Mbi 40 mijë fletëvotime të pavlefshme në zgjedhjet e 6 tetorit Foto: Driton Paçarada / KD

Mbi 40 mijë fletëvotime të pavlefshme në zgjedhjet e 6 tetorit

20 October 2019 13:43

Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, mbi 40 mijë e 732 fletëvotime janë vlerësuar si të pavlefshme.

Komunat që prijnë për nga numri i fletëvotime të pavlefshme, sipas KDI-së janë Skenderaj, Novobërda, Drenasi dhe Podujeva.

Por hendek i këtij numri kaq të madh të fletëvotimeve të pavlefshme po konsiderohet mos informimi adekuat për mënyrën e votimit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe subjekteve politike.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë për KosovaPress, se derisa rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit ende nuk janë certifikuar, KQZ-ja nuk ka identifikuar natyrën e pavlefshmërisë së votave.

Por që sipas tij një raport më i detajuar për pavlefshmërisë së votave do bëhet më vonë.

Elezi nuk e ka anashkaluar edhe mundësinë që mos informimi po ndikon në numër të madh të këtyre lloj votash, dhe këtë e arsyeton me afatin e shkurtër për organizim të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Edhe sa i përket këtij procesi zgjedhor Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tani në këtë periudhë kur po bëhet rinumërimi i disa vendvotimeve është duke gjetur fletëvotime të pavlefshme dhe duke parë natyrën e tyre. Sigurisht pasi të kemi më shumë kohë do të ketë një raport lidhur me detajet statistikat që i përkasin pavlefshmërisë së fletëvotimeve. Një prej tyre mund të jetë edhe sa i përket informimit publik, por duhet ta kemi që këto janë zgjedhje të parakohshme të cilat organizohen brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe rrjedhimisht i bie që ndoshta përmes ditëve të cilat i kemi në dispozicion dhe përmes informatave të cilat i shpërndajmë edhe mund të mos arrijmë tek të gjithë votuesit për të dërguar mesazhin dhe informacionin e duhur për mënyrën e plotësimit të duhur të fletëvotime, që do bëjë që ato të ishin të vlefshme”, theksoi Elezi.

Derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk e ka analizuar natyrën e fletëvotimeve të pavlefshme në këto zgjedhje, Komisioni ka analizuar mbi 7 mijë fletëvotime të pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.

Nga kjo analizë del se rreth 45 për qind e rasteve, votuesi ka shënjuar vetëm numrin e kandidatëve, por jo edhe atë të subjektit politik.

“Së fundmi kanë qenë zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ku KQZ ka bërë një analizë sa i takon pavlefshmërisë së fletëvotime janë hetuar gjatë procesit të rinumërimit, diku rreth 7.200 fletëvotime të pavlefshme dhe është parë arsyeja apo natyra se pse këto fletëvotime janë të pavlefshme. Në 45 për qind të rasteve nga këto 7.200 fletëvotime, ato janë shpallur të pavlefshme sepse votuesi ka zgjedhur vetëm kandidatët për deputetë por jo edhe subjektin politik, ndërsa në 32 për qind të rasteve tjera nga 7.200 fletëvotime të cilat janë analizuar, votuesi ka zgjedhur më shumë se një subjekt politik çka e bënë prapë fletëvotimin të pavlefshëm. Më pak është shfaqur rasti i bërjes së qëllimshme të fletëvotimeve pasi votuesi ka bërë shenja gjithandej në fletëvotim”, tha zëdhënësi i KQZ-së.

Në anën tjetër shoqëria civile po vlerëson se mungesa e kampanjave adekuate nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe mos targetimi i zonave ku po përsëritet ky fenomen po qon deri në numrin kaq të madh të fletëvotimeve të pavlefshme.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha për KosovaPress, se në dy palë zgjedhjet e fundit numri i votave të pavlefshme ka kaluar pragun zgjedhor duke qenë se ka arritur më shumë se 5 për qind.

Sipas Cakollit, në këtë numër të madh të fletëvotimeve të pavlefshme po ndikojnë edhe fushatat nga subjektet politike të cilat kryesisht po orientohen vetëm tek kandidatët.

Sipas tij, duke marrë parasysh që nuk janë numëruar votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, mund të rritet edhe më shumë numri i fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Në bazë të trendeve të analizimit të këtyre fletëvotimeve të pavlefshme për gjatë këtyre cikleve të kaluara zgjedhore 5 deri në 6 pikë përqindje është më shumë numri i votave të pavlefshme si rezultat i informimit të gabuar apo fushatave të partive sesa rasteve kur është shënuar më shumë se një subjekt politik që mund të përkthehet në prishje të qëllimshme të fletëvotimit nga ana e votuesve, andaj KQZ duhet të trajtoj pjesën më të madhe të këtyre fletëvotimeve të pavlefshme që vijnë si rezultat i informimit”, tha Cakolli.

Sipas KDI-së, dhjetë komunat me përqindjen më të lartë të votave të pavlefshme në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit janë: Skenderaj 9.66%, Novobërdë 9.64%, Drenas 9.47%, Podujevë 8.40%, Lipjan 8.31%, Rahovec 8.07%, Dragash 6.67%, Malishevë 6.27%, Kamenicë 5.91% dhe Viti me 5.90%.

Referuar këtyre të dhënave, hulumtuesi i KDI-së i ka rekomanduar KQZ që përmes kampanjave të tyre të fokusohen më shumë në komunat që ka numër më të madh të votave të pavlefshme.

“Skenderaj dhe Drenas të cilat kanë pasur edhe përgjatë zgjedhjeve të kaluara numër të madh të fletëvotimeve të pavlefshme tashmë kanë dyfishin e votave të pavlefshme krahasuar me mesataren në nivel vendi, derisa mesatarja në nivel vendi sillet rreth 5 për qind në këto komuna numri i votave të pavlefshme arrin deri 10 për qind të numrit të përgjithshëm të votave. Rrjedhimisht KQZ do të duhej të analizonte këto dy aspekte në mënyrë që kampanjat e ardhshme të informimit dhe edukimit të votuesve të jenë të targetuara sidomos në këto komuna dhe pse jo të zhvillohen edhe opinioni publik në mënyrë që të kuptohen preferencat dhe ndarjet demografike të votuesve”, theksoi ai.

Kujtojmë që dukuria e fletëvotimeve të pavlefshme ka qenë prezente mjaftë shumë edhe në dy palë zgjedhjet parlamentare të mëhershme. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, numri i fletëvotimeve të tilla kishte qenë 30 mijë e 725, kurse në zgjedhjet e kaluara gjithsej ishin 42 mijë e 554 fletëvotime të pavlefshme.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme