Vullneti i qytetarëve të Kosovës për LDK-në nuk mund të blihet nga përfaqësuesit e “Klanit Pronto”, - ka thënë kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre të vendit, Vjosa Osmani, gjatë një tubimi në Suharekë.
“Qytetarët e Kosovës meritojnë një qeverisje me duar të pastra. Përbuzni mashtrimet e ‘Klanit Pronto’ dhe të atyre që bashkëpunojnë me ta, të cilët po provojnë që ta blejnë me para të krimit dhe të korrupsionit besimin tuaj. Përbuzni të tillëve mbylljani derën, sepse ato para janë të vjedhura nga djersa e popullit”, tha Osmani.
Qytetarët e Kosovë, tha ajo, jo vetëm që do t'i largojnë nga qeveria ata që e keqpërdorën dhe e shkelën mundin dhe djersën e qytetarëve, por ata do të japin edhe llogari para drejtësisë, sepse LDK-ja nuk do ta amnistojë askënd para ligjit.
Po ashtu, Osmani tha se për të dhe për LDK-në nuk ka asgjë më të shenjtë, sesa beteja për ta shkapur shtetin nga ata që themelet i kanë në krim dhe në korrupsion.
Duke folur për akuzat e kundërshtarëve politikë, ajo pohoi: “Kur them kurrë me PDK-në, ajo mbetet kurrë me PDK-në. Qytetarët e Kosovës besojnë në shtëpinë e vetme politike, që i ka dalë zot këtij vendi kur ka qenë në rrezik dhe ajo është Lidhja Demokratike e Kosovës”, vazhdoi Osmani.
Duke e përmbyllur fjalimin e saj, Osmani theksoi se LDK-ja është më e bashkuar dhe më unike se kurrë, për të shënuar fitore sikurse në vitin 2004.
Në këtë tubim foli edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili adresoi kritika për ata që po provojnë ta blejnë vullnetin e qytetarëve duke aluduar në kreun e PDK-së, Kadri Veselin.
“Ai tipi që e ka hequr sakon e i ka përvjelë mëngët, pse nuk i ka përvjelë qe 20 vjet. Mbajeni mend, kemi me ua nxjerrë ato duart nga kuleta e popullit, sepse e kanë tepruar”, tha Haziri.