Që nga 6 maji, kryeministri Albin Kurti e ka nisur vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara. Por, deri tash, ai nuk është takuar me ndonjë zyrtar të lartë amerikan të Departamentit të Shtetit apo të Shtëpisë së Bardhë. Analistët thonë se mungesa e takimeve të tilla jep mesazh për nevojën që Kurti të ndërrojë qasje. E, në Zyrën e kryeministrit nuk përjashtuan mundësinë e takimeve të këtij niveli dhe treguan se Kurti është nisur për në Washington D.C. dhe gjatë javës do të jetë edhe në New York
Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, kryeministri Albin Kurti ka realizuar takime me drejtues të shoqatës së bizneseve e të kompanive teknologjike, ka vizituar kompani e ka ligjëruar në Universitetin e Michiganit.
Por, tash e 11 ditë prej se e ka nisur vizitën, ai nuk ka zhvilluar ndonjë takim me zyrtarë të lartë amerikanë.
Të martën mbrëma ai ka kumtuar se gjatë vizitës dyditore në Michigan ka takuar senatorin Gary Peters dhe kongresistin Andy Levin.
“Dy përfaqësuesve të popullit amerikan ua shpreha mirënjohjen time dhe të shtetit e popullit tonë për ndihmën dhe përkrahjen nga Kongresi amerikan për çështjen e Kosovës dhe për kontributin e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës sonë”, ka shkruar kryeministri në llogarinë e tij në Facebook. “Në takimin ku ishte i pranishëm edhe kryetari i qytetit Rochester Hills, Bryan Barnett, biseduam edhe për kërcënimin që aleanca ushtarake Serbi-Rusi paraqet për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Duke diskutuar për invazionin dhe agresionin rus në Ukrainë folëm edhe për rrezikun që mund të paraqitet për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor”.
Mungesa e takimeve të tilla është interpretuar në dy mënyra nga njohës të zhvillimeve politike në vend.
Sipas analistit Artan Muhaxhiri, takimet e natyrës ekonomike do të kishin tjetër efekt sikurse vizita të mos zhvillohej në një situatë politike të krijuar nga lufta në Ukrainë.
“Rrjedha e deritashme e vizitës së kryeministrit Kurti në Amerikë ka qenë e çuditshme sepse në një momentum të tillë kur ka kaq shumë zhvillime të jashtëzakonshme gjeopolitike, gjeostrategjike, ripozicionime, rikonfigurime politike, ekonomike për shkak të luftës në Ukrainë, të shkohet në SHBA dhe të takohet me përfaqësues të kompanive të IT-së, teknologjike, bashkatdhetarë, kundër të cilave nuk është askush në një rrethanë normale, por në këtë periudhë nuk është krejtësisht e kuptueshme politikisht”, ka thënë Muhaxhiri.
Sipas tij, arsyeja e mungesës së takimeve me zyrtarë të lartë amerikan, është raporti i Qeverisë së drejtuar nga Kurti dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Fakti që kryeministri Kurti nuk ka ndonjë takim të nivelit të lartë deri më tani është një mesazh i qartë i Administratës amerikane që kryeministri Kurti duhet ta ndryshojë qasjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse SHBA-ja është superfuqi dhe ka disa kushte për bashkëpunime me vende posaçërisht të vogla, me vende si Kosova dhe nuk ka shumë hapësirë për të qenë kokëfortë apo për të pasur pozicionime që janë në kundërshtim me interesat amerikane”, ka thënë Muhaxhiri, i cili vlerëson se përkundër takimeve të shumta, efekti i tyre është i vogël. “Për fat të keq të kryeministrit Kurti, ai po i vërteton kritikat e kundërshtarëve të tij politikë, të cilët vazhdimisht kanë thënë se nuk ka raporte të mira me lidershipin amerikan, me përfaqësuesin e rëndësishëm të shtetit amerikan dhe mungesa e këtyre takimeve vetëm sa po e fuqizon këtë qëndrim”.
Muhaxhirit thotë se nëse pas takimeve të zhvilluar në kompani të ndryshme, në Kosovë do të vijnë përfaqësues të tyre, atëherë “do të mund të nxisë shpresë për ndonjë sukses, por nëse mbetet vetëm në vizita formale, atëherë nuk mund të presim ndonjë gjë, përveç vazhdimësisë të gjendjes negative, e cila është tash”.
