Sot e deri më 14 shtator afati për përmirësime në listën e votuesve Foto: Driton Paçarada / Koha

Sot e deri më 14 shtator afati për përmirësime në listën e votuesve

12 September 2019 08:57

Në kuadër të organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sot hap periudhën e kundërshtimit dhe konfirmimit të listës zgjedhore.

Nga sot e deri më 14 shtator kosovarët me të drejtë vote do të mund të sfidojnë të dhënat e listës votuese duke kundërshtuar apo konfirmuar ato.

1 milion e 972 mijë e 466 emra i përmban Lista preliminare e votuesve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Ky numër mund të ndryshojë deri në certifikimin e listës finale votuese. Ndërkohë, nga sot, për tri ditë, kosovarët me të drejtë vote do të mund të sfidojnë të dhënat e listës votuese. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i tha Radio Kosovës se kjo periudhë mund të përdoret për përmirësimin e listës votuese.

“Në kuadër të përmirësimit të listës votuese, KQZ ka bashkëpunim të mirë me Agjencinë e Regjistrimit Civil. Përveç kësaj, KQZ u krijon mundësi të gjithë votuesve që të sfidojnë listën votuese. Pra, kjo është një mundësi për të kundërshtuar të dhënat e listës votuese që e ka publikuar KQZ-ja”, tha ai.

Gjatë kësaj periudhe, qytetarët do të mund të kërkojnë përmirësimin e të dhënave si dhe largimin e personave të vdekur nga lista votuese. Si të vdekur a persona që kanë heq dorë nga shtetësia, KQZ, nga lista votuese ditë më parë ka larguar 33 mijë e 791 persona. Por përkundër kësaj, lista preliminare e votuesve përmban më shumë emra se sa është numri i përgjithshëm i popullsisë së

Kosovës, të regjistruar në vitin 2011. Për këtë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka këtë shpjegim.

“Ne regjistrimin e popullsisë përfshihen vetëm banorët rezidentë, të cilët kanë qenë duke jetuar në Kosovë në momentin e regjistrimit në vendin tonë. Ndërsa në listën votuese, përveç qytetarëve me të drejtë vote që jetojnë në Republikën e Kosovës, janë të përfshirë edhe qytetarët që jetojnë jashtë, por që kanë të drejtë vote në Kosovë”, tha Elezi.

Lista përfundimtare e qytetarëve me të drejtë vote planifikohet të certifikohet më 23 shtator nga ana e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. Këtë ditë do të kuptohet numri i kosovarëve që do të mund të votojnë të dielën e parë të tetorit. Ndërkohë, sipas KQZ-së, në zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat po ashtu ishin të parakohshme, të drejtë vote kishin 1 milion e 872 mijë e 941 kosovarë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme