Zgjedhjet 2019

Tahiri thotë se Haradinaj ia ktheu dinjitetin Kosovës, Sveçla e quan qeveri të skandaleve

Besnik Tahiri nga koalicioni AAK-PSD ka thënë se përgjatë mandatit qeverisës të Ramush Haradinajt në Kosovë, janë arritur punë dhe rezultate të cilat nuk janë arritur për 18 vjet.

Sipas tij, qeveria Haradinaj, konsiderohet që i ka përmbyllur çështjet e brendshme, si ajo e ushtrisë.

Tahiri në Interaktiv të KTV-së ka thënë se gjatë qeverisjes së tij, ka qenë dinamikë e madhe punës që e ka drejtuar vendin në drejtimin e duhur.

“Kërcënimi që na është bërë me ndarjen e Kosovës, taksa 100%, qëndrimi për dialog e shumë qëndrime të tjera janë elemente që dëshmojnë se duhet të qeveriset edhe për një mandat”, ka thënë ai.

Tahiri ka thënë se është e vërtetë që Haradinaj e ka rritur rrogën, por thotë se nuk e ka bërë për vete.

Ai tutje ka shtuar se i pari i AAK-së ishte ai që ia ka ndaluar Mogherinit të diskutojë lidhur me territorin e Kosovës në dialogun me Serbinë.

“Ekipi i kryeministrit ka qenë me rroga 430 euro. Ju ka rrit rroga stafit, 600 prokurorëve dhe gjykatësve, gjë që ka ndikuar në përmirësimin e sundimit të ligjit. Nuk ka qenë asnjë moment që ka dashur t’ia rrit vetës rrogën por nuk ka mundur t’i shoh kolegët e vet me ato rroga. Ai i ka thënë Mogherinit, që nuk mund të negociojë për territor të Kosovës”, ka thënë ai duke shtuar se Haradinaj ia ka kthyer dinjitetin Kosovës ndaj Serbisë.

Ai ka thënë se kërkesa për reciprocitet ndaj Serbisë është e gabuar.

Ndërkaq Xhelal Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se qytetarët kanë mendim tjetër prej Tahirit.

Ai thotë se qeveria Haradinaj është njohur si qeveri e skandaleve dhe çdo katër ditë ka pasur nga një megaskandale.

Ai tutje ka përmendur çështjen e dialogut, derisa ka shtuar se ai ia ka lënë në dorë presidentit Hashim Thaçi, i cili sipas tij ka hapur çështjen e kufijve.

“Mos të flasim edhe për kriminelin Milan Radiojçiq të cilin Haradinaj e quajti faktor, shto këtu edhe Bechtel Enka, Contour Globalin, rritjen e pagave, emërimin e dajës së tij për drejtor të AVUK-ut”, ka thënë ai.

Sveçla ka pyetur se me çfarë dokumentacioni transporton Kosova në Serbi.

“Ju i keni dhënë mundësi Hashim Thaçit për me hap kutinë e Pandores. Ju ia keni dhënë lejen Hashim Thaçit me negociua”, ka thënë ai.