Sipas analistit Artan Muhaxhiri, institucionet do të duhej të investonin më shumë në ndërtimin e raporteve më të mira, edhe duke pasur parasysh zhvillimet që kanë rrjedhur nga nisja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
“Nuk është e kuptueshme pse lidershipi kosovar nuk është i përgatitur dhe nuk po investon për këtë periudhë, e cila është më e përshtatshmja që nga viti 1999 sepse Rusia është krejtësisht e stigmatizuar e rrjedhimisht edhe Serbia është tejet e dobësuar si pasojë e dobësimit të aleatit të saj Rusisë. Duhet të shfrytëzohet maksimalisht në të gjitha aspektet”, thotë ai.
Ndërkaq, Erblin Hoxha nga Lëvizja FOL, thotë se efektet e vizitës së Kurti mund të vërehen vite më pas dhe ka shprehur optimizëm se ai do të ketë edhe takime të nivelit politik.
“Këto janë dy javët e para, të cilat së paku sa kemi parë nuk ka pasur takime zyrtare, me përfaqësues të Departamentit të Shtetit amerikan apo Shtëpisë së Bardhë e presim në vazhdim nëse takime të tilla do të mbahen. Deri tash këto dy javë duket që më shumë është takim promovues dhe njoftues me kompani të ndryshme, të cilat potencialisht mund të kenë interes për të investuar në Kosovë, si dhe me një numër të madh të organizatave shqiptare, diasporën në Amerikë, e cila në një mënyrë ose tjetrën mund të ketë ndikime direkt në investime dhe zhvillim ekonomik në Kosovë”, ka thënë Hoxha. “Në kuptimin a ia ka vlejtur apo jo duhet të presim rezultatin e këtyre takime, a ka me pasur në zhvillim ekonomik, punësim apo investime të kompanive të ndryshme në Kosovë dhe ajo do të jetë një vlerësues pak më i mirë nëse në fakt ia ka vlejtur ky takim dyjavor apo jo”.
Sipas Hoxhës, Kurti nuk do të shkonte në Shtetet e Bashkuara vetëm sa për të zhvilluar takime të natyrës ekonomike, pa pasur edhe të atyre politike.
“Unë nuk besoj që kryeministri Kurti dhe një delegacion aq i madh nga Kosova ka shkuar në Amerikë vetëm për takime joformale bilaterale me kompani, por edhe duhet patjetër të ketë edhe takime zyrtare e që ende nuk e dimë nëse do të ndodhin apo jo. Mirëpo për vetë faktin që do të jetë edhe një kohë në Amerikë, presim nëse këto takime në fakt do të transferohen në nivel zyrtar dhe në nivel të takimeve zyrtare Kosovë-Amerikë”, ka thënë ai.
Në Zyrën e kryeministrit nuk treguan nëse Kurti do të takohet me zyrtarë të lartë amerikanë. Në një përgjigje të shkurtër kanë bërë të ditur se kryeministri do të jetë në Shtetet e Bashkuara edhe gjatë kësaj jave.
“Kryeministri Kurti do të vazhdojë vizitën dhe takimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe gjatë kësaj jave. Nga Michigan sot ka udhëtuar në Washington D.C. Nga aty do të udhëtojë edhe në Masachusetts dhe në New York”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziut.
Për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar më 6 maj. Të mërkurën, ai ka takuar drejtues të KODE Lab dhe ata të shoqatës së bizneseve “Automation Alley”, takime këto në të cilat është diskutuar për mundësitë që ofron Kosova për investime, si dhe ka mbajtur ligjëratë në Universitetin e Michiganit.
Që nga 6 maji, Kurti është takuar me bashkatdhetarë në Chicago të Illinois, ka mbajtur ligjëratë në Universitetin DePaul të Chicagos, është takuar me drejtues të kompanisë UCX, kompanisë Matter, ka marrë pjesë në hapjen e Shërbimeve Konsullore në Iowa, është takuar me komunitetin e biznesit atje, ka takuar sekretarin e Bujqësisë të Iowas, Mike Naig, guvernatoren Kim Rejnolds, ka takuar komandantin e Gardës Kombëtare të Iowas, Benjamin J. Corell, ka takuar bashkatdhetarë në Qendrën Kulturore shqiptaro-amerikane në Teksas, investitorët në Këshillin për Çështje Botërore të Dallasit, është takuar me drejtues të kompanisë Uber, ka vizituar kampusin e “Microsof” në Silicon Valley, është takuar me drejtues të kompanisë Airbnb e ata të Linkedin, e po kështu edhe me kryeshefen e MCC-së, Alice Albright.