Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se për vendimin e PZAP-së që të rinumërohen 1472 vendvotime, nuk ka shkuar asnjë ankesë në Gjykatën Supreme dhe si rrjedhojë, do të vazhdohet me këtë proces.
“Ne kemi pranuar dy vendime të Panelit Zgjedhor. Me një vendim ne jemi obliguar që të rinumërojmë një numër të caktuar të kutive dhe me sa kam informatë nga Gjykata Supreme, deri më tani nuk është ankuar askush dhe ky vendim bëhet i plotfuqishëm dhe ne jemi të obliguar që t’i rinumërojmë këto kuti”, ka thënë Daka në mbledhjen e KQZ-së.
Ndërkaq, Ilir Gashi, anëtar i PDK-së në KQZ, ka thënë se procesi i rinumërimit duhet të vazhdojë.
“Konsideroj që ne nuk jemi akoma në kohën kur duhet t’i japim QNR-së që të vazhdojë me rinumërim. Me sa e dimë vetëm sot ka filluar t’u jepet vendimi palëve dhe deri më sot nuk janë bërë 24 orë. Ne nuk kemi ndonjë informatë as nga PZAP se kur fillon ky afati, kur u janë shpërndarë publikisht kopjet e vendimit atyre që janë ankuar. Kisha dashur që të mos ngutemi për faktin që ata janë ende brenda afatit ligjor”, deklaroi Gashi.
Enis Halimi, nga sekretariati i KQZ-së, ka thënë se janë në pritje të urdhrit të KQZ-së për të proceduar me rinumërimin e kutive në fjalë.
“Sekretariati do të rrisë kapacitetet e veta në funksion të efikasitetit të afatit kohor të rinumërimit. Të gjitha përgatitjet jemi duke i bërë dhe presim urdhrin nga KQZ në mënyrë që të procedojmë. Për dallim nga herët e kaluara meqë ka numër të madh dhe jemi me një presion të zgjatjes së këtij afati kohor, kemi rritur kapacitetet. Ju sigurojmë edhe këto rinumërime do të zhvillohen pasi të konsumohen afatet ligjore”, u shpreh Gashi.
Nazlie Bala, anëtare e VV-së në KQZ, ka kërkuar nga koordinatori i QNR-së që të shtojë numrin e tavolinave “sepse ka hapësirë”, ndërkaq kërkoi edhe që të rriten kapacitetet edhe për ndërrimin e tretë sa i përket këtij rinumërimi “në mënyrë që të jemi në kohë”.
Ndërkaq, Halimi i është përgjigjur Balës, duke thënë se për ndërrimin e tretë e kanë konsideruar që e cenon efikasitetin e punës.
“Ndërrimi i tretë në të kaluarën nuk ka rritur në mënyrë signifikante efikasitetin e punës sonë. Saktësia, ndjeshmëria e punës në rinumërim dhe ndërrimi i tretë, kemi konsideruar që nuk korrespodojnë me njëra tjetrën. Andaj ndoshta do të duhet të punojmë me dy ndërrime pak më të gjata”, tha Halimi.
Në fund, Kryetarja e KQZ-së tha se sa i përket vendimit tjetër (për largimin e votave nga Serbia), tashmë ka disa ankesa.
“Ne mbesim në pritje për të parë se a ka ankesa në Gjykatën Supreme dhe pastaj, nëse s’ka, ne fillojmë prej nesër me rinumërimin. Gjithsesi kish me qenë mirë që QNR të fillojë me përgatitjet për çdo rast”, theksoi Daka.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.