Në tubimin e VETËVENDOSJE-s në Ferizaj ka folur edhe ish-deputetja dhe kandidatja për deputete, Donika Kadaj, e cila ka prezantuar disa nga prioritet e VETËVENDOSJE-s.
“Nuk ka rrugë të shkurtër për te e drejta, nuk ka rrugë të shkurtër për te zhvillimi. Por jemi të përcaktuar për të ardhmen", tha Kadaj.
Ajo përmendi vështirësitë për të gjetur punë pas fakultetit, për të gjetur paratë për të ndjekur studimet, përmendi vështirësitë për të gjetur punë edhe për gratë.
“Andaj ne kemi premtuar që pa vonesë do të ndërtojmë 160 çerdhe, do të ofrojmë shujta për fëmijët në mëngjes”, premtoi Kadaj.
“Ndërkaq në universitetin publik askush nga ju nuk do të paguajë taksë”, shtoi tutje ajo.
Kadaj tha po ashtu se me VETËVENDOSJE-n për çdo fëmijë nën moshën 15 vjeç do të ndajmë nga 10 euro çdo muaj, e ato para do të jenë në llogarinë e nënës.
“Ka vetëm një mënyrë se si mund të ndryshohet gjendja që na ka kapluar, me plan Vetëvendosës", Kadaj.
Nënkryetari i VETËVENDOSJE-s dhe i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, e ka filluar fjalimin duke përmendur fitoren e komunës së Prishtinës në vitin 2013.
Ai tha se nga ai vit, në Prishtinë është ndalë krimi dhe korrupsioni, ka treg prodhimesh vendore, ka transport publik, ka shtrime të rrugëve, ka dyfishim të numrit të çerdheve publike, shtim të qendrave shëndetësore.
Sejdiu shtoi se 18 vite pas çlirimit, me 11 qershor e është një mundësi, dhe këtë mund të realizojmë së bashku. Ai tha se “duhet të vendosim a do të vazhdojmë me drejtësi që nuk jep drejtësi, me shëndetësi që nuk shëron ose të zgjedhim të vetmen zgjidhje, VETËVENDOSJE-n”.
"Me 11 qershor, thirrni secilin që e njihni, të marrë një laps të kuq dhe të zgjedhë të vetmen vijë të kuqe, të vendosë me zemër për VETËVENDOSJE", porositi ferizajasit Sejdiu.