Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë fushatës zgjedhore të shtunën në qytetin e Mitrovicës, ka thënë se ky koalicion është i shpresës dhe ka programin e qartë në të gjitha fushat, përfshirë ekonominë, shëndetësinë, arsimin.
Ai u shpreh i nderuar që ka një koalicion të përbërë nga njerëz të dijes.
“Vërtet do ta keni vështirë të zgjidhni në mesin e doktorëve të shkencës cili është më i miri”, ka thënë mes tjerash Hoti.
Sipas tij, ky koalicion ka programin e qartë në të gjitha fushat, ekonomisë, shëndetësisë, arsimit etj.
Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka potencuar se programi i tyre është një program që garanton jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës. Ai premtoi se do të vë në dispozicion gjithçka që është në limitet e tij, në mënyrë që Avdullah Hoti të udhëheqë në të ardhmen me qeverinë e vendit.
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila ka thënë se Mitrovica është vendi që e pagoi më së shtrenjti lirinë e Kosovës, sepse Mitrovicës i është këputur njëri krah.
“Mitrovica dëshmon se forca nuk është zgjidhja, por forca është problemi. Sot në Kosovë janë dy oferta politike. Njëra që proklamon forcë dhe është dëshmuar se forca nuk ofron zgjidhje, sepse forcës i ka kaluar koha. Të mençurit nuk ofrojnë tregim të muskujve dhe as proklamojnë se do të vdesin. Ne nuk kemi nevojë për vdekje, kemi nevojë për jetë”, ka thënë Kusari Lila.
Ilir Deda, nga Alternativa ka thënë se Mitrovica e di më së miri çfarë do të thotë të jetë e nëpërkëmbur, sepse e ka përjetuar nga ata që janë bërë bashkë në anën tjetër.
Sylejman Qerkezi nga Lëvizja për drejtësi ka thënë se banorët shqiptarë të Mitrovicës në veri janë heronj të gjallë. “Përveç atyre që i tha kryeministri Mustafa për profesor Hotin, unë kam vërejtur diçka të veçantë tek ai. Mëshira dhe ndjenja shpirtërore e tij janë diçka e veçantë në karakterin e tij. Një pushtet që nuk ka rahmet, nuk ka mundësi të ketë bereqet”, ka thënë Qerkezi.