Zgjedhjet 2019

LDK-ja mohon se Flamur Shala i aderuar në PDK ishte shef i këshilltarëve komunalë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mohuar se i aderuari në PDK, Flamur Shala, ka qenë ndonjëherë shef i këshilltarëve komunalë të LDK-së në Prishtinë, ashtu siç njoftoi sot kreu i PDK-së, Kadri Veseli.

Kryetari aktual i këshilltarëve komunalë të LDK-së në kryeqytet, Halim Halimi, ka thënë për KTV-në se ky është lajm është i rremë.

“Flamur Shala asnjëherë dhe në asnjë mandat nuk ka qenë shef i grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prishtinës. Flamuri si patriot e ka tradhtuar PDK-në dhe i është bashkangjitur LDK-së. Tash prapë po e tradhton LDK-në si më parë e po i bashkëngjitet PDK-së. Flamur Shala në këtë mandat as që është asamblist në Kuvendin e Komunës së Prishtinës. Kjo të cilën e plason PDK-ja është në vazhdën e rrenave të përditshme të saj në këtë kohë fushatë”, ka thënë Halimi.

Flamur Shala edhe më herët kishte qenë pjesë e PDK-së, ku më pas i është bashkuar LDK-së, nga e cila është larguar për t’u kthyer te partia e tij e vjetër.

Shala kishte qenë zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës nga PDK-ja me të cilën në koalicion Isa Mustafa i LDK-së udhëhiqte me kryeqytetin.