Zgjedhjet 2019

DNV-ja thotë se në 2.6 për qind të qendrave të votimit kishte vonesa

DNV-ja përmes një konference për media ka thënë se ka pasur vonesa në hapjen e qendrave të vendvotimit në 2.6 për qind të qendrave në nivel vendi.

Ismet Kryeziu nga DNV-ja ka treguar arsyet se pse kanë ndodhur këto vonesa.

“Sipas vëzhguesve të DNV-së kemi pasur vonesa në 2.6 për qind në hapjen e vendvotimeve, e të gjitha këto vonesa kanë qenë për shkak të vonesave të komisionerëve dhe vonesave të shpërndarjes së materialeve, si dhe për shkak të mungesës së vulave të cilat janë sjellë me vonesë”, ka thënë Kryeziu.

Ai gjithashtu ka thënë se një qendër në Prizren nuk është hapur ende për shkak se një komisioner është tërhequr.

“Është një qendër në të cilën qytetarët ende nuk mund të votojnë për shkak të tërheqjes së një komisoneri në momentin e fundit në qendrën “Ukshin Hoti” në Prizren, dhe tani institucionet përgjegjëse janë duke e bërë zëvendësimin e komisionerit për të mundësuar hapjen e këtij votimi”, ka thënë Kryeziu.

Përmes një komunikate DnV-ja tregon për procesin zgjedhor të deritanishëm:

Në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 2547 vendvotime. Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur 60 ose 2.6 % e vendvotimeve.
Shkaqet kryesore që kanë ndikuar në hapjen me vonesë të këtyre vendvotimeve lidhen me:
a) Vonesën e ardhjes së komisionerëve në vendvotime, që është edhe shkaku më i theksuar i raportuar.
b) Vonesën e materialeve zgjedhore në vendvotime.
Më të shprehurat kanë qenë problemet me vula (6 raste) e shprehur në komunën e Shtërpcës dhe Listë të Votuesve (2 raste).
 
-Në QV 2006X/03R (Universiteti Ukshin Hoti) në Prizren, vendvotimi ende nuk është hapur pasi që kryesuesi i vendvotimit fillimisht është paraqitur në vendvotim e më pas është larguar. Vendvotimi ka mbetur i mbyllur deri në orën 07:36, kur është raportuar.
 

II.Prania e materialit propagandues


Heshtja zgjedhore 24 orë para ditës së zgjedhjeve u mundëson votuesve që të reflektojnë lirshëm mbi preferencat e tyre partiake dhe i kontribuon një ambienti të lirë zgjedhor. Prezenca e materialeve propaganduese të subjekteve politike në ditën e zgjedhjeve mund të shihet si ndikim në përcaktimin e votës së tyre për subjektin e caktuar.
Vëzhguesit e DnV-së,  kanë raportuar për prani të materialit propagandues të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100m të Qendrës së Votimit, edhe pse kjo është e sanksionuar me nenin 85 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP). Posterë të ndryshëm janë vërejtur në afërsi të 63 nga 895 Qendra të Votimit në nivel vendi ose (7 %).
 

III.Qasja e personave me aftësi të kufizuar në Qendra të Votimit


E drejta për pjesëmarrje në zgjedhje si e drejtë universale duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve pa dallim.  Personat me aftësi të kufizuar duhet të kenë mundësi të barabarta të marrin pjesë në jetën publike e politike, e me këtë edhe në votim. Megjithatë një numër i konsiderueshëm i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuar fizike.
Është raportuar se 30% e Qendrave të Votimit, në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate për qasje të personave me aftësi të kufizuara.
 

IV.Pjesëmarrja e grave në Këshillat e Vendvotimit

Prania e grave komisionere vazhdon të jetë e ulët edhe në këto zgjedhje, pavarësisht garancive ligjore dhe kërkesave të vazhdueshme të shoqërisë civile për pjesëmarrje të barabartë.
Pjesëmarrja e grave në cilësinë e komisionereve në nivel vendi është 35%.
Krahasuar me zgjedhjet e fundit në vend (Lokale), ku kjo përqindje ishte 29 %.