105 milionë euro parashihet të jetë buxheti i vitit 2023 për Komunën e Prishtinës, në bazë të qarkores buxhetore që ka nxjerrë ministria e financave.
Këtë e ka bërë të ditur në mbledhjen e pestë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, drejtoresha e financave, Valbona Makolli e cila thotë se granti specifik i shëndetësisë është i vogël dhe nuk mbulon as pagat e stafit shëndetësor.
“Nga Ministria e financave qarkoren që e ka nxjerrë, për 2023 do të ketë 105 milionë euro. Përkundër kërkesave të Komunave nuk ka ndryshuar asnjëherë. Në këtë qarkore për komunën e Prishtinës, grandi i përgjithshëm për vitin 2023 është 26 milionë e 20 mijë euro. Grandi specifik i arsimit është 22 milionë, granti i shëndetësisë 7 milionë, ligji për kryeqytetin është 15 milionë dhe të hyrat vetanake që Komuna e Prishtinës e ka për detyrë t’i grumbullojë për vitin 2023 janë 34 milionë”, ka thënë Makolli.
Ndërsa, 89 për qind e kërkesave të qytetarëve të Prishtinës të paraqitur në debatet e mbajtura publike, sipas Makollit, janë përfshirë në hartimin e kornizës afatmesme buxhetore 2023-2025.
Ndërsa rreth 45 milionë euro të bartura nga vitit i kaluar komuna thotë se ende nuk janë alokuar nga Ministria e Financave.
“Që 2 muaj është në Ministrinë e financave dhe nuk po bëhet alokimi i mjeteve. 45 milionë euro. Më datën 10 maj është dërguar për shqyrtim-aprovim dhe aprovim nga Ministria e Financave. Ata po kërkojnë sqarim pse janë në bartje mjetet e projekteve që janë në OSHP. Këtë e kemi bërë se ne do t’i vazhdojmë ato projekte, nuk mund t’i humbim mjetet e dedikuara për to”, ka thënë Makolli.
Gjatë këtij debati pati edhe kundërshtime fjalësh mes të pranishmëve.
Përderisa asamblisti i Nismës, Endrit Zabërgja kritikoi kornizën afatmesme-buxhetore, ishte drejtoresha Makolli e cila e kritikoi se ka ardhur me fjalë nga jashtë.
"Ky është një kornizë afatmesme buxhetore jo e duhur, ky dokument nuk përmban informata dhe arsyeshmëri ekonomike dhe financiare si te të hyrat dhe investimet kapitale. Ky duhet të ketë përmbajtje, strukturë”, ka thënë Zabërgja.
Një konflikt fjalësh pati edhe mes kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina dhe asamblistëve të Aleancës Kosova e Re, të cilëve ua mohoi të drejtën e fjalës, për diskutimin e një pike të rendit të ditës.
Nën arsyetimin se AKR-ja me vetëm 2 asamblistë nuk mund të quhet grup parlamentar, Kupina ia kaloi fjalën asamblistit të vetëm të Nismës.
Përveç këtyre, në mbledhjen e pestë të Kuvendit Komunal, u ndanë edhe parcelat për ndërtimin e 3 çerdheve publike në Kolovicën e Re, Kolovicën e Vjetër dhe në lagjen “Mati I”.
Përderisa asamblistët e pozitës përgëzuan qeverisjen Rama për këtë hap, ishte asamblisti i Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, i cili tha se kjo është meritë e Vetëvendosje në nivelin qendror.
Në këtë mbledhje u miratua edhe propozim-vendimi për konsulta paraprake publike lidhur me projekt-rregulloren për ushtrimin e veprimtarisë së transportit të udhëtarëve me taksi.
Kjo rregullore do të ndihmojë në përmirësimin e shfrytëzimit të taksive, duke rritur sigurinë, transparencë dhe menaxhimin e rreziqeve në trafik.