Zgjedhjet 2019

Kandidatëve për kryeministër u kërkohet të zotohen për uljen e numrit të ministrive

Foto: Koha

“Demokracia Plus”, organizatë joqeveritare, sot u ka dërguar të gjithë kandidatëve për kryeministër një deklaratë për shtatë zotime për qeverisje të mirë.

Kjo organizatë ka bërë të ditur që ka kërkuar nga kandidatët për kryeministër të nënshkruajnë deklaratën për “Zotimet për Qeverisje të Mirë” si dëshmi e përkushtimit për zbatimin e tyre nëse zgjidhen kryeministër në qeverinë e re.

Në këtë deklaratë të zotimeve, pika e parë është kufizimi i qeverisë në 15 ministri, me maksimum dy zëvendësministra për ministri.

Pika e dytë kërkon që gratë të udhëheqin së paku 30 për qind të ministrive.

Në pikën e tretë, kandidatët mund të zotohen se do të ketë transmetim të drejtpërdrejtë të të gjitha mbledhjeve të Qeverisë.

Në të katërtën, kërkohet zotimi që kryeministria do të publikojë Raport Vjetor për Realizimin e Programit Qeverisës.

Kryeministria dhe ministritë do të publikojnë të gjitha kontratat dhe aneks-kontratat në uebfaqet e tyre zyrtare, thuhet në zotimin e pestë.

Në zotimin e gjashtë kandidatët duhet të nënshkruhen se do të ketë depolitizim në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të agjencioneve dhe ndërmarrjeve publike.

Në pikën e fundit, kandidatët duhet të zotohen se do të ketë raportim dhe standardizim në raportim të shpenzimeve të Kryeministrisë dhe të gjitha ministrive në baza mujore (përfshirë faturat, urdhërblerjet dhe pagesat).

Image