Zgjedhjet 2019

Kurti është fitues i madh i zgjedhjeve, por lista e humbësve është e gjatë

Sovrani, të cilin partitë politike e kanë përmendur më së shumti në 30 ditët e fundit, ka shkaktuar tërmet politik në Kosovë, ditën e diel.

Më vonë, në mesnatë, ky tërmet u ndje në sheshin Skënderbeu, kur fituesi i zgjedhjeve doli të festojë aty.

Pas 14 vjetësh në rrugë, në Kuvend me fjalime e gaz, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka mundur të flasë për herë të parë si fitues i zgjedhjeve në Kosovë.

Vetëm një vit pasi që partia që udhëhoqi, iu nda duke marrë pas vetes dy komuna e 12 deputetë, Kurti ia doli që të mposhtë konkurrencën e LDK-së së ringjallur me Vjosa Osmanin, dhe të lërë shumë mbrapa Kadri Veselin e PDK-së.

Partia e tij pritet të fitojë 31 deri në 32 deputetë sa kishte edhe në zgjedhjet e fundit, por atij do t’i takojë mandati për të formuar qeverinë e re të Kosovës.

Një koalicion i mundshëm me LDK-në do ta ballafaqojë me një sërë sfidash të mëdha – duke përfshirë kryesoren - dialogun me Serbinë.

Vetëvendosje e ka poshtëruar shefin e shtabit zgjedhor në Gjilan, Lutfi Hazirin, duke fituar 5000 vota më shumë, dhe e ka shpartalluar koalicionin AAK/PSD të kryetarit Shpend Ahmeti në Prishtinë, duke fituar hiç më pak se 30.000 vota më shumë se ai në kryeqytet.

Kur në orët e para pas mbylljes së vendvotimeve, LDK-ja printe, në skenë doli vetë shefi i shtabit, Lutfi Haziri.

Ai tha se partia e tij kishte fituar pa diskutim dhe se fitorja do të rishpallej në orën 21:30, në një konferencë të radhës. Haziri u zhduk më pas, e pas orës 23:00 këto të LDK-së, nuk ishin fytyra fitoreje.

E kandiduara e kësaj partie për kryeministre, Vjosa Osmani, e vlerësoi procesin dhe tha se opozita ka shënuar fitore bindëse.

Partia e saj ka fituar mbi 195 mijë vota, që është për 5000 më shumë se në mandatin e kaluar, por pamjaftueshëm për fitore.

Në një fushatë që nuk inspiroi siç pritej, Osmani u mor kryesisht me Veselin e PDK-së, duke e parë atë si kërcënimin kryesor për vendin e parë.

Abelard Tahiri u ngut kur e shpalli fitoren pak minuta pas mbylljes së vendvotimeve. Teksa KQZ-ja po numëronte votat, PDK-ja asnjë moment nuk ishte në vendin e parë, dhe nga i dyti ra thellë në të tretin.

Kjo është fytyra e humbësit, pasi që Kadri Veseli dështon në tentimin e tij të parë për të fituar i vetëm zgjedhjet qendrore.

Pas plot 12 vjetësh në ulëset e mesme të Kuvendit, PDK-ja dikur e Hashim Thaçit, e me vonë e Kadri Veselit, do të kalojë në opozitë.

Kreut të PDK-së nuk i ka kryer punë as pushteti i madh në dorë, as betimi i pabesueshëm se do ta luftojë korrupsionin e nepotizmin, as i ashtuquajturi njeri i Trumpit, e as fytyrat e reja, me të cilat tha se e bëri partinë e tij atraktive për votuesin kosovar.

166.000 vota për këtë parti, është një rekord i ulët historik.

Humbësi më i madh? Ramush Haradinaj.

Ai këndoi nëpër studio e vuri plis në kokë, por kosovarët nuk e morën seriozisht kauzën se ishte ai njeriu që do të ruante kufijtë e Kosovës

Haradinaj e la qeverinë pa ia kërkuar askush këtë, dhe edhe pse afroi rreth vetes të ikurit e Vetëvendosjes, nuk arriti të marrë më shumë se 90.000 vota.

Koalicioni AAK/PSD pritet të ketë 12-13 deputetë, që mund ta bëjnë të papërfillshme në një qeveri të udhëhequr nga VV/LDK.

Njerëzit e PSD-së u lavdëruan në fushatë që paraqiten dijen, e në ndonjë rast edhe guximin, por kjo parti nuk pritet të marrë aq deputet sa për të krijuar një grup të vetin parlamentar, që do ta bënte ndikimin e tyre në Kuvend, të pavërejtshëm

Fatmir Limaj kishte pyetur në Rubikon të KTV-së se “çka kanë ata më shumë se unë”, kur kishte folur për oponentët e vet në garën për kryeministër.

Rezulton se kosovarët mendojnë që Limaj s’ka kapacitet as për t’u kthyer në Kuvend si deputet i thjeshtë në ulëse e fundit të saj.

Në një koalicion të papritur me AKR-në e Behgjet Pacollit, dyshja ka marrë rezultat shokues zgjedhore, duke mos arritur që të kalojë pragun.

Të dy partitë në qeverinë e kaluar kishin bashkë 2 zv.kryeministra e 7 ministri, në të cilat kishin futur masivisht militantë, djem, nipa e kunata, që shumë shpejt mund të mbesin pa punë.