Haziri: E kemi detyrë historike të bashkohemi me Luginën por nuk e ndërrojmë me veriun e Kosovës

Haziri: E kemi detyrë historike të bashkohemi me Luginën por nuk e ndërrojmë me veriun e Kosovës

11 gusht 2018 08:51

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, thotë se Kosova e ka detyrë historike dhe patriotike që të bashkohet në mënyrë paqësore me komunat jugore të Serbisë, Preshevën, Medvegjën e Bujanocin.

Haziri në një prononcim për Ekonomia Online është shprehur se kjo nuk nënkupton dhënien e veriut të Kosovës si këmbim, pasi thotë se Mitrovica është pjesë e pandashme e vendit tonë.

“E kemi detyrë historike dhe mbi të gjitha detyrë patriotike që 100 mijë shqiptarëve të Kosovës lindore t’u japim zgjidhje politike. Nuk ka dhe nuk vjen në shprehje shkëmbim ose ndërrim me veriun e Kosovës sepse Mitrovica edhe si qytet, komunë e regjion është pjesë e pandashme e Kosovës në kufijtë e saj”, ka deklaruar Haziri.

Sipas Hazirit termat si ndarje territoriale, shkëmbim territorial, ndarje e brendshme, autonomi e brendshme politike e territoriale janë terme që e irritojnë dhe frikësojnë shumicën shqiptare në Kosovë.

Ai vlerëson se në fazën e fundit të dialogut pritet të ndodhë përcaktimi i vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Nënkryetari i LDK-së thotë se pavarësisht se si është planifikuar ky format, mungesa e konsensusit të gjerë politik në Kosovë e hendikepon jashtëzakonisht shumë dialogun, i cili pritet të dinamizohet prej shtatorit e tutje. Ai ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të ketë rolin e tij në këtë proces.

“Ne besojmë që rezoluta e Kuvendit ia atribuon Qeverisë formatin e dialogut, por mbetet për të parë në të ardhmen se si do të zhvillohet ky, cili do të jetë roli i Kuvendit. Ne kërkojmë rolin e Kuvendit mbi të gjitha”.

Ndërsa sa i përket mundësisë së bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, Haziri ka qëndrim tjetër nga ai i partisë së tij, duke përkrahur idenë e presidentit Thaçi për bashkimin me Kosovën të rreth 100 mijë shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë.

“Ju e dini qëndrimin tim prej vitit 2011. Unë qëndrimin tim politik e kam të dalluar prej LDK-së, përkundër që jam lojal në vendimin e LDK-së, natyrisht unë jam shumë lojal dhe i përmbahem atij zotimi”.

Haziri thotë se rezoluta e Kuvendit të Kosovës më 2013 e cila, sipas tij, është pranuar nga të gjitha partitë politike në Kosovë dhe përfaqësuesit politik në Luginë, është dokument i mirë edhe për presidentin Thaçi.

“Rezoluta përmban parime shumë të shëndosha, duke respektuar vullnetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Bujanoc dhe Medvegjë për t’iu bashkuar Kosovës sepse është pjesë e pandashme, padrejtësisht ka mbetur jashtë kufijve të vitit 1974, në parimin e të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës dhe ky problem do zgjidhje politike dhe paqësore, me dialog dhe formati i dialogut që pritet të qartësohet në shtator e tutje, jep mundësi me zgjidh këtë problem, nëse kemi mundësi me zgjidh”, përfundoi Haziri.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme