Arbëri

Ministri Matoshi thotë se po investojnë rreth 3 milionë euro në Skenderaj, Istog, Viti dhe Deçan

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi së bashku me kryetarët e komunave Skenderaj, Istog, Viti dhe Deçan, kanë nënshkruar disa memorandume bashkëpunimi për realizimin e projekteve në fushën e mjedisit.

“Jam i përkushtuar që si ministër i një dikasteri të rëndësishëm për komunat dhe qytetarët, tu dal në ndihmë gjithë kryetarëve të komunave për t’i shtyrë përpara projektet që kanë të bëjnë me mjedisin. Vetëm gjatë vitit 2019, MMPH-ja ka planifikuar 84 projekte që përfshijnë edhe komunat e Kosovës, e në mesin e këtyre edhe komunat Skenderaj, Istog, Viti e Deçan”, deklaroi ministri Matoshi.

Ministri Matoshi tha se këto projekte do të financohen nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vlerë rreth 3 milion euro.

“Të gjitha këto projekte janë edhe një hap më shumë në angazhimin tonë të përbashkët për përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe ngritjen e mirëqenies së qytetareve të vendit. Besoj që këto projekte do të realizohen me kohe dhe do të kenë një menaxhim efikas nga komunat përkatëse”, u shpreh ministri Matoshi.

I pari i MMPH-së, Matoshi, kërkoi nga kryetarët e komunave një angazhim më të madh në fushën e mjedisit duke përfshirë dhe zbatimin e Udhëzimit Administrativ për ndëshkime me Gjoba Mandatore.

Projektet për të cilat u nënshkruan memorandumet e bashkëpunimit me komunën e Skenderajt janë: “ Kanalizimi në Bashkësinë Lokale Qirez-Likoc- Skenderaj”, në vlerë prej 230 mijë euro; “Kanalizimi në fshatin Llaushë- Skenderaj”, në vlerë prej 200 mijë euro; “Rregullimi i lumit Klina nga Fshati Kuqicë deri në Skenderaj”, në vlerë prej 300 mijë euro; “Rrjeti i kanalizimit ne Prekaz-Mikushnicë-Skenderaj, në vlerë prej 200 mijë euro.

Këtë vit MMPH në Skenderaj realizon 7 projekte të cilat kapin vlerën rreth 1.5 milion euro.

Me komunën e Istogut janë nënshkruar dy marrëveshje për projekte: “Ndërtimi i parkut të qytetit në lokacionin e ish ndërmarrjes publike Radusha”, në vlerë prej 100 mijë euro dhe “Ndërtimi i kanalit të ujitjes në fshatin Storadran”, në vlerë prej 100 mijë euro.

Ministri Matoshi me komunën e Vitisë ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi për projektin ”Renovimi dhe ndërtimi i Infrastrukturës Mbrojtëse përgjatë lumit Morava e Binçes”, ku këtë vit do të ndahen 400 mijë euro.

Me komunën e Deçanit janë nënshkruar këto projekte : “ Kanalizimi i ujërave të zeza në zonën urbane në Deçan”, në vlerë prej 50 mijë euro; “Kanalizimi i ujërave të zeza në Rastavicë”, në vlerë prej 31 mijë e 500 euro; “Rregullimi i shtratit të Lumbardhit në Deçan, në vlerë prej 400 mijë euro dhe “Ndërtimi i shtratit të lumit në Irzniq në lagjet Berisha, Mushkolaj dhe Dodaj”, në vlerë prej 50 mijë euro, për vitin buxhetor 2019.

Në komunikatë thuhet se kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, falënderuan ministrin Matoshi për bashkëpunim dhe investim në fushën e mjedisit duke i vlerësuar këto projekte si të domosdoshme për komunat përkatëse dhe qytetaret e tyre.