Zgjedhjet 2019

Kurti shpalos programin qeverisës

Descriptive Text

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se me qeverinë e re duan të hapin një faqe të re për vendin. Hapat e parë tha se do t’i dedikohen zvogëlimit të shpenzimeve dhe posteve ministrore.

Mes tjerash, tha se “Qeveria Kurti nuk do të lejojë zhvatjen e parasë publike dhe nëpërkëmbjen e shpresës, kërkesës dhe punës së qytetarëve”.

Ai gjatë shpalosjes së programit qeverisës, tha se pa vonesë do të fillohet edhe dialogu me pakicat në Kosovë. Kurti ka folur edhe për vendimet e para që do të marrin si qeveri e re.

“Fondi Sovran i Kosovës dhe Banka Zhvillimore, Qeveria jonë të zbatojë planin zhvillimor të mbështetur nga krijimi i Fondit Sovran dhe Bankës Zhvillimore. Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë për investimet në rritjen e vlerës për Trepçën, KEK-un dhe Telekomin. Ndërsa, Banka Zhvillimore do të jetë komponenti kreditues, i cili do të financohet nga paraja publike dhe shitja e letrave të borxhit, dhe që do të investojë në degë të caktuara të industrisë që të krijojnë vende pune, e zbusin bilancin tregtar, duke u përqendruar në rritjen e eksporteve dhe zëvendësimin e importeve”, tha Kurti, përcjell ksp.

Mes tjerash, kryetari i LVV-së tha se prodhuesit vendorë do të mbështeten në rritjen e cilësisë.

Mbështetje premtoi edhe për mërgatën, duke u ofruar mundësi për investim dhe hapje të shkollave në gjuhën shqipe. Kurti është zotuar se në Qeverinë Kurti do të hartohet edhe ligji i ri i punës.

“Jo më shumë se 40 orë punë në javë, për këtë do të sigurohemi duke hartuar një ligj të ri të punës. Ligji i ri do të përfshijë edhe pushimin e lehonisë, e atë prindëror. Ne gjithashtu zotohemi se do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve të punës, për të parandaluar rreziqet dhe lëndimet në punë, ndërsa duke themeluar Gjykatën e Punës, sigurohemi për trajtim me prioritet të kontesteve punëdhënës-punëmarrës”, tha mes tjerash Kurti.

Për zyrtarët që humbin jetën gjatë detyrës, ai tha se familja do të kompensohet deri në moshën e pensionimit.

Krahas kësaj, ai tha se do të bëjnë mandatimin e plotë të Forcave të Sigurisë së Kosovës për katër vjet. Derisa për policët e Kosovës ka premtuar miratimin e Ligjit për pensionimin e parakohshëm.

“Funksionalizimi i plot sipas mandatit qeverisës që ka Forca e Sigurisë së Kosovës, do ta realizojmë shumë më shpejt. Pra, për katër vjet e jo për dhjetë vjet. Këtë plan e bazojmë në burimet njerëzore të jashtëzakonshme të forcës e të ministrisë, që presim të drejtohen me ndershmëri dhe kompetencë dhe tek buxhetimi i 100 milionë eurove prej vitit të parë, e për çdo vit, deri në fund të mandatit”, deklaroi ai.