Zgjedhjet 2019

​Veseli në Fushë Kosovë: Mos u përçani, të bashkuar jemi më të fuqishëm jashtë

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli ka ftuar qytetarët e Fushë Kosovës që të bashkohen për të votuar subjektin që ai e udhëheq në mënyrë që vendi të zhvillohet ekonomikisht.

Kjo pasi sipas tij, sa më të bashkuar brenda, aq më e fuqishme do të jetë Kosova në arenën ndërkombëtare.

Ai përsëriti se 6 tetori është referendum për udhëkryqin në të cilin gjendet vendi.

“Kosova sa më e fuqishme brenda, sa më e bashkuar brenda, do të ketë sovranitet më të fuqishëm jashtë dhe në të njëjtën kohë do të ketë respekt dhe integritet më të avancuar në raport me miqtë tanë perëndimor. Kjo është politika jonë më 6 tetor. Mos u ndani në udhëkryq dhe mos u përçani, bashkohuni fuqishëm. Më 6 tetor e keni një numër për ta votuar, 112, e keni Partinë Demokratike të Kosovës”, tha ai.

Para simpatizantëve të tij në Fushë Kosovë, Veseli tha se pas datës 6 tetor, me fitoren e PDK-së, të gjitha fuqitë institucionale dhe financiare do të orientohen në përkrahje të rinisë. E mbështetje institucionale ai premtoi se do të ketë edhe për fermerët, bujqit dhe në përgjithësi u zotua për zhvillim ekonomik të vendit./KsP/