Zgjedhjet 2019

OJQ “Global Shapers Community Prishtina” lanson projektin “Vota ime, zgjedhja ime”

Foto: Koha / ilustrim

Organizata joqeveritare 'Global Shapers Community Prishtina' përmes një komunuikate për media ka njoftuar lansimin e projektit të saj “Vota ime, zgjedhja ime”, nëpërmjet të cilit synohet ngritja e vetëdijesimit të qytetarëve në Kosovë për rëndësinë e votës, rrjedhimisht motivimi i tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, me fokus tek rinia.

Në kuadër të kësaj fushate do të realizohen 7 punëtori në qendrat e Kosovës, rreth 12 video promovuese, infografika dhe një fushatë me persona me ndikim tek rinia, përcjell Koha.net.

“Ajo çfarë na ka shtyrë të realizojmë këtë fushatë, është numri i madh i votave të pavlefshme dhe përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhje e cila shënon rënie në pothuajse të gjitha zgjedhjet, qoftë të nivelit lokal apo nacional”, u shpreh Avdyl Gashi, drejtor i Programeve në organizatën Global Shapers Community Prishtina.

Zgjedhjet e vitit 2019 shënojnë një numër të madh të votuesve të rinj të cilët do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje. Bazuar në statistikat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe Agjencionit të Statistikave të Kosovës, votues për herë të parë nga viti akademik 2017/18 (të cilët nuk kanë votuar në zgjedhjet e vitit 2017) janë 28,813(arsimi publik dhe privat) ndërsa nga viti akademik 2018/19 e që kanë të drejtë vote këtë vit janë 28,801(arsimi publik dhe privat) 5 . Pra, në total 57,614. Derisa së fundmi KQZ ka raportuar se ky numër është rreth 80,000 përfshirë edhe personat që mbushin 18 vjeç në ditën e zgjedhjeve.

Image

“Duke parë këto statistika është më se e rëndësishme implementimi i këtij projekti i cili synon që të i vetëdijesojë të rinjtë në Kosovë që të votojnë, të jenë të përgjegjshëm me votën e tyre, të kuptojnë mirë rëndësinë e saj, të jenë në gjendje të analizojnë mirë programet partive politike dhe të jenë të vetëdijshëm për mënyrën e zgjedhjes së liderëve të tyre të cilit do të përfaqësojnë interesat dhe vizionet e tyre” thuhet në komunikatën për media.

“Fuqia në numër e votës së rinisë është shumë e madhe, shto këtu faktin se 60% e popullsisë është moshë rinore, ndërsa e konsiderojmë skandaloze faktin se rinia mbetet prioritet vetëm në populizma sa për të na e marrë votën dhe aspak në realitet”, shprehet z. Gashi. “Prandaj, fokus i këtij projekti do të jetë rinia, në mënyrë që të jemi syhapur si rini në përzgjedhjen e partisë dhe deputeteve që do të përfaqësojnë interesat tona dhe të krijojmë qytetarë aktivë që monitorojnë punën e listës fituese edhe pas zgjedhjeve, rrjedhimisht të rrisim pjesëmarrjen e qytetarëve me 6 tetor 2019.”

Pjesë e këtij projekti është edhe hulumtimi “Zgjedhjet 2019: A janë të rinjtë prioritet në programet politike?” i cili sjell të dhëna mbi interesat dhe vizionet e të rinjve në Kosovë duke i krahasuar ato me programet e partive politike dhe analizon se sa këto interesa e vizione gërshetohen me programe të partive politike. Nëpërmjet këtij hulumtimi, i cili do të publikohet gjatë ditëve në vijim, synohet që të jetë formë avokimi që partitë të prioritizojnë rininë edhe në programet e tyre.

Ky projekt realizohet me mbështetjen e Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung, zyra në Prishtinë, dhe do të zgjasë deri më datë 7 tetor 2019.