Vendimi për të dërguar ushtarë në Kosovë, jo si mbështetje për sigurinë e serbëve por si mbështetje për pavarësinë e Kosovës, nuk mund të jetë vendim që do ta shikojmë si miqësor.
Kështu ka thënë ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, duke komentuar debatin në Kuvendin e Malit të Zi rreth paralajmërimit për dërgimin në Kosovë të pjesëtarëve të ushtrisë së tij, raportojnë mediat serbe, transmeton Koha.net.
“Më vjen keq që udhëheqja e Malit të Zi harron pa ngurrim se në Kosovë ka serbë dhe popullatë serbe dhe interesa të Serbisë “, është shprehur Vulin, citojnë komunikatën mediat serbe.
Deputetët e Parlamentit malazez debatuan sot rreth dërgimit deri 40 pjesëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi në mision ndërkombëtar “Mbështetje e vendosur” në Afganistan, dhe dy oficer shtabi në KFOR në Kosovë, thekson RTV e Malit të Zi.
Ndërsa në Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS e Gjukanoviqit) konsiderojnë se angazhimi i pjesëtarëve të ushtrisë malazeze në misionin ndërkombëtar në Kosovë kontribuon për ruajtjen e paqes në rajon, bëhet e ditur se opozita në këtë vend konsideron se vendimi nuk është i mirë, e as korrekte ndaj Serbisë dhe serbëve në Malin e Zi.
Deputeti i Malit të Zi të Bashkuar, Goran Daniloviq, ka thënë se dërgimi i dy oficerëve në Kosovë nuk është kurrfarë befasie, por një veprim logjik i asaj që bëri vendi më 2008.
“Nuk jam i sigurt a është Kosova zemra e Serbisë apo e Malit të Zi, apo edhe nëse ka qenë ndonjëherë, por me siguri është fytyra. Ka qenë gjithmonë dhe kështu është edhe sot. Mali i Zi nuk do të zvogëlohet me dërgimin e këtyre dy ushtarëve, e as do të rritet Serbia”, ka thënë Daniloviq.
Edhe
Oficerët e Malit të Zi që po e pengojnë Serbinë
Ai ka thënë se, nëse do ta dinte që dy oficerë malazezë do të mund të kontribuonin në mirëkuptim në Kosovë dhe në pajtimin e popujve dhe civilizimeve, sot do të votonte për vendimin.
Nënkryetari i Kuvendit, Genci Nimanbegu, ka thënë se vendimi për dërgimin e ushtarëve malazezë në KFOR është i vështirë për Malin e Zi dhe popullin e tij në aspektin historik, por i lehtë në aspektin e orientimit të shtetit drejt integrimeve evropiane.
“Ky vendim e prezanton Malin e Zi si një shtet multietnik ku respektohen të drejtat e njeriut”, tha Nimanbegu.