Maloku: Në mungesë të programeve, partitë e kanë deformuar komunikimin

Maloku: Në mungesë të programeve, partitë e kanë deformuar komunikimin

13 September 2019 22:39

Për sociologun Fadil Maloku, partitë politike, në mungesë të programeve kanë deformuar komunikimin me elektoratin.

Ai, thotë se nuk sheh ndryshime rrënjësore, apo të paktën aso ndryshimesh çfarë po propagandohen nga shumica e partive parlamentare kosovare.

“Arsyet janë të shumta, por midis këtyre arsyeve unë si kryesore shoh përfundimin e dialogut me Serbinë, si dhe margjinalizimin e manipulantëve nga krahu i luftës dhe ai i paqes”, ka thënë Maloku.

Tutje, Maloku ka thënë se “nga debatet e zhurmshme më shumë kemi periferizim të temave mbi mirëqenien dhe sundimin e ligjit, ndërkaq kemi dominim të ngucakeqjeve, fyerjeve e sharjeve personale”.

“Pra, kemi një ashpërsim të gjuhës dhe një denigrim të skajshëm midis protagonistëve debatues. Premtimet boshe edhe sivjet janë prezente. Por jo në përmasa dhe dimenzione të zgjedhjeve të kaluara. Premtimi më i mirë kishte me qenë që partitë dhe kandidatët për kryeministër të mos bëjnë fare premtime”, ka thënë Maloku, në një postim të tij në Facebook.

“Në anën tjetër, disa ‘parti minore politike’, janë shndërru në parti imagjinare, sepse, gjithnjë pak para zgjedhjeve, ato fillojnë ta imagjinojnë vetën si organizime partiake. Meqë që nga fillimi e dinë që shanset për ta kaluar pragun zgjedhor janë minimaliste, ato zakonisht si bishta u bashkëngjiten gjigantëve. Këtë e bëjnë jo për ta rritur gjigantin partiak me prezencën e tyre ideologjike e partiake, por, për ta (ri)futur veten e tyre në aulën e Parlamentit vijues”, ka thënë më tej ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme