Zgjedhjet 2019

Në veri po mbretëron situatë e qetë gjatë fushatës zgjedhore

Foto: REL

Në veri të Kosovës, janë vendosur pllakatet, kryesisht të Listës Serbe, njërës prej katër subjekteve politike serbe, të cilat më 6 tetor do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vendit. Në Leposaviq mund të vërehen mbetjet e pllakateve të shqyera të Partisë së Serbëve të Kosovës, ndërkaq që asnjë lloj materiali zgjedhor i Partisë së Pavarur Liberale dhe koalicionit “Liria” nuk shihen.

Tubimet parazgjedhore në këtë pjesë të Kosovës i mban vetëm Lista Serbe, e cila është e vetmja që ka mbështetjen e plotë të Beogradit zyrtar për zgjedhjet që pritet të mbahen në Kosovë.

Fushata parazgjedhore në veri të Kosovës, sipas vlerësimeve të vëzhguesve dhe qytetarëve, kryesisht është e qetë dhe identifikohet vetëm me aktivitetet e Listës Serbe. Megjithatë, ditë më parë, subjektet politike serbe kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella për shantazh ndaj votuesve dhe se ndaj tyre po bëhet presion.

Dushan Radakoviq nga Rrjeti i organizatave joqeveritare për mbikëqyrjen e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, thotë ka qenë e pritshme që fushata parazgjedhore në veri të mos jetë shumë e trazuar, por në kufijtë e korrektësisë teknike dhe aktiviteteve politike, në formën e konventave, tablove, panove dhe pllakateve. Ai konsideron që ekziston hapësirë për fushatë të lirë, por që aktivitetet e subjekteve tjera politike serbe janë më të pakta, para së gjithash për shkak se subjektet politike si Partia e Pavarur Liberale dhe koalicioni “Liria”, në listat e tyre nuk kanë kandidatë nga veriu.

“Unë mendoj që fushatën në veri nuk e kanë aq prioritet, në krahasim me Listën Serbe. Partia e Serbëve të Kosovës (me seli në Leposaviq) vetëm sa ka filluar fushatën me vendosjen e panove. Kemi pasur disa probleme me shqyerjen e pllakateve, por mendoj që prioritetet e Partisë së Pavarur Liberale dhe të koalicionit ‘Liria’ nuk janë në veri. Mendoj që presoni shumë më i madh bëhet ndaj votuesve në Kosovën qendrore, në raport me veriun e Kosovës”, theksoi Radakoviq.

/shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë/