Zgjedhjet 2019

Osmani në Deçan: Kam ardhur për ta konfirmuar çlirimin e Kosovës nga qeverisja që ia ka zënë frymën

Gjatë një tubimi në Deçan, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të shtunën se me programin e saj qeverisës do ta kthejë shpresën tek të rinjtë për të qëndruar në atdheun e tyre.

“Kam ardhur për ta konfirmuar çlirimin e Kosovës nga qeverisja që ia ka zënë shtetit frymën. Nga qeverisja që e ka ngulfatur vendin, duke ia lënë rinisë vetëm një shteg, shtegun e ikjes nga Kosova. Më 6 tetor, nga besa që e morën në vendin e Lidhjes në Prizren, por të cilën po e shoh edhe këtu në Deçan, do të vijnë ditë të mira për rininë, për të qëndruar krenarë në vendin e tyre”, ka thënë ajo.

Ajo pohoi se besimi në LDK-në është besimi në rikthimin e shpresës së humbur nga rinia.

“Duke e marrë këtë besim për LDK-në ju do ta siguroni një të ardhme për fëmijët tuaj. Vetëm fitorja e thellë e LDK-së e çon PDK-në dhe të korruptuarit në opozitë. Vetëm fitorja e LDK-së Kosovës ia hap dyert e miqve shpëtimtarë”, pohoi Osmani.

Ajo tha se jam e nderuar që sot jam në Deçanin piktoresk të Sali Çekaj, të heroit tonë, i cili i vuri themelet e kushtetutshmërisë së Kosovës në Deçan dhe çdokund tjetër dhe me bashkëluftëtarët e tij, me Agim Ramadanin, me Anton Qunin, Ibish Mazrekun dhe të tjerë që i kemi sot këtu, zhvilluan Betejën e lavdishme të Koshares.

Në tubimin në Deçan, Osmani kishte disa mesazhe edhe për kundërkandidatin e tij që vjen nga ky qytet.

“Dua t'i dëshmojë edhe kundërkandidatit tim që vjen nga Deçani, i cili për dy vjet e mbyti shpresën e daçanasve dhe të gjithë Kosovës. Dua t'i them nga këtu se përkundër keqqeverisjes nga ai dhe partnerët e tij, ky vend nuk thyhet dhe nuk përkulet. Duke hartuar lista me veteranë të rrejshëm, më së shumti i dëmtuan luftëtarët e vërtetë. Me këto lista të rrejshme nuk mund të blihet vullneti i qytetarëve të Kosovës”, tha ajo.

“Zotohen dhe betohem para jush, qytetarë të nderuar se rruga e nderës është ajo e vetmja që do ta ndjek”, tha në fund Osmani.