Katër të rinj të buzëqeshur nën logon e PDK-së “Ndërtojmë të ardhmen – për të rinjtë tanë” nuk janë kosovarë.
Fotografia e tyre lehtësisht mund të gjendet në internet, e që është publikuar në faqen zyrtare të partisë së Kadri Veselit në Facebook.
Kjo nuk është fotografia e vetme e tillë. Edhe së paku 4 fotografi të tjera me mbishkrime të ndryshme, përfshirë për arsim cilësor e shëndetësi, janë publikuar këtu e që nuk janë në Kosovë, raporton KTV.
Me një kërkim të thjeshtë në Google Images, shfaqen fotografitë e tilla të ngjashme nëpër botë.
E ajo që bëri më së shumti bujë gjatë së martës në rrjete sociale, është një fotografi që flet për investime në shëndetësi të PDK-së, e cila ka udhëhequr në mandatin e fundit me këtë sektor.
Kandidatja për deputete nga Vetëvendosje, Fitore Pacolli, thotë se PDK-ja po mashtron opinionin përmes këtyre fotografive, të cilat supozohet se janë bërë në hapësira të QKUK-së.
Partitë politike në përgjithësi, kanë rritur në këto zgjedhje fushatat e tyre nëpërmjet rrjeteve sociale.
Përkundër faktit se fotoja është shpërndarë në faqen zyrtare të PDK-së, as zyrtarë të kësaj partie dhe as zyrtarë të kabinetit të Ministrit të Shëndetësisë Uran Ismaili nuk kanë qenë të gatshëm të japin sqarime për vendin ku është realizuar fotoja dhe autorin.
Fushata zyrtare për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, nis të martën pas mesnatës.