Nis takimi mes LDK-së e VV-së

Kosnett takohet me Kurtin, uron që institucionet të themelohen sa më parë

28 October 2019 15:12
17:28

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi, sot priti në takim Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë Philip S. Kosnett, shoqëruar nga këshilltarja politike, Jessica Long dhe shefja e Sektorit Ekonomik në ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, Lori Michaelson.

Sipas njoftimit, në këtë takim, Kosnett shprehu interesimin e tij për ecurinë e bisedimeve rreth formimit të qeverisë së re, duke uruar që institucionet e Republikës së Kosovës të themelohen sa më parë, në mënyrë që edhe puna për një shtet të së drejtës që lufton korrupsionin dhe zhvillon ekonominë t’i sjellë rezultatet e para.

Shefja e Sektorit Ekonomik në këtë ambasadë, Michaelson, vuri theksin te rëndësia e zhvillimit ekonomik në vend duke shprehë interesimin dhe mbështetjen e ambasadës për projektet e qeverisë së ardhshme në këtë drejtim.

Ndërkaq kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti e njoftoi ambasadorin Kosnett me ecurinë pozitive të takimeve me Lidhjen Demokratike dhe shprehu bindjen se shumë shpejt do të formohet qeveria e re. Prioritet, tha ai, do t’i kushtohet sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit të lartë institucional, në mënyrë që t’i hapet kështu rrugë edhe progresit socio-ekonomik.

“Përpos luftës ndaj korrupsionit, me z. Kosnett dhe znj. Michaelson u ndanë edhe idetë tona për zhvillimin ekonomik të bazuar në politika mbështetëse për bizneset e vogla dhe të mesme në përgjithësi, në prodhimin vendor, dhe në arsimin e lidhur me ekonominë. Bindja jonë është se zhvillimi ekonomik i integron edhe qytetarët me bindje e besime të ndryshme brenda Republikës por edhe shtetet mes vete”, ka thënë Kurti.

16:35

LDK thotë se Kosnetti e inkurajoi këtë parti “të vazhdojë qasjen konstruktive”

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një njoftimi për media ka njoftuar për takimin e nënkryetarëve Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Sipas LDK-së, gjatë këtij takimi është diskutuar për situatën aktuale politike në vend dhe bisedimet ndërmjet LDK-së dhe VV-së për formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e tetorit 2019.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdimisht shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e veçantë për mbështetjen që i kanë dhënë SHBA-ja Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas njoftimit nga LDK-ja, Osmani gjatë takimit ka diskutuar për prioritetet e LDK-së në institucionet e ardhshme, në veçanti për zhvillimin ekonomik, procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe sundimin e ligjit dhe ka potencuar rëndësinë e bashkërendimit të qëndrimeve me partnerët tanë, SHBA-të dhe Bashkimin Evropian.

“Kosnett inkurajoi LDK-në të vazhdojë qasjen konstruktive në proceset e Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të LDK-së.

Në takim të pranishëm ishin edhe anëtarët e Kryesisë, Kujtim Shala dhe Besian Mustafa.

Image
16:08

Përfundon takimi i Konstettit me nënkryetarët e LDK-së, Osmani e Haziri

Ka përfunduar takimi i ambasadorit amerikan Philip Kosnett dhe dy nënkryetarëve të LDK, Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani.

Pas takimit ata nuk kanë dashur të flasin për media.

Ndërkohë, po në selinë e LDK-së, po vazhdon takimi i grupeve punuese LDK-VV.

Image
15:12

Nis takimi mes LDK-së e VV-së

Takimi mes zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje ka filluar.

Në takim nga LDK-ja janë Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Besnik Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku, ndërsa nga LVV-ja janë Besnik Bislimi, Hekuran Murati dhe Glauk Konjufca.

Pak para nisjes së takimit, në selinë e LDK-së ishte edhe Ambasadori i SHBA-së, Philip Kosnett.

Ky është takimi i radhës mes zyrtarëve të dy partive me synimin për të harmonizuar qëndrimet e tyre programore për një koalicion të mundshëm qeverisës.

Në këtë takim pritet të diskutohet për çështje ekonomike, ndërsa kreu i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se shumë shpejt pritet një takim edhe me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme