Zgjedhjet lajme

Pacolli: Bashkimi me familjen Rugoviane, na jep fuqi për jetësimin e një Kosove dinjitoze

Sot në prani të një numri të madh të qytetarëve, Aleanca Kosova e Re, bashkë me partnerët e koalicionit LDK-LD-Alternativa, ka mbajtur tubimin e radhës në komunën e Vushtrrisë.

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli tha se pas 10 viteve në politikën kosovare, tash edhe shpirtërisht e përjeton një situatë krejtësisht tjetër duke besuar kështu në ndryshimet politike që e presin Kosovën.

“Do të ndodhë diçka e re që do ta drejtojë Kosovën nga civilizimi dhe prosperiteti. Jam i lumtur që jemi bashkuar me familjen e madhe Rugoviane, kjo na jep edhe më shumë fuqi që të gjithë se bashku të punojmë për një Kosovë dinjitoze” ka thënë Pacolli.

Pacolli para vushtrriasve ka thënë se Avdullah Hoti është njeri i dijës, i qytetëruar, me tradita familjare dhe që meriton respekt, duke shprehur kështu mbështetjen e Aleancës Kosova e Re për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Avdullah Hotin.

“Gjatë punës sonë të përbashkët unë jam bindur se synimi juaj është zhvillimi i Kosovës, mirëqenia e qytetarëve dhe ardhmëria e ndritshme e rinisë tonë të mrekullueshme. Ne do t’ju japim mundësi të rinjve tanë që të tregojnë për idetë e tyre, të cilat ne do t’i mbështesim edhe financiarisht”, ka shtuar Pacolli .

Ai gjithashtu ka thënë se koalicioni i shpresës do ta krijojë një shoqëri, ku nuk do të ketë vend për zhvatësit.

“Koha e presioneve dhe udhëheqjeve me forcë e shantazh ka kaluar, tash është koha për njerëzit që do ta ndërtojnë Kosovën e që do ta zhvillojnë ekonomikisht. Ne jemi bashkuar sot dhe së bashku jemi edhe më të fortë”, ka shtuar Pacolli.

Ndërsa kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit AKR-LDK-Alternativa-LD, Avdullah Hoti tha se koalicioni i shpresës është koalicion i fitores pa asnjë diskutim.

“Do ta sigurojmë një shtet të së drejtës dhe do ta kemi një sistem shëndetësor dinjitoz. Kërkoj mbështetjen nga ju për ta çuar ne vend amanetin e Presidentit Rugova dhe ta anëtarësojmë Kosovën në BE”, ka thënë ndër të tjera kandidati për kryeministër Avdullah Hoti.

Më pas ai ka prezantuar edhe kandidatët e koalicionit për deputetë, në mesin e të cilëve është prezantuar edhe Arta Haxhaj, kandidate e cila vjen nga rajoni i Vushtrrisë.