Zgjedhjet 2019

Dëmtohen banerët e Kurtit në Deçan, VV thotë se po e bëjnë nga frika e humbjes

Lëvizja Vetëvendosje thotë se pesë herë në Deçan persona të panjohur kanë dëmtuar banerët elektoral të cilët paraqisnin liderin e partisë, Albin Kurti.

E këtë sipas tyre, po e bëjnë për shkak të frikës së humbjes.

“Ky veprim i shëmtuar tregon frikën e cila i ka kapur bandat partiake që e kanë vjedhur Kosovën për 20 vite me radhë. Me pushtetin e tyre po largohet rinia, por me pushtetin e Vetëvendosjes do të largohet mafia”, thuhet në reagimin e tyre në Facebook.

Mirëpo, të njëjtit thonë se do të vazhdojnë t’i vendosin përsëri banerët, pasi që sipas tyre, nuk do të bien pre e provokimeve të subjekteve të PAN-it.

“Ne do të vazhdojmë t’i vendosim banerët tanë, sipas ligjit, kudo. Subjektet e PAN-it, në panik sepse janë jashtë gare, po kërkojnë vazhdimisht të na provokojnë. Por ne nuk do të biem pre e provokimeve të tyre. Aktivistët tanë në Deçan, e në krejt Kosovën, kanë qenë në gjendje të ballafaqohen me guxim maksimal, dhe gjithnjë të fitojnë, përballë pushtetarëve abuzivë nga të gjitha partitë”, thuhet në reagim.

Sipas Vetëvendosjes, as Deçani e asnjë vend në Kosovë, nuk ka nevojë për tension, por për zhvillim e investime. Ata thonë se, ata që e kanë lënë Deçanin pa investime, pa zhvillim ekonomik dhe pa urbanizim sot kanë frikë, sepse ka ardhur koha që të humbasin bindshëm. Populli ka marrë vendim kundër tyre, ka marrë vendim për ndryshimin e madh që Deçani e Kosova të kthehet kah e mbara, me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Fatkeqësisht policia e cila është njoftuar zyrtarisht, nuk po vepron, edhe pse ky veprim i përsëritur pesë herë rresht ka ndodhur në qendër të qytetit në një hapësirë të monitoruar me kamera. Prandaj themi se me qeverinë Kurti, edhe policët do të çlirohen prej frikës dhe do të kenë mundësi ta zbatojnë ligjin njësoj për secilin, edhe për banditët e partive të vjetra. Erdhi dita për ndryshim. Erdhi dita t’i largojmë abuzuesit dhe banditët nga pushteti. Erdhi dita për drejtësi e zhvillim, për Deçanin dhe për krejt Kosovën”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Fotografitë të cilat tregojnë banerët e dëmtuar, i ka publikuar në Facebook, aktivisti i Vetëvendosjes, Faton Selmanaj.

{gallery}