Ka zgjedhur që edhe njëherë ta testojë veten në zgjedhje. Kësaj radhe për deputete në Kuvendin e Kosovës. Kjo pasi që në garën për asambliste të komunës ishte më e votuara nga partia e saj.
Mirlinda Sopi, është vajza nga Prishtina, e cila në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit nga Aleanca Kosova e Re garon në listë bashkë me kandidatët tjerë në koalicionin LDK-AKR-Alternativa.
Sopi e cila është mjeke me profesion, është edhe anëtare e AKR-së që nga themelimi.
Ajo në një intervistë për KosovaPress tregon edhe pse ka zgjedhur AKR-në para partive tjera dhe angazhimet e saj nëse fiton një ulëse në Parlamentin e Kosovës.
“Vazhdoj të mendoj se AKR-ja ka njerëz të pastër dhe njerëz që kanë tendenca për ta dërguar Kosovën përpara dhe prandaj po ndihem mirë me AKR-në. E them gjithmonë edhe në një rreth shoqëror se deri në momentin kur unë në AKR kam hapësira që të veproj si Mirlindë në ato parime dhe me dijeninë që unë kam do të qëndroj pranë presidentit Pacolli dhe gjithë personave të cilët kanë për qëllim vetëm avancimin e vendit dhe kanë për qëllim interesin e qytetarit, në asnjë rrethanë nuk qëndroj në momentin kur më cenohet hapësira e veprimit dhe kur veprimet e mija detyrohen ose kushtëzohen me të padrejtë prej të tjerëve”, tha Sopi.
Ajo komenton edhe hyrjen në koalicion me LDK-në dhe Alternativën, sipas së cilës në fillim ka qenë skeptik por që tash është bindur se ky koalicion do t’i fitojë zgjedhjet më 11 qershor.
“Unë mendoj që Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar një ristrukturim të saj me zotëri Hotin si kandidat për kryeministër ka ardhur një frymë e re tek elektoratit i LDK-së dhe me AKR-në. Unë po mendoj që programi është bashkuar i AKR-s, LDK-s për dallim prej koalicioneve të tjera kemi qitur pika programore tonat që i kemi pasur në zhvillimin ekonomik dhe në punësim dhe po besoj shumë që ka me funksionuar mirë, ka nisur në bazë të vlerave dhe parimeve të punës po besoj që edhe në fund do të dal mirë, gjithsesi edhe për të mirën e vendit në qoftë se qytetari na jep besimin dhe votën e tij”, tha Sopi.
Madje ajo është e bindur se më 11 qershor do të dalin fitues dhe këtë e thotë duke u bazuar edhe në disa sondazhe ndërkombëtare, i cili siç thotë ajo e vlerëson fitues “Koalicionin LDK-AKR-Alternativa”.
Mirlinda Sopi ka arritur që të futet në mesin e 22 kandidatëve të AKR-së të cilët kërkojnë votën e tyre në zgjedhje.
“Presidenti Pacolli ka konsideruar bashkë me kryesinë e ngushtë se ne do të jemi ata ushtarët e tij në këto zgjedhje, po besoj shumë që kemi me dalë fitues dhe e them gjithmonë se jam natyrë që çdo punë që e marr, e marr me shumë përkushtim dhe inshalla ata që do na e besojnë votën, së pari besimin e presidentit Pacolli nuk do ta zhgënjejë personalisht dhe gjithë anëtarët që na kanë propozuar dhe do të na votojnë do arrijmë t’i përfaqësojmë denjësisht në Parlament dhe do jem zëri i tyre për çfarëdo shqetësimi që kanë”, thotë Sopi.
Mirlinda thotë se nëse zgjidhet deputete fokusi i saj kryesor do të jetë angazhimi për përmirësimin e shëndetësisë, rinisë dhe sportit.
Sopi bën thirrje edhe tek femrat tjera që të punojnë shumë për të arritur synimet e tyre në karrierë pasi sipas saj femra mundet të arrijë gjithçka në jetë.
Mirlinda Sopi në këtë garë ka numrin 55 në listë.