastrimit sa do të zgjasë ky aksion.

Matoshi u ka bërë thirrje qytetarëve, institucioneve, bashkësive fetare, subjekteve politike, FSK-së, KFOR-it, shoqërisë civile dhe medieve, që t’i bashkëngjiten këtij aksioni.


08:28 Sot aksion për ta pastruar Kosovën

Sot në gjithë territorin e Kosovës do të zhvillohet aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”.

Aksioni organizohet nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve dhe qytetarëve të vendit që t’i përgjigjen thirrjes për pastrimin e vendit nga mbeturinave.

Në aksion kanë njoftuar se do të marrin pjesë kompanitë e pastrimit, FSK, Policia e Kosovës, KFOR-i, agjencitë e ndryshme shtetërore, ministritë, komunat, nxënësit dhe mësimdhënësit, kompanitë private e të tjera.

Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në hapjen e aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, te deponia ilegale më e madhe në kryeqytet afër hotel “Garden”, në lagjen Kalabria në Prishtinë, në ora 10:00.