Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Serbi e kosovari udhëheqin rrjetin rajonal rinor

Gjuro Blanusha dhe Fatos Mustafa janë numri një, respektivisht dy i Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) me seli në Tiranë.

Njëri nga Serbia dhe tjetri nga Kosova po e shfrytëzojnë zyrën e tyre në Tiranë për të shtyrë përpara procesin e thyerjes së barrierave, ndarjeve dhe paragjykimeve mes popujve në Ballkan. Ky ishte edhe qëllimi kryesor i krijimit të këtij rrjeti rinor i iniciuar si projekt nga samiti i Berlinit në vitin 2014, ku u takuan liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Fatos Mustafa zëvendëssekretar i përgjithshëm kësaj zyre thotë se bashkëpunimi me udhëheqësin serb (sekretarin e përgjithshëm) deri më tani ka shkuar mirë, ndonëse shprehet se nuk ka pasur ndonjë projekt të veçantë ku ky bashkëpunim do të mund të veçohej.

“Nëse flitet për pjesën e stafit, mund të themi se deri më tani nuk ka pasur diçka për t’u veçuar. Komunikimi vazhdon të jetë në suaza kolegiale në plotni si me gjithë të tjerët, mes vete. Ndërsa në kuptimin e aktiviteteve tona, neve akoma nuk kemi pasur ndonjë aktivitet që do të kishim veçuar më shumë mbi këtë pyetje, megjithatë në disa aktivitete ku RYCO ka qenë e përfshirë në një forme ose tjetër, mund të themi se ka një pozitivitet të dukshëm në këtë drejtim”, ka thënë Mustafa.

Të udhëhequrit e një zyre me seli në Tiranë nga një serb, në shikim të parë tingëllon jo e zakonshme. Aq më shumë, siç thotë Mustafa, kur në këtë zyrë numri dy është një shqiptar nga Kosova.

Megjithatë, Mustafa thotë se kjo sfidë është tejkaluar dhe, siç bënë të ditur, kjo e ka bërë këtë organizatë edhe më serioze.

“Sigurisht se për shumë njerëz, udhëheqja e një organizate rajonale me seli në Tiranë, të udhëhiqet nga një serb tingëllon sikur lë për të dëshiruar. Këtë e bënë të duket akoma më të komplikuar fakti se unë vij nga Kosova, në pozitën e zv. Sekretarit të Përgjithshëm, pra të dytit të organizatës. Megjithatë, mendoj se deri më tani edhe në ato pika ku kemi hasur në vështirësi, i kemi kaluar me një dialog dhe mirëkuptim të ndërsjellë, gjithnjë bazuar në parime dhe dokumente me të cilat ne shërbehemi dhe mbi të cilat RYCO funksionon. Sigurisht kjo përbërje, jo vetëm e menaxhmentit, por edhe e pjesës tjetër të stafit, jo vetëm që zvogëlon paragjykimet por rritë besueshmërinë ndaj organizatës dhe aktiviteteve të saja”, ka shtuar Mustafa.