Showbiz

Swift “sulmon” armiqtë përmes këngës së re

Taylor Swift nuk ka si të mos bëhet lajm, me çdo projekt që e realizon.

Të dielën mbrëma, këngëtarja simpatike e lansoi videoprojektin e saj të ri muzikor me titull “Look What You Made Me Do”, i cili e sjell atë krejt ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta shohim dhe tejet më rebele.

Por, ajo që po bën bujë më së shumti, janë komentet e njerëzve, të cilët po supozojnë se përmes kësaj kënge dhe klipi, Taylor po u referohet raporteve të këqija që i ka me Katy Perryn dhe çiftin Kanye dhe Kim West. Në njërën skenë Taylor shihet duke e përplasur veturën në një shtyllë, duke e krahasuar këtë skenë me një skenë që Katy Perry e kishte pasur në videoklipin e saj të vitit 2008 “Waking Up in Vegas”. Madje, Taylor shihet duke e mbajtur në dorë një çmim Grammy, derisa Katy ende nuk e ka fituar një shpërblim të tillë.

Ndërsa, në një tjetër skenë ku Taylor shfaqet në vaskë e mbuluar me stoli diamantesh, publiku mendon se ajo i referohet ngjarjes traumatike të Kim Kardashianit, e cila ishte grabitur nga disa hajna në Paris.

Asgjë nuk është zyrtare, dhe Swift nuk ka komentuar asgjë rreth këtyre spekulimeve. Ndërsa, burime të afërta të çiftit Kardashian West kanë bërë të ditur se Kim dhe Kanye nuk janë fare të interesuar për këtë videoklip dhe se kanë gjëra më të mençura, me të cilat preokupohen.

“Look What You Made Me Do” brenda 2 ditëve të publikimit i ka marrë gjithsej 50 milionë klikime duke thyer edhe rekorde të shikueshmërisë në Youtube.

Kjo është vetëm kënga e parë e Taylorit nga albumi i saj i ri “Reputation” i cili do të dalë në shitje më 10 nëntor të këtij viti. Pritet të shihet çfarë përmbajtje do të kenë këngët e tjera të këtij incizimi, dhe kush është në radhë të sulmohet përmes teksteve të tyre.