Arbëri

Kjo është renditja e re e Grupeve Parlamentare në Kuvendin e Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje është grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës.

AAK-ja dhe Nisma tashmë kanë konfirmuar se do të ndahen nga PDK-ja në Kuvend, duke e lënë këtë parti si grupin e tretë parlamentar në Kuvend.

KTV-ja ka mësuar nga burime brenda Kuvendit se kërkesa për konfirmim të grupeve parlamentare do të bëhet të mërkurën në mbledhjen e Kryesisë.

“Nga kjo i bie se PDK-ja do të mbes me vetëm 24 deputetë, pra grupi i tretë parlamentar, meqenëse LDK-ja ka 27 deputetë dhe është grupi i dytë parlamentar”, ka thënë ky burim për KTV.

Gjithashtu, në bazë të kësaj ndarje, Vetëvendosje do të udhëheq 4 komisione të përhershme parlamentare. Ky burim ka treguar se në shumicën e komisioneve, opozita do të jetë shumicë, me 6 anëtarë derisa partitë në pushtet do të kenë 5.

PDK, AAK e Nisma bashkë me shumë parti të vogla kanë qenë pjesë e një liste të vetme zgjedhor por pas zgjedhjeve kanë vendosur të ndahen në grupe individuale parlamentare.

Blerim Kuqi i AAK-së ka thënë për KTV-në se orientimet e tyre janë që AAK të jetë grup i vetëm parlamentar.

“Ahmeti Isufi, që është edhe nënkryetar i partisë sonë, do të jetë shef i Grupit Parlamentar”, ka thënë Kuqi për televizionin.