Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hetimet parapenale për dosjen e Lumezit, në kundërshtim me ligjin, thotë IKD

Hetimet parapenale për dosjen e manipuluar të provimit të Jurisprudencës të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, ishin në kundërshtim me Kodin Penal të Kosovës dhe ligjet në fuqi.

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, Prokurori Munishi ka hetuar një lëndë të parashkruar, e cila ndalohet me ligj, ndërsa ka kufizuar hetimet për shefin e tij, ani pse Lumezi ishte i dyshuari kryesor sipas denoncimit publik të Enver Hasanit, raporton KTV.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas këtij instituti, gjithë hetimi është zhvilluar në fazë parapenale, duke përjashtuar në tërësi kontrollin gjyqësor dhe duke lënë gjithçka në diskrecion të prokurorit. Materialet e sekuestruara nga Munishi janë bërë pa vendim gjyqësor, duke i bërë këto prova të papranueshme në cilëndo fazë të mëvonshme në gjykatë.

Vet trajtimi i kësaj çështjeje nga Prokuroria Themelore në Prishtinë është bërë në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm, respektivisht në kundërshtim me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës Kosovës.

Sipas IKD-së, prokurori Munishi, në kundërshtim me ligjin, ka kërkuar nga Policia e Kosovës që në procedurë parapenale të grumbullojë informata, të marrë në pyetje dëshmitarë dhe të sekuestrojë dosje lidhur me një vepër penale, e cila sipas ligjit kishte arritur afatin e parashkrimit të ndjekjes penale.

Në bazë të Kodit Penal, në çdo fazë të procedurës penale, gjykata dhe organet e tjera të ndjekjes penale janë të detyruara, sipas detyrës zyrtare, të kujdesen, ta marrin parasysh dhe ta zbatojnë parashkrimin. Së këndejmi, parashkrimi shprehet sipas fuqisë së ligjit, në të gjitha rastet kur skadojnë afatet e parashkrimit.

Rrjedhimisht, sipas KPP-së, Policia detyrohet të veprojë vetëm sipas kërkesave të ligjshme të prokurorit, gjë që në këtë rast ka vepruar sipas autorizimeve të kundërligjshme të Prokurorit Munishi.

“Në rastin konkret, Prokuroria asnjëherë nuk ka zhvilluar procedurë penale lidhur me dyshimet për falsifikim të dosjes së provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, respektivisht nuk ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimin e kryerjes së veprës penale të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 434 nga Kryeprokurori Lumezi, siç ishte ngritur në denoncimin publik”, thuhet në raportin e IKD-së drejtuar mediave.

Prokurori Munishi, nën monitorimin e një prokurori të EULEX-it, edhe përkundër faktit se ka zhvilluar procedurë parapenale, në të njëjtën kohë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, ka marrë në pyetje dëshmitarë nga Kosova dhe Serbia, ka sekuestruar dosje në Arkivin e Kosovës dhe Ministrinë e Drejtësisë.

Sekuestrimi sipas aktvendimit për hedhjen e kallëzimit penal është bërë pa urdhër të gjykatës.

Praktika gjyqësore dëshmon se në raste të tilla, përveç dëshmive, procesverbaleve, rol vendimtar në zbardhjen e të vërtetës luan ekspertiza e dokumenteve të dyshuara si të manipuluara.

Tutje IKD-ja thotë se prokurori këtë obligim ligjor e ka injoruar tërësisht, duke paragjykuar rastin. I njëjti asnjëherë nuk ka kërkuar ekspertizë lidhur me dyshimet për dosjet e manipuluara.

Prokurori Munishi në Aktvendim përmend se kanë paraqitur kërkesa për qasje në dokumentet lidhur me emërimin e prokurorëve dhe gjykatësve në UNMIK dhe OSBE.

Por i njëjti pa pranuar asnjë përgjigje, ka nxjerrë një aktvendim për hedhjen poshtë të kallëzimit penal, që në praktikën gjyqësore është e paparë ndonjëherë.

Katër prej dëshmitarëve të gjallë të Komisionit Konsultativ Juridik, të cilët kishin vlerësuar kandidatët për gjykatës dhe prokurorë në vitin 1999/2000, deklarojnë në tërësi vërtetësinë e procesverbaleve, sipas të cilave Aleksandër Lumezi nuk ka pasur provim të jurisprudencës.

Për më tepër, sipas këtyre procesverbaleve, ish-Kryeadministratori i UNMIK-ut Bernard Kushner, kishte dekretuar 31 kandidatë në kundërshtim me ligjin, përfshi kandidatët pa provim të jurisprudencës.

Prokurori Munishi nuk i ka pritur përgjigjet e UNMIK-ut dhe OSBE-së për sigurimin e këtyre dosjeve për të zbardhur të vërtetën përtej çdo dyshimi.

Sipas IKD-së, prokurori Munishi rëndësi kyçe iu ka dhënë dëshmive të zyrtarëve serbë, të cilët gjatë viteve të nëntëdhjeta ishin caktuar përmes masave të dhunshme të instaluara nga aparati shtetëror jugosllav.