Operacionet për shuarjen e zjarreve në Shqipëri kanë vijuar edhe përgjatë 24 orëve të fundit, kur janë shënuar 10 vatra në disa qarqe.
Në këto operacione janë angazhuar 70 zjarrfikës, 15 automjete, 70 pjesëtarë të ushtrisë, mbi 40 punonjës të Shërbimit Pyjor dhe bashkive, e dhjetëra qytetarë vullnetarë, të mbështetur edhe nga helikopterë.
Emergjencat Civile njoftojnë se situata vijon të mbetet në monitorim të vazhdueshëm në mbarë vendin, ndërkohë që u bëjnë thirrje për të disatën herë qytetarëve që të njoftojnë në numrat e emergjencave, në rast se konstatojnë zjarre.
Më konkretisht, operacione në vijim ka në fshatin Orosh të Mirditës, ku zjarri është vënë nën kontroll pasi ka djegur sipërfaqe të konsiderueshme me ferra e shkurre; në fshatin Bulçar të Gramshit dhe fshatin Hasmashaj të Peqinit, ku janë djegur ferra e ullishte 10-vjeçare.
Ndërkohë, zjarre të tjera që kërcënonin edhe banesa, veç dëmeve në bimësi, nga sa raportohet janë shuar. Disa të tilla janë ato në disa pika turistike të vendit, si në fshatin Theth të Shkodrës, në fshatin Navaricë të Finiqit, rreth 3 km larg “Syrit të Kaltër”, si dhe në kufirin ndarës mes Lekasit e Voskopojës, në Korçë.
Ndërkohë, zjarri në vendgrumbullimin e mbeturinave në qytetin e Lushnjes është shuar, edhe pse rrezikonte të përhapej, sikurse edhe një vatër në fshatin Goraj të Kuçovës.
-
34 vatra zjarri në 24 orët e fundit në Shqipëri, 17 ende aktive
-
Shqipëria në ndjekje të autorëve të zjarrvënies
-
Situata alarmante me zjarre në Shqipëri, bëhet thirrje urgjente për evakuim
-
Mbesin 15 vatra aktive të zjarrit, kërkohet ndërhyrje ajrore nga KFOR-i
-
Lokalizohet dhe shuhet zjarri në Ballancë të Vitisë