Arbëri

PSD-ja s’arrin të bindë LDK-në e VV-në për seancë të jashtëzakonshme për dialogun, të hënën ka vetëm debat

Pas ndërprerjes së seancës së sotme plenare, është mbledhur Kryesia e Kuvendit, e cila ka vendosur që seanca e radhës të vazhdojë të hënën, më 23 korrik, në orën 11:00.

Me kërkesë të Grupit Parlamentar të PSD-së, pikë e re e rendit të ditës do të jetë debati parlamentar lidhur me dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, raporton Koha.net.

Ndonëse ditë më parë Shefi i GP-së së PSD-së, Dardan Sejdiu ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme që kishte të bëjë me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, gjithashtu synimin që presidenti Thaçi mos të jetë në krye të bisedimeve. Për këtë, edhe nënkryetari Visar Ymeri, kishte pritur mbështetje nga LDK-ja dhe VV-ja.

Koha.net ka kontaktuar me të dy palët. Deputetja Albulena Haxhiu nga Vetëvendosja, ka thënë se nuk i kanë të qarta kërkesat e PSD-së për të mbajtur seancë, në anën tjetër nga LDK-ja, nuk kanë kthyer përgjigje.

Zyrtari për media i PSD-së, Shkodran Hoti, tha sot për Koha.net se ende as LDK-ja e as VV-ja nuk i kanë dhënë nënshkrimet për kërkesën e tyre që të debatohet në Kuvend për dialogun.

“Partitë opozitare nuk i kanë dhënë nënshkrimet. Kryesia e Kuvendit, sot e ka futur propozimin e PSD-së, në rend dite për seancën e së hënës”, tha ai.

Hoti ka thënë se për PSD-në, arsyet pse opozita nuk po i jep nënshkrimet janë të pakuptimta.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, para takimit të presidentit Hashim Thaçi me atë serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel, ka thënë për Koha.net se e mbështesin këtë nismë të PSD-së, por se ata nuk i kanë të qarta rekomandimet e tyre, e për këtë, Vetëvendosja nuk i ka dhënë nënshkrimet.

Haxhiu ka treguar se shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca ka zhvilluar një takim me Visar Ymerin nga PSD-ja, dhe çështja ka mbetur e hapur.

“Është zhvilluar një takim vetëm nga Glauk Konjufca, por nuk e kemi pa se cilat janë pikat për t’u diskutuar. Ne duhet t’i kemi të qarta rekomandimet e tyre. Kemi hezituar t’i japim nënshkrimet pa i pasur të qarta këto pika”, ka thënë Haxhiu për Koha.net.

Haxhiu tha se partia nga vjen ajo, duan ta kenë një dokument të qartë sepse sipas saj, “qëndrimet e PSD-së kanë qenë kontroverse”.

“Sipas bindjes sonë, ata nuk kanë pasur qëndrim të qartë kundërshtues. Natyrisht se ne e mbështesim këtë iniciativë, por duam të jenë të qarta rekomandimet. Nga takimi i së premtes nga Glauk Konjufca e Visar Ymeri, kjo ka mbetur e hapur deri të nxjerrim pikat ku na bashkojnë”, tha Haxhiu.

Ndërkaq sot, Albulena Haxhiu, tha për Koha.net se e mbështesin kërkesën për debat, por vazhdojnë mos t’i kenë të qarta qëndrimet e PSD-së.

“Sot ne mbështetëm kërkesën për debat lidhur me negociatat mirëpo Kadri Veseli, nuk procedoi me votim të mocionit pra bëri shkelje të Rregullores se Punës. Nuk i kemi dhënë nënshkrimet për arsyet e thëna ditë më parë dhe debati me sa jemi të informuar është thirrur me 6 nënshkrime”, tha Haxhiu.

Koha.net ka siguruar kërkesën e PSD-së dhe arsyet pse duan debat në Kuvend për dialogun.

{gallery}

“Duke e pasur parasysh se përgatitet faza finale përfundimtare e këtij procesi jetik për të ardhmen e vendit tonë, e me të cilën tentohet arritja e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme si për Republikën e Serbisë ashtu edhe për Republikën e Kosovës. Konsiderojmë se është e domosdoshme që të zhvillohet një proces i mirë-përgatitur që përcakton qartë rolet dhe përgjegjësinë e institucioneve të Republikës”, thuhet në njërin arsyetim.

Edhe deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ditë më parë në Interaktiv të KTV-së, tha se partia nga vjen ai, është e para që ka insistuar të ketë platformë për dialogun me Serbinë. “Më i rëndësishëm se fakti se kush është në krye të dialogut për PSD-në është se cila është platforma e Kosovës dhe cili është pozicioni i Kosovës në këtë dialog”, ka thënë Molliqaj.

Molliqaj ka thënë se as LDK-ja e as Vetëvendosje nuk kanë treguar gatishmëri për seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të flitej për dialogun.

“Ne kemi kërkuar seancë në të cilën Thaçi në krye të dialogut do të duhej të miratohet me 2/3 e deputetëve, që ne besojmë se s’do ta arrinte. Vlerësimi im, që mund të jetë edhe i gabuar, është se edhe Vetëvendosje edhe LDK-ja, janë dorëzuar karshi faktorit ndërkombëtar dhe e kanë pranuar Thaçin si kryenegociator”, ka thënë Molliqaj.

Kujtojmë se dje në Bruksel u zhvillua takimi mes Thaçit e Vuçiqit, i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini. Pas takimit të dy presidentëve, presidenti i Kosovës para mediave tha se “ishte takimi më i rëndë që është zhvilluar në gjashtë vjetët e fundit”.