Kohavisioni do të ketë mbulim special të procesit zgjedhor të 6 tetorit, transmetim i cili do të fillojë që në orën 7:00 e deri në mbyllje të këtij procesi, që kulmon me shpalljen e rezultateve zyrtare zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Në studio do të ketë të ftuar të ndryshëm me të cilët do të diskutohet për rrjedhën e procesit zgjedhor si dhe do të ketë analiza profesionale nga të ftuarit.
Po ashtu, do të ketë inkuadrime ‘live’ nga gazetarët tanë të terrenit gjatë gjithë ditës nga i tërë territori i Kosovës, përfshirë Prishtinën, Pejën, Gjakovën, Gjilanin, Ferizajn, Prizrenin, Mitrovicën Jugore, sikurse edhe komunat veriore të vendit.
Po ashtu, pas mbylljes së vendvotimeve, KTV-ja do të inkuadrohet ‘live’ nga KQZ-ja për të sjellë më të rejat nga procesi si dhe nga numërimi i votave, sikurse që do të jetë ‘live’ edhe nga shtabet zgjedhore të partive politike dhe koalicioneve me më të rejat nga to.
Zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit u shpallën pasi me 19 korrik të këtij viti, tashmë kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga kjo pozitë.