Zgjedhjet 2019

AAK-ja u bën thirrje anëtarëve të vet për respektim të rregullave zgjedhore

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një komunikate për media u ka bërë thirrje anëtarëve e simpatizantëve të vet që të respektojnë rregullat zgjedhore për fushatën elektorale për zgjedhjet e 6 tetorit.

Kjo parti, që në zgjedhjet e parakohshme hyn me PSD-në si pjesë e koalicionit, ka thënë se do të bëjë “fushatën si subjekt fitues”.

“Si koalicion fitues, me programin më serioz, me të nominuarin për Kryeministër, z. Ramush Haradinaj, AAK dhe PSD kanë bërë përgatitjet e nevojshme për fushatën zgjedhore që ka nisur sot. Ne besojmë që fitorja jonë në 6 tetor është e paalternativë, prandaj koalicioni ynë edhe fushatën do ta bëj si subjekt fitues, duke qenë se kemi çfarë të ofrojmë dhe kemi çfarë të dëshmojmë me 18 muajt e kaluar në qeverisje. Në këtë fryme, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u bën thirrje të gjithë anëtarëve, kandidatëve dhe simpatizantëve të saj që përfshihen në fushatën e këtyre zgjedhje, që të kenë kujdes dhe të mos shkelin Rregullën Zgjedhore që përcakton dhe definon qartë mënyrën se si duhet bërë fushatën, e cila është nxjerrë duke u bazuar në ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim të AAK-së.

AAK-ja ka thënë se është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet relevante shtetërore për të siguruar proces të rregullt zgjedhor teksa ka bërë thirrje që “fushata zgjedhore të zhvillohet në kushtet e një frymë demokratike, të barabartë, duke shpalosur programin qeverisës të koalicionit AAK-PSD, që përbën ofertën më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe jo me veprime të pahijshme që dëmtojnë procesin zgjedhor”.