Zgjedhjet 2019

Shoqëria civile kërkonte kuotë 50 për qind për gra në listat zgjedhor

Descriptive Text

Përfshirja e gjinisë femërore në kuotën prej 30 qind në listat zgjedhore po kritikohet nga shoqëria civile, pasi po konsiderohet shkelje e Ligjit për Barazi Gjinore.

Ani pse nga Avokati i popullit, Agjencia për barazi Gjinore e Republikës së Kosovës, Demokracia në Veprim dhe Organizata tjera joqeveritare është kërkuar që femrat të jenë me përfaqësim 50 qind, kjo nuk është marrë parasysh nga subjektet politike. Ndërkohë zyrtarë të KQZ-së thonë se është respektuar ligji për zgjedhje.

Thirrjes së shoqërisë civile dhe institucionit të Avokatit të Popullit për përfshirjen e femrave në mënyrë të barabartë me meshkujt në listat zgjedhore, nuk i është përgjigjur asnjë nga subjektet politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit. Blerta Aliu nga Demokracia në Veprim i tha Radio Kosovës se është kërkuar respektim i ligjit për barazi gjinore, por kjo nuk ka gjetur zbatim:

"Nga ajo që kemi parë deri më tash edhe pse ende nuk janë kompletuar të gjitha listat do të thotë nuk janë certifikuar nga KQZ-ja ne kemi vërejt që kjo përfshirje nuk është e barabartë . Do të thotë subjektet politike edhe kësaj radhe si duket janë duke respektuar ligjin për zgjedhje dhe janë duke e bërë përfshirjen vetëm 30 % të grave në listat e tyre, përderisa pjesa tjetër janë të gjithë meshkuj. ne sapo ti kemi listat e certifikuara, pas analizimit të tyre do të dalim me reagim", tha ajo.

Edhe zëvendësja e Avokatit të Popullit, Majlinda Sinani Lulaj thotë se nga viti 2015 ekziston Ligji për barazi gjinore, që kërkon përfaqësim të barabartë gjinor të burrave dhe grave në të gjitha institucionet, përfshirë edhe subjektet politike. Ajo thotë se është kërkuar përfaqësim i barabartë në listat e kandidatëve:

"Ne aktualisht po përcjellim dinamikën e zhvillimeve dhe jemi në vlerësim e sipër se cili do të jetë hapi ynë i radhës. Fakti se partitë politike të cilat janë të obliguara me një dispozitë të veçantë brenda ligjit për barazi gjinore që të respektojnë, masat e veçanta sa i përket arritjes së barazisë gjinore, nuk e kanë respektuar partitë politike ketë në momentin kur i kanë dorëzuar listat në KQZ, është argument i mjaftueshëm që ta vendos institucionin e Avokatit të popullit përballë mandatit dhe kompetencave që ka në mënyrë që të shohim se cilët hapa do të jenë kundrejt asaj që me të vërtet që edhe KQZ edhe partitë politike, por edhe institucione tjera ta marrin seriozisht kërkesën për përfaqësim të barabartë gjinorë në të gjitha instancat përfshirë edhe dhënien e mundësive të barabarta në listat kandiduese ", tha ajo

Por zyrtarë të KQZ thonë se është zbatuar Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Zëdhënësi i KQZ –së Valmir Elezi tha se është respektuar neni 27 i ligjit për zgjedhje..

"Sipas këtij neni në paragrafin e parë, në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku 30 % janë meshkuj dhe së paku tridhjetë (30 %) për qind janë femra; pra mund të konfirmoj se kjo është respektuar nga ana e subjekteve politike që janë certifikuar nga ana e KQZ-së,", tha ai.

Ndërkohë edhe Agjencia për Barazi Gjinore e Republikës së Kosovës, ditë më parë ka kërkuar përfaqësim të barabartë gjinor në zgjedhje te 6 tetorit dhe respektim të Ligjit për barazi gjinore